Ja se si

Si të merrni maksimumin nga HDTV-ja juaj

Mar 26 2010
0 Shpërndarje
Si të merrni maksimumin nga HDTV-ja juaj

Kur merrni në shtëpi HDTV-në tuaj të re akull, është vetëm fillimi i aventurës së kinemasë suaj të shtëpisë. Mos vendosni që, siç bën pjesa më e madhe e blerësve të një HTDV-je, thjesht ta vini në punë setin. Hapat e ardhshëm janë vendimtarë si për kënaqësinë tuaj ashtu dhe në vlerësimin maksimal të investimit që sapo keni bërë.

Për t’ju udhëhequr në çdo proces, këtu kemi 23 sugjerime mbi gjithçka, që prej vendosjes së TV-së tuaj në kinemanë e shtëpisë, vendosjen e bokseve për cilësinë më të mirë të zërit deri te kalibrimi i ekranit për të marrë imazhet më të mira të mundshme. Dhe nëse nuk keni vendosur akoma për modelin e HDTV-së që do të blini, ndiqni guidën e blerjes për HDTV të PC World find.pcworld.com/63378.

Instaloni HDTV-në tuaj
Duhet të keni parasysh disa gjëra gjatë instalimit të setit tuaj të ri: ku dhe si ta vendosni për një eksperiencë sa më të mirë të të parit, si të montoni HDTV-në në mënyrë të sigurt dhe si ta mbani pastër.

Gjeni distancën e saktë
Nëse po mendonit ta montonit HDTV-në tuaj mbi oxhak, ndaloni aty ku jeni; jo vetëm që do filloni të keni një dhembje qafë kronike për shkak të vendosjes shumë lart, por distanca e shikimit do jetë aq e madhe sa nuk do të shijoni kurrsesi të gjithë pipselët për të cilët keni paguar.

Këshillat e ekspertëve variojnë në distancën e rekomanduar të shikimit të një HDTV-je, por zakonishtajo është më e vogël nga sa mendoni. Për një TV 42 inç, 1080p, profesionistët e kompanisë THX rekomandojnë një distancë shikimi nga 1.3 deri në 2 metra apo 1.5 deri në 2.3 m për një 50 inç. Në faqen HDGuru.com, llogaritjet janë të ngjashme – aty sugjerohen 1.7 dhe 2 m përkatësisht. Sa më pranë HDTV-së tuaj të uleni, aq më i madh do jetë këndi i shikimit dhe më përfshirëse eksperienca juaj – njësoj si në një sallë kinemaje. Rekomandimet e THX bazohen në një kënd shikimi prej 40 gradësh.

Për HDTV-vë duhet të keni gjithashtu parasysh distancën prej së cilës filloni të shikoni strukturën pikselore të ekranit apo vijat e skanimit të një TV, çka kufizon distancën më të afërt. Sa më i ulët rezolucioni i imazhit të paraqitur, aq më larg duhet të uleni për të mos parë vijat. Për këtë arsye, është mirë të uleni më larg për të parë burime 480i, 480p apo 720p në HDTV-në tuaj se sa kur shikoni 1080i apo 1080p. Kudo që ta vendosni setin tuaj, keni gjithashtu parasysh pozicionin e sistemit audio.

Shikohuni sy-më-sy me TV-në tuaj
Edhe kur përdorni një kapje muri apo një stendë, mbajeni setin tuaj në nivelin e syrit dhe larg nga drita e diellit apo burime të tjera drite, që mund të shkaktojnë reflektime apo zbehje të figurës. Kur blini një mbajtëse muri, vëreni gjithmonë sa mirë ajo kthehet, rrotullohet, pozicionohet mes mobilieve të shtëpisë suaj dhe menaxhon fishat. Gjithashtu sigurohuni që mbajtësja të mund të mbajë peshën e një seti të madh.
Artikulimi i krahëve të montimit si OmniMount UCL-L e lejojnë TV-në të lëvizë poshtë e lart, para-mbrapa dhe majtas-djathtas në mënyrë që ta shikoni nga një larmi pozicionesh. Ky lloj krahu është gjithashtu i përshtatshëm për sete të vendosura në korniza të thella të mobilieve sepse mund ta tërhiqni atë jashtë sipërfaqeve konturuese.
Nëse jetoni në një shtëpi me qira apo thjesht nuk doni të hapni vrima në mur, mund të blini podiume që ngjajnë si mbajtëse muri. Kjo lloj kapke vendoset prapa mobilieve ekzistuese dhe pjesa më e madhe e shitësve online kanë konfigurime që ju tregojnë se cila stendë është më e përshtatshme për TV-në tuaj.

Nëse zgjidhni të blini një stendë, kini parasysh dizajnin e sajë, aksesin dhe ventilimin si dhe lartësinë që ajo lejon dhe menaxhimin e fishave. Sigurohuni që të gjitha pajisjet tuaja (përfshirë dhe ato të mëvonshmet) të kenë hapësira të mira ventilimi. Dyert ndihmojnë të mbani jashtë pluhurin, por mbajnë nxehtësinë brenda. Stendat më të mira përfshijnë ventilim pasiv ose të qetë. Së fundmi, fiksoni TV-në mirë në mënyrë që të mos shkëputet dhe të bjerë në rastin e ndonjë tërmeti apo të fëmijëve që përplasen me të.

Luftoni luhatjet e korrentit
Përveçse në rastin kur keni një linjë shumë të dobët elektrike, një stabilizator i shtrenjtë rryme (apo rregullator tensioni) është i panevojshëm për të mbrojtur TV-ne tuaj të ri. Ajo që ju duhet është një mbrojtës i mirë audio/video i shkarkimeve elektrike (mundësisht me garanci)  për të mbrojtur nga shkarkimet e rrufeve dhe burimeve të tjera që mund dëmtojnë pajisjet tuaja elektronike.

Nëse doni të shpenzoni më shumë, investoni në një burim të pandërprerë fuqie (UPS) për DVR-të tuaja, konsolet e lojërave, serverët dhe pajisjet e tjera që ruajnë të dhënat në flash apo hard disk – të dhëna të cilat mund të dëmtohen apo të humbasin në rastin e mungesës së energjisë apo shkarkimeve elektrike. Këto disqe sekondare janë po aq të ekspozuara ndaj anomalive të rrymës sa dhe hard disqet e një kompjuteri.

Mbani një ekran të pastër
Ekranet me panel të sheshtë janë magnet pluhuri. Pastroni ekranin tuaj (dhe pjesën tjetër të kinemasë së shtëpisë) me një copë pak të njomur mikrofibre për të mos lënë gjurmë vijash. Do të mbeteni të habitur se sa më i shndritshëm dhe më i larmishëm në ngjyra do duket ekrani i HDTV-së tuaj.
Mos përdorni pastrues qelqi që përmbajnë alkool apo amoniak. Këto përbërje dëmtojnë mbulesën plastike. Gjithashtu mos përdormi fshesa me korrent apo furça për të pastruar ekranin sepse këto do të linin gërvishtje të vogla. Për të pastruar gjurmë të yndyrshme, si p.sh. ato të gishtave, përdorni një solucion të butë për larjen e enëve dhe më pas pastrojeni me copën e mikrofibrës. Mos përdorni sprej; kimikatet mund të hyjnë në qarqet apo ventilatorët e pajisjes.

Merrni sinjalin më të mirë video
Me setin tuaj të ri të vendosur, tani duhet të siguroheni që të gjitha burimet që dërgojnë të dhëna në të – luajtësi DVD, DVR apo paketa juaj kabllore- të jenë HD ready. Këto këshilla do ju ndihmojnë të zotëroni situatën. Gjithashtu ofrojmë këshilla se si të gjeni përmbajtjen më të mirë HD ajrore dhe si të instaloni DVR-në tuaj pa pagesë.

Përditësoni burimet video në HD
Nëse jeni duke kaluar nga një TV me definicion standard, mundësia më e madhe është që pjesa më e madhe është që burimet video ekzistuese – si paketa kabllore, luajtësi DVD, DVR-ja apo VCR-ja – të jenë gjithashtu SD. Ndërkohë që marrësi juaj HDTV apo AV do të përpiqen me fisnikëri të zmadhojnë çdo gjë në HD, ato do të shfaqin patjetër efekte pikselimi dhe dhëmbëzime. Video SD nga kompania juaj kabllore apo VCR-ja zakonisht duket shumë më keq në një HDTV se në një SD.

Përjashtimin këtu e bëjnë DVD-të, që zakonisht ofrojnë mode shikimi me ekran të gjerë. Një zmadhues i mirë në luajtësin e DVD-së mund të shfaqi një imazh mjaft të mirë HD në TV-në tuaj, me një kosto minimale. Luajtës 1080p të plotë mund të blihen mjaft lirë, midis 50 dhe 75$.

Sigurohuni që të përditësoni burimet e tjera, përfshirë paketën tuaj kabllore apo satelitore apo DVR-në në HD sa më shpejt që të jetë e mundur. Do të shikoni përmirësime menjëherë dhe do përdorni më së miri të gjitha pakselët në TV-në tuaj të ri.

Kalimi në HD nuk është falas. Kompanitë kabllore dhe satelitore shtojnë një pagesë ekstra për kanalet dhe pajisjet HD. Dhe do ju duhet patjetër ndonjë lloj pakete HD përveçse në rastin kur keni një TV apo DVR (si TiVo HD) që pranon module CableCard apo që suporton Clear QAM, që ju lejojnë të shikoni kanale bazike dixhitale (zakonisht të njëjta me ato tokësore) pa pasur nevojë për dekoder. Nëse jeni një abonent satelitor, atëherë mund t’ju duhet një parabolë e re nëse nuk keni një të kohëve të fundit. Zakonisht mund të përfitoni instalimin falas të pajisjeve HD nëse pranoni të zgjatni kontratën e shërbimit.

Shqyrtoni ndryshimin e kompanisë
Për të zbuluar se cila kompani disponon kanalet tuaja të preferuara në HD, vizitoni rreshtimin kombëtar të AVSForum.com. Kontrolloni rreshtimin e kanaleve për kompanitë që po shqyrtoni (kjo është më e lehtë të bëhet në TVGuide.com), sepse disa variante lokale dhe rajonale nuk mbulohen në listën e AVSForum, megjithëse tabela e sajë do ju japë idenë e përgjithshme.
AT&T U-verse dhe Verizon FiOS janë të parët për përmbajtje HD. Nëse banoni në zonat e tyre të mbulimit, këto kompani me fibra optike janë zgjedhje të shkëlqyera. Ato shpërndajnë shërbime të internetit dhe telefonisë me shpejtësi të lartë, së bashku me një paketë kanalesh HD. Cilësia e imazhit është më e mirë se ajo me kabllo apo satelit – këto kompani kanë kaq shumë gjerësi brezi sa nuk kanë nevojë të kompresojnë shumë sinjalin HD.

Shiko HD tokësore falas
Mund të shqyrtoni gjithashtu mundësinë për ta prishur kontratën me kompaninë tuaj televizive. Transmetimet tokësore HD  falas e bëjnë këtë të mundur – dhe të gjithë HDTV-të e shitur që prej marsit 2007 kanë marrës dixhital të integruar. Vetëm instaloni një antenë për të marrë programe me pastërti sipërore, pa ‘dëborën’ apo interferencën e analogut. Sinjalet tokësore HD janë zakonisht më të mira se ato kabllore apo satelitore sepse këto të fundit duhet të rikompresohen për të hyrë në brezin e caktuar të kompanisë.

Tek AntennaWeb.org ju mund të shikoni se cilët kanale dixhitale mund të merrni dhe çfarë lloj antene do ju nevojitet. (Mund të mos jeni në gjendje të merrni të gjitha rrjetet në vendndodhjen tuaj.) Jo të gjitha kanalet do jenë HD apo mund të jenë HD vetëm për programe të caktuara. Pjesa më e madhe e TV-së dixhitale është ende 480i. TitanTV.com ka një listë me një guidë të shpejtë që ju udhëzon se cilat programe janë në format HD.
Nuk do të gjeni asnjë kanal kabllor – si Comedy Channel, ESPN apo MTV – në rrugë tokësore. Sidoqoftë, shumë prej këtyre kanaleve mundësojnë transmetime online të disa programeve të cilat mund t’i kaloni në TV-në tuaj prej PC-së apo paketave dixhitale.

Instaloni një DVR falas
Nuk ju duhet të mbeteni pa një DVR në rast se doni të përdorni dhe kanale tokësore. Si TiVo HD ashtu dhe PC-të Windows Media Center mund të regjistrojnë programe jotokësore dhe me një PC nuk do ju duhet as të paguani faturën prej 13$ në muaj në TiVo (nëse nuk ju duhet transmetimi Netflix dhe Amazon i TiVo). Kërkoni në find.pcworld.com/63385 për një guidë se si të përdorni një marrës USB për të kthyer kompjuterin tuaj në një DVR HD pa pagesë.

LIDHNI HDTV-NË
Tani keni detyrën të lidhni të gjitha pjesët së bashku. Do ju tregojmë se si të gjeni fishat më të mira HDMI për setin tuaj, si të siguroni që fijet të mos pushtojnë dhomën tuaj të ndenjës dhe si të zgjidhni pultin më të mirë universal për të menaxhuar kinemanë tuaj të re të shtëpisë.

Lidhja me HDMI
Për cilësinë më të mirë të imazhit, duhet të lidhni të gjitha burimet HD nëpërmjet HDMI-së. (Me disa komponentë të vjetër mund të përdorni një konvertues HDMI të lidhur në një port DVI, së bashku me një kabllo të veçantë audio, duke qenë se DVI-ja mbart vetëm sinjalin video.) Megjithatë, burimet shumëfishe HDMI mund t’i ngarkojnë së tepërmi portet e disponueshme HDMI në TV-në tuaj, pjesa më e madhe e HDTV-ve të sotme kanë tri hyrje të tilla.

Për të kapërcyer këtë kufizim mund të përdorni një kuti të jashtme HDMI, si ato nga Gefen, Iogear dhe OPPO apo një marrës AV. Nëse do të shtoni një sistem audio surround-sound (siç është mirë të bëni), një marrës AV është zgjidhja më logjike. Nëse gjithçka ju duhet është një switch për të menaxhuar hyrjet shumëfishe, zgjidhni një që të mbështesë versionin e fundit të HDMI. Në kohën e këtij shkrimi, standardi i fundit është HDMI 1.3 a Cat 2, i cili garanton mbështetjen për formatet audio Dolby TrueHD dhe DTSHD Master Audio bitstream të disqeve Blu-ray si dhe opsionet për ngjyrat më të thella të HDTV-ve më të reja.
Megjithatë, së shpejti pritet një standard i ri, HDMI 1.4; kërkoni për produkte HDMI 1.4 kur ato të fillojnë të shfaqen nga fundi i këtij viti. Ky standard shton mbështetje për opsione të reja madhore si Digital Cinema me rezolucion 4Kx2K; një kanal ethernet prej 100 megabit për sekondë midis pajisjeve të lidhura me HDMI; një kanal të rikthimit të audios; specifikime të zgjeruara të ngjyrës dhe 3D. Të qenët gati për HDMI 1.4 do ju ndihmojë të siguroni sistemin tuaj për të ardhmen. Sidoqoftë, është e rëndësishme të kontrolloni numrin e versionit në fishat HDMI – kjo nuk është e specifikuar gjithmonë qartë dhe nuk do keni avantazhet e standardit nëse lidhni pajisje HDMI 1.3 me fisha HDMI 1.2.

Nëse akoma keni burime video të cilave u mungon dalja HDMI, si VCR apo konsole të vjetra lojërash, përdorni kabllon me cilësi më të lartë që mund të keni në dispozicion. Për shembull, disa burime video analoge mund të jenë lidhur me TV-në tuaj nëpërmjet fishave kompozite. Në sistemin tuaj të ri kaloni në S-video apo lidhje komponent nëse është e mundur. Në rend preferencial, lidhjet video janë renditur si më poshtë: HDMI, DVI, komponent RGB, S-Video dhe kompozite.

Zgjidhni fishat e duhura
Fishat e shtrenjtë nuk ju japin domosdoshmërisht një cilësi më të mirë imazhi. Kontrolloni sistemin tuaj për të përcaktuar se çfarë fishash ju duhen për të lidhur komponentët në rezolucionin dhe opsionet maksimale të mundshme. Më pas shkoni online dhe blijeni; do të paguani vetëm një pjesë të vogël të çmimit të dyqanit. Pa dyshim, zgjedhja jonë parësore për faqe të tilla është MonoPrice.com, që shet komponentë të cilësisë së parë me çmime relativisht qesharake. Për më tepër, ky tregtues online ofron një varietet të gjerë gjatësish dhe ngjyrash. Kur të blini fishat HDMI, fokusohuni tek ato të shpejtësisë së lartë HDMI 1.3a Cat 2, të paktën derisa fishat HDMI 1.4 të jenë të disponueshme.

Zotëroni fijet
Blerja e fishave me gjatësinë e duhur është hapi i parë për të kontrolluar masën në rritje të fijeve prapa kinemasë suaj të shtëpisë, por ka më tepër. Për të kaluar fishat e rrjetit, të bokseve apo kabllot koaksiale nëpër kanalina dhe shina fotografish, përpiquni të përdorni sisteme që mundësojnë lyerjen si Wiremold CordMate, të cilat mund të integrohen në dekorin tuaj. Techflex sleeving mund të përmbledhë të gjitha fijet që dalin nga pas sistemit tuaj dhe pllakat e vjetra me rripa fiksuese mund të bëjnë mrekulli për të mbajtur kabllot tuaja në vend.

Për më tepër, është mirë t’i etiketoni të dyja anët e të gjitha prizave apo konektorëve të sistemit tuaj në mënyrë që t’i dalloni sa më mirë dhe të mund t’i rilidhni shpejt. Etiketat tona të preferuara për këtë punë janë ato të paketës 60-she të Hosa Technology (për rreth 12$) apo pako prej 50 copësh e Kableflags, të cilat janë shumëpërdorimëshe dhe shiten për rreth 25$.

Sillni rrjetin te kinemaja juaj e shtëpisë
Pothuajse të gjithë komponentët e sotëm të një kinemaje shtëpie mund të lidhen me rrjetin, përfshirë luajtësit Blu-ray, DRV-të, marrësit audio vizualë, konsolet e lojërave, luajtësit e mediave dhe Slingbox-et – si dhe shumë sete TV në vetvete. Disa nga këto pajisje mund të kenë konektivitet wireless, por rekomandimi ynë është që të bëni një rrjet kabllor për kinemanë tuaj të shtëpisë. Shumë pajisje që konkurrojnë për brezin wireless janë një recetë për performancë të ulët, edhe me 802.11n, nuk ka gjë më të keqe se të shikosh një film që ndërpritet dhe vazhdon për shkak të luhatjes së sinjalit.
Një kabllo etherneti që del nga router-i juaj drejt një switch-i me pesë apo tetë porta në kinemanë tuaj të shtëpisë mund të lidhë të gjitha pajisjet. Gjithashtu fisha petashuqe rrjeti janë të disponueshme për të minimizuar dëmet e mureve tuaja. Lidhja në rrjet nëpërmjet sistemit elektrik është një tjetër ide e mirë.
Diferenca më e madhe midis ethernetit dhe rrjetit elektrik është brezi. Me rrjetin elektrik do të shpërndani rreth 100 mbps drejt pajisjeve tuaja, krahasuar me 1000 mbps të ethernetit. Zgjedhja varet nga fakti se sa veprime rrjeti prisni të ndodhin njëkohësisht. Nëse prisni të shkarkoni torrente drejt serverit tuaj ndërkohë që po transmetoni nga Slingboxi apo po shikoni një film të marrë nga Netflix, investoni tek etherneti.
Shpëtojini ferrit të pulteve të komandimit
Pasi keni instaluar TV-në, paketën kabllore, DVR-në, DVD-në apo luajtësin Blu-ray, marrësin AV dhe luajtësin multimetial (plus VCR-në e vjetër), mund të përfundoni me një numër spektakolar pultesh komandimi. Pjesa më e madhe e seteve TV me panel të sheshtë kanë pulte komandimi universale mjaft të mira, të cilat mund t’i programoni për komandimin bazik të pajisjeve tuaja; por funksionaliteti i tyre mund të jetë i kufizuar dhe patjetër që do ju duhen shumë tentativa për të regjistruar të gjitha komandat.

Fatmirësisht, një pult i vetëm mundet vërtet t’i udhëheqë të gjitha periferiket tuaja: Logitech Harmony One. Ky është standardi i artë i pulteve universale, me një kombinim të mahnitshëm të touchscreenit dhe butonave, të gjitha të programueshme nga PC-ja juaj. Por ka gjithsesi dhe shumë opsione të tjera më pak të kushtueshme. Një strategji e mirë është të mbani pultin origjinal për pajisjen që përdorni më shumë, si DVR-ja, dhe të programoni një universal për të gjitha pajisjet e tjera.
Në fund, nëse zgjidhni t’i fshihni të gjitha në një dollap, shtoni një përsëritës infrared si Salamander Chameleon Kit, për të marrë sinjalet nga pultet tuaja dhe t’i transmetojë ato drejt pajisjeve.

PERMIRËSONI IMAZHIN DHE TINGULLIN
HDTV-ja juaj është e instaluar dhe e lidhur, por ju mbeten akoma disa veprime për të kryer, si kalibrimi i setit tuaj për cilësinë optimale të figurës. Dhe duhet t’i vendosni bokset tuaja mirë në mënyrë që të merrni audio përfshirëse me cilësi të lartë. Këshillat e mëposhtme do ju udhëheqin në këta hapa finalë për kinemanë tuaj.

Kalibroni imazhin
Opsionet e duhura të ngjyrës, kontrastit dhe ndriçimit mund të variojnë shumë në varësi të ambientit tuaj; ato gjithashtu varen nga burimet si filmat në DVD, lojërat apo TV-ja. Përdorimi i imazheve të standardizuara të testimit mund t’ju ndihmojë në këtë punë.
Për kalibrim të shpejtë e të thjeshtë ”falas” mund të përdorni pak a shumë çdo disk me një film të regjistruar në audio THX. Disqet DVD dhe Blu-ray THX kanë mjete kalibrimi në seksionin e instalimit. Thjeshtë klikoni tek THX Optimizer dhe ndiqni instruksionet në ekran. Përpara se të filloni çdo lloj kalibrimi, rregulloni ndriçimin e dhomës në nivelet normale të shikimit; ulni mprehtësinë e ekranit në normalitet  dhe sigurohuni që temperatura e ekranit është vendosur në 6500 gradë Kelvin (standardi video, gjithashtu i njohur si D65). Për shembull në TV-të plazma të Panasonic, ‘Warm’ është opsioni më i përafërt.
Për kalibrim të nivelit profesional, merrni një konsulent (kalibrimi profesional i BestBuy kushton rreth 300$; konsulentë të pavarur AV mund të gjenden online), ose bëjeni vetë me një disk të specializuar si ai i Joe Kane, Digital Video Essentials (DVE). DVE është i disponueshëm si në version DVD ashtu dhe Blu-ray. Merrni të dytën nëse keni një luajtës Blu-ray sepse përfshin rreshtimet 1080p dhe 720p. Të dyja variantet pajisen me një seri filtrash të kuq, të gjelbër dhe blu, të cilët mund t’i aplikoni në ekran për të bërë korrigjimet e ngjyrës, të cilat janë të vështira të bëhen me sy të lirë.

Eliminoni turbullimin
Pjesa më e madhe e seteve 120Hz apo 240Hz të HDTV-ve LCD premtojnë të përdorin rifreskimin e tyre të shpejtë për të eliminuar turbullirën e lëvizjeve që ndodh në shpejtësitë normale të rifreskimit 60 Hz. Teknologji të tilla të qartësimit quhen sipas rastit Motion Flow (Sony), Motion Picture Pro3 (Panasonic), Movie Plus (Samsung), dhe TruD (Sharp), por të gjitha këto metoda në parim fusin imazhe të ndërmjetme për të reduktuar turbullimin e lëvizjeve.
Disa persona e pëlqejnë efektin, i cili prodhon imazhe të pastra dhe të qëndrueshme. Dikush tjetër e urren, duke thënë se duket jonatyral, sidomos në rastin e filmave; shpejtësia natyrale e rifreskimit më e ulët se normalja i jep filmave një ndjesi të veçantë të ndryshme nga videot. Kështu që mund të preferoni të çaktivizoni apo të ulni pastrimin e figurës për filmat dhe ta mbani atë të aktivizuar për videot. Eksperimentoni me pastrimin e figurës me burime të ndryshme për të përcaktuar atë që duket më mirë për ju. 

Shikoni çdo piksel
Edhe nëse TV-ja juaj ka një rezolucion të natyrshëm prej 1920 me 1080, mund të mos shikoni çdo piksel të një filmi Blu-ray.  Shumë HDTV përdorin overscan, çka do të thotë se pajisja në fillim e zmadhon paksa imazhin origjinal (zakonisht 2 deri në 10 për qind) dhe më pas e pret pjesën e ‘tepërt’. Overscan ndihmon në eliminimin e papastërtive të brinjëve për rezolucionin standard por është i keq për sinjalet true HD, duke reduktuar rezolucionin dhe shtuar artifakte interpolimi.
Nëse titujt e lajmeve janë lehtësisht të prera, atëherë ka shumë mundësi të keni overscan-in të aktivizuar. Kontrolloni manualin tuaj për të gjetur një mod që duhet Zero-overscan, Full Pixel, 1:1 Pixel, Pixel for Pixel, ose Dot by Dot. Gjithashtu përdorni këtë opsion kur burimi juaj është kompjuteri; përndryshe, shkrimet e vogla mund të dalin të deformuara dhe të palexueshme. Vendosni rezolucionin në dalje të kompjuterit tuaj që të përputhet me atë të TV-së suaj.

Investoni në surround sound
Vetëm pyesni George Lucas (i cili ndihmoi në promovimin e THX): Asgjë nuk do ta përmirësojë eksperiencën tuaj të të shikuarit HD më shumë se tingulli cilësor.
Gjëja e rëndësishme këtu është të merrni bokse të veçanta në vend që të mjaftoheni me ato të trupëzuara në TV-në tuaj. Me panelet e sheshta që hollohen vazhdimisht dhe kornizat që bëhen më të vogla, pjesa më e madhe e HDTV-ve nuk kanë vend për asgjë më tepër përveç një sistemi audio rudimental. Nëse nuk ju pëlqen ideja për të shtrirë fije të tjera për të instaluar një sistem surround-sound, provoni një sound bar, një sistem i gjatë dhe horizontal boksesh i cili jep efektin surround sound me një lidhje të vetme (ose dy nëse shtoni një subwoofer). Sound bar-et janë të mrekullueshme për dhoma të vogla dhe mund të blihen për 200$. Nëse jeni më ambicioz dhe doni të instaloni diçka si surround sound me 5.1 apo 7.1 kanale, vazhdoni leximin.
Zgjidhni marrësin e duhur AV
Përveçse në rastin kur blini një kinema shtëpie në kuti – një paketë që përshin bokset dhe një marrës (dhe shpesh një luajtës DVD apo Blu-ray) në një sistem të vetëm të integruar – do ju duhet të merrni një marrës AV për të dekoduar tingullin dhe për të furnizuar bokset. Surround sound vjen në një larmi opsionesh nga kompani si Dolby, DTS, and THX. Pajisja juaj DVD ose Blu-ray do listojnë opsionet e mundshme për çdo film; zakonisht ka më shumë se një të disponueshëm. Më të rëndësishmit janë legjendari 5.1-channel Dolby Digital (i pranishëm në pjesën më të madhe të DVD-ve) dhe formatet e enkodimit audio për Blu-ray, lossless 7.1-channel Dolby TrueHD e DTSHD Master Audio
Do të doni një marrës që të dekodojë të gjitha këto formate (përveç rastit kur luajtësi juaj Blu-ray ka një dekodues lossless – pa humbje- të integruar), që të ketë fuqi të mjaftueshme për të furnizuar bokset e përshtatshme për dhomën tuaj dhe hyrje HDMI dhe të formateve të tjera të mjaftueshme për të gjitha pajisjet tuaja. Duhet gjithashtu të disponojë zmadhim në 1080p për burimet analoge në HD si dhe të ketë dalje HDMI. Tipare të tjera, si suporti për dhoma shumëfishe, janë opsionale. Onkyo, Pioneer dhe Sony kanë marrës të shkëlqyer të përshtatshëm për çdo buxhet.

Vendosni saktë bokset tuaja
Për një sistem me 5.1 kanale duhet ta vendosni kanalin e mesit pikërisht në qendër, nën TV-në tuaj me kanalet e majta dhe të djathta në anën përkatëse të ekranit dhe dy bokset surround në secilën anë të zonës së uljes, në nivelin e veshit. Mund ta poziciononi subwoofer-in kudo në këtë fushë zëri, megjithëse zakonisht do ta vendosni pranë kanalit të mesit për thjeshtësi të manaxhimit të fishave, në mënyrë që fijet e gjata të kalojnë vetëm tek kanalet surround. Për një instalim me 7.1 kanale, vendosni dy bokse të tjera prapa zonës së uljes. Vende të mira për të fshehur fijet e tyre mund të jenë përgjatë apo prapa tavolinave apo mbi kornizat e fotove.
Pasi të keni vendosur bokset dhe t’i keni lidhur ato me marrësin tuaj, duhet të kaloni rutinën e instalimit dhe kalibrimit të bokseve të marrësit. (THX Optimizer i përmendur më lart përfshin teste të instalimit të surround sound). Kjo përfshin vendosjen e një mikrofoni në pjesë të ndryshme të dhomës, i cili i çon feedback marrësit, që ky i fundit të korrigjojë çdo mosbalancim në fushën e zërit dhe të vendosi frekuencën crossover për subwoofer-in. Testi mundet gjithashtu të përfshijë një kontroll për të parë nëse i keni lidhur të gjitha bokset në fazë.
Nuk keni nevojë për bokse 7.1 për të shijuar formate Blu-ray Dolby TrueHD dhe DTS-HD Master Audio. Të dy lejojnë luajtje me 5.1 kanale duke injoruar apo kombinuar dy kanalet shtesë.

Fiksoni bokset e pasme
Nëse nuk doni të merreni me fishat, përdorni një sound bar apo merrni bokse wireless surround sound. Shumë kinema të reja shtëpie, përfshirë ato të Panasonic dhe Sony përfshijnë bokse wireless dhe mund të ktheni pothuajse çdo sistem surround sound me fije në wireless me ndihmën e një kompleti transmetues (një nga RocketFish kushton 100$). Por për rezultat më të mirë, përpiquni t’i lidhni me fije bokset tuaja surround sound. Fije të sheshta dhe që mundësojnë lyerjen si Invisible Wire të DeCorp fshehin gjithçka.

TRANSMETONI VIDEO HD NGA PC-JA DHE BURIME TË TJERA

Me kaq shumë site falas për video online, nga Hulu tek Joost e deri tek ato sportive si ESPN360, pa përmendur youtube, PC-ja juaj mund të jetë një burim i shkëlqyer për programe HD. Për të parë video nga PC-ja në ekranin e madh, gjithçka që duhet të bëni është të lidhni kompjuterin tuaj me TV-në. Shumë PC të reja, si desktopë dhe laptopë, kanë dalje HDMI, kështu që mund t’i lidhni drejtpërdrejt me TV-në tuaj, nëse PC-ja është pranë.
Përdorni një kuti media player
Nëse një lidhje e tillë nuk është e mundur, një kuti media player do të marrë videot (si dhe audion dhe fotot) nga PC-ja juaj nëpërmjet rrjetit të shtëpisë dhe do ta shpërndajë drejt TV-së me HDMI. Apple TV është një zgjidhje e tillë, e cila transmeton çdo video që keni në iTunes si dhe YouTube apo Hulu, nëse instaloni shtesën Boxee për Apple TV. Media playeri im i preferuar është Netgear Digital Entertainer Elite,  i cili mund të luajë pothuajse çdo video në PC-në tuaj, të shkarkojë video BitTorrent direkt në hard diskun e integruar dhe të aksesorë filmat Netflix Instant duke përdorur programin e Play On për PC.
 
Pajisuni me një konsolë loje High Definition
Nëse zotëroni një Sony Playstation 3 apo një Microsoft Xbox 360 Elite, atëherë keni një konsolë HD. Sidoqoftë, duhet të ndërroni kabllot SD me HDMI për të parë pikselët e tjerë në lojëra si Halo 3. Playstëtion 3, me luajtësin Blu-ray të integruar funksionon gjithashtu si luajtës filmash HD ndërsa Xbox 360 Elite mund të përdoret si luajtës zmadhues për DVD.
Nëse merreni më këtë, sigurohuni të vendosni rezolucionin e daljes së videos nga konsoli në 720p apo 1080p. Playstation 3 ka një opsion të dytë për luajtje të filmit blu-ray me 24 Hz, ku mund të zgjidhni mes Automatic, On dhe Off.  Nëse keni një TV të aftë për të luajtur video 1080p me 24 Hz, opsioni duhet të vendoset në On. Duhet të përdorni HDMI dhe ta specifikoni këtë në opsionet e ndryshme të ekranit të Playstation 3 të kjo të funksionojë.
Zotëruesit e Nintendo Wii janë pa fat, sepse Wii-ja nxjerr vetëm video me 480p, cilësi më e lartë se SD por jo full HD. (Megjithatë, marrësi juaj AV apo TV-ja mund të zmadhojnë imazhin). Zotëruesit e Xbox-it origjinal e kanë më mirë. Ndërkohë që ata nuk kanë dalje HDMI, ata mund të marrin video 1080i nëpërmjet fishave komponentë që mbartin video HD analoge.
 
Optimizoni videot e Netflix, Amazon dhe iTunes për HDTV
Për të pasur rezultate maksimale ndërkohë që shikoni video nga burime si Netflix Instant, Amazon Unbox, dhe iTunes, ndiqni tri rregulla elementare. Së pari sigurohuni që pajisja juaj burim (Apple TV, Roku box, TiVo, Xbox, PC e kështu me radhë) është vendosur për të nxjerrë rezolucionin maksimal të mbështetur nga TV-ja juaj, si 720p, 1080i ose 1080p, dhe që të jetë e lidhur mundësisht nëpërmjet HDMI-së.
Së dyti, për burime kompjuterike vendosni raportin 1:1 të pikselëve në TV-në tuaj, (zakonisht i quajtur PC mode, Full Pixel, Pixel for Pixel, apo diçka e tillë), dhe sigurohuni që PC-ja juaj nxjerr video në rezolucionin e natyrshëm të HDTV-së tuaj, si 1920 me 1080 për shumicën e ekraneve 1080p apo 1366 me 768 për shumë plazma 720p. Kjo vendosje do të sigurojë që zmadhimi të mos deformojë pikselët.
Së fundmi, për të gjitha llojet e burimeve, sigurohuni që të keni një lidhje mjaft solide interneti. Nëse lidhja juaj wireless nuk është në lartësinë e duhur, do ta kuptoni shpejt këtë nga shkëputjet dhe ngrirjet në videot. Në këtë rast, zgjidhja është të kaloni në një rrjet me fije si ethernet, linjë elektrike apo koaksial.

Lajmet e fundit>