Ja se si

Si të përmirësoni faqen e kompanisë suaj në Facebook

Apr 6 2011
0 Shpërndarje
Si të përmirësoni faqen e kompanisë suaj në Facebook

Këto faqe që u përmenden janë faqe të një kompanie/institucioni zyrtar që vepron në Kosovë dhe që shfrytëzon rrjetet sociale për të komunikuar më afër me përcjellësit e tyre. Por elementet kryesore që i bashkojnë të gjitha janë numri i përcjellësve (sa likes ka një faqe) dhe serioziteti i një postimi. Një raport nga Buddy Media, që ka mbledhur të dhëna të mbi 200 faqeve të klientëve të saj, ka shfaqur disa elemente shumë interesante dhe të rëndësishme që përcaktojnë suksesin e një postimi në Facebook. Studimi i bërë nga kjo kompani për media marketing ka theksuar se rëndësi të madhe sesa vet numri i vëzhguesve ka postimi, dhe ora kur postohet ai. Në fakt sipas studimit orari më i keq për një postim është orari kur njerëzit janë në orar të punës.

“Gjersa punëtorët janë në zyre prej të Hënës deri të Premten, Facebook është 24 orë aktiv në ditë, shtatë ditë të javës” tha CEO i Buddy Media, Michael Lazerow. Dhe si rezultat i kësaj ai ka shtuar se faqet e kompanive në Facebook duhet të adaptojnë orarin e publikimit të postimeve në mënyrë që të përshtatin qasjen e tyre.

Rezultatet e studimit

Studimi ka gjetur se qasja ditore në Facebook koncentrohet në tri pika: herët në mëngjes (7:00 për të qenë më saktë), pas orarit të punës (17:00) dhe vonë gjatë mbrëmjes (11:00). Duke u nisur nga kjo, i bie që nëse postoni gjatë orarit të punës ju do të humbisni mundësi kyçe për të angazhuar vëzhguesit jashtë orarit të punës.

Koha e mirë e postimit në Facebook varet gjithashtu edhe nga dita kur bëhet postimi. Të enjten dhe të premten sipas studimit bëhet rreth 18% më shumë aktivitet në rrjete sociale sesa në ditët tjera të javës, duke sugjeruar se Facebook është një matëse që tregon edhe kohën kur njerëzit po bëhen gati për vikend dhe për tu larguar nga zyra. Por mos filloni menjëherë t’i gjuani të gjitha postimet në të enjten dhe premten – studimi gjithashtu ka gjetur edhe disa mostra dhe trende interesante që janë unike për disa industri të caktuara. Para se të kalojmë tek to është e rëndësishme të theksohet se pavarësisht që studimi është kryer në tregjet tjera të botës, ka rëndësi edhe për tregjet tona, mu për shkakun e rëndësisë së kohës së postimit. Zakonisht brenda ditës ose gjatë orarit të punës, rrjetet sociale në Kosovë pësojnë një rënie të shfrytëzimit, por pas orarit të punës vërehet një rritje e shfrytëzimit të tyre dhe një trend i më shumë pëlqimeve në postime.

Të kthemi në listën e industrive ku varësisht nga dedikimi i biznesit tuaj është mirë t’i keni parsysh sugjerimet nga studimi.

Argëtimi: Ditët më të rëndësishme të kësaj industrie janë dita e premte, e shtunë dhe e diell, mu për shkakun se gjatë këtyre ditëve njerëzit tentojnë të shikojnë një film apo të shkojnë në ndonjë koncert apo party. Faqet e disa prej klubeve më në emër në Prishtinë si Flirt Club apo Duplex apo faqet e mediumeve të dedikuara për pjesë tjera të industrisë së argëtimit (si IPKO me faqen e saj zyrtare IPKO Rreth im me të cilën po implementon forma shumë inovative të bashkëveprimit me fansa në Facebook, dhe po organizon lojëra të ndryshme argëtuese), duhet ta kenë parasysh këtë sugjerim: postoni më shumë gjatë vikendeve

Media: Këtu jemi edhe ne si PCWorld Albanian. Studimi ka theksuar se gjatë vikendeve qasja në faqe të mediumeve është e lartë, por të hënën kjo qasje bie dukshëm. SI këshillë thuhet të evitohet dita e hënë e shpërndarjes së postimeve në Facebook… ndoshta kjo është arsyeja edhe pse PCWorld Albanian dërgon buletinin javor çdo të martë të javës gjegjëse…

Auto: Faqet e kompanive automobilistike në Kosovë si Baki apo Ford Kosova Motors, kanë në fakt një aktivitet të ultë të bashkëpunimit në rrjetet sociale. Megjithatë studimi thotë se faqet e kësaj natyre duhet të shfrytëzojnë në maksimum ditën e diel… siç po shihet organizimi i tregut të automjeteve çdo të diel në Fushë Kosovë nuk është “rastësi”…

Biznes dhe Financa: Ky sektor arrin kulmin të mërkurën dhe të enjten, megjithatë kjo industri ka tendenca për tu shpërndarë me postime gjatë tërë javës. Këtu faqet e institucioneve financiare si Raiffeisen Bank apo ProCredit Bank duhet të kenë vëmendje: Postoni më shumë të mërkurave…

Tregti: Nuk ka ndonjë çudi këtu: E diela si në tregjet e botës është ditë me rëndësi për tregti edhe në Kosovë. Por për çudi vetëm 5% e postimeve nga faqet e këtij sektori publikohen të dielën. Sugjerimi: Postoni të dielave.

Sport: Jo çuditërisht, veçanërisht gjatë sezonit të futbollit e diela është mbretëresha e këtij sporti, pra për faqet e kompanive sportive dhe të ekipeve sportive. Sugjerimi për portale si Telegrafi.com apo koha.net, që përcjellin sportin: Postoni më shumë gjatë vikendit, veçanërisht të dieleve.

Udhëtim: Shkalla më e lartë arrihet të enjteve dhe të premteve, ditë kur njerëzit e lodhur nga puna po shikojnë për mundësi pushimi dhe relaksim jashtë ambienteve të zyrës. Sugjerim për faqet që merren me këtë sektor: Bëni sytë katër gjatë fundit të javës.

Edhe pse ndoshta këto trende mund të dallojnë në varësi të vendet dhe të industrive, megjithatë janë rezultate të besueshme dhe të bazuara në trendet e shfrytëzimit të rrjeteve sociale nga kompanitë dhe përdoruesit.

Bini trup!

Të dhënat nga studimi sugjerojnë se gjatësia e postimit mund të përcaktojë bashkëveprimin e përdoruesve në të njëjtin nivel të rëndësisë sikurse me kohën kur bëhet postimi. Sugjerimi përfundimtar: Mbani postimet të shkurtra dhe të ëmbla. Postimet me më pak se 80 karaktere kanë fituar 27% më shumë bashkëveprim sesa ato që kishin më shumë se 80 karatere. Megjithatë shkurtësia është larg të qenit praktik e zakonshme – vetëm 19% e postiemve në shutim ishin më pak të shkurtra se 80 karatere.

Kërkoni angazhim

Nëse po kërkoni më shumë Likes (pëlqime) në një postim, atëherë e tëra që duhet të bëni është të kërkoni diçka të tillë. Sipas këshillimeve duhet  të shkohet në formën: “Na pëlqeni nëse…” të cilat janë shumë efektive në rast se kërkoni të pëlqehet një postim me një shpjegim të gjatë se pse ju duhet të “pëlqeni” diçka. Mos harroni se një Like kërkon vetëm një klikim dhe ai “like” më pas dërgohet edhe tek faqja e atij përdoruesi që ka bërë Like, kështu që mos u frikësoni ta kërkoni këtë.

E njëjta sipas Mashable vlen edhe për komentet – thëniet si “posto”, “komento” apo “na thoni” motivon fansat e faqeve për të bashkëvepruar. Nëse po kërkoni përgjigje, vendosni një “ku” apo “kur” apo “a do të “ në fund të secilit postim – dhe ju do të përfitoni 15% më shumë bashkëveprim prej përdoruesve nëse po bëni pyetje.

Këshilla për kompani të vogla
Studimi që është diskutuar shtruar nga Lauren Drell prej Mashable, është i dedikuar për biznese më të mëdha por sipas autorit është me rëndësi që bizneset e vogla të shfrytëzojnë praktikat më të mira prej kësaj, dhe të mos harrojnë se hapësira e marketingut po evoluon vazhdimisht, kështu që statistikat mund të ndryshojnë brenda muajve.

E për fund do t’ju pyesim edhe ne: Çfarë teknika të bashkëpunimit shfrytëzoni me fansat e faqes suaj në Facebook? Na thoni këtë në hapësirën e komenteve më poshtë. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>