Lajmet

Si të siguroni e-mailin tuaj dhe të shmangni fatin e gjeneralit Petraeus

Nov 21 2012
0 Shpërndarje
Si të siguroni e-mailin tuaj dhe të shmangni fatin e gjeneralit Petraeus

Ishte me të vërtetë befasuese dorëheqja e gjeneralit David Petraeus, një ushtarak shumë i dekoruar në ushtrinë amerikane, nga posti i tij si drejtor i CIA-s javën që shkoi.

Por befasia më e madhe ishte kur mësuam se dorëheqja e tij erdhi për shkak të një lidhjeje jashtëmartesore. Ajo që na tërheq vëmendjen është se kjo lidhje u zbulua vetëm për shkak të kujdesit të pamjaftueshëm për sigurinë dhe privatësinë e e-mailit. Së pari le të bëjmë një përmbledhje të shkurtër se si nisën gjërat.

Lidhja mes David Petraeus dhe biografes së tij, Paula Broadwell, duket si një seri e “Homeland” ose ndoshta një komplot i filmave të agjentit 007, por ngjarjet çuan te një hetim i FBI-së, i cili zbuloi pak më shumë sesa thjesht “Tërheqjen Fatale” mes protagonistëve. Broadwell i dërgoi e-maile anonime kërcënuese një tjetër gruaje, të cilën e konsideronte si rivale për joshjen e Petraeus, por ishte kjo grua e cila i dha jetë hetimit që e bëri publike këtë ngjarje dhe më pas solli edhe dorëheqjen dhe tatëpjetën e njërit prej gjeneralëve më të shquar amerikanë të kohëve moderne.

Këtu nuk po ju “mësojmë” se si të krijoni një lidhje jashtëmartesore apo se si të fshihni punët tuaja të paligjshme, por le t’i hedhim një sy se ku gabuan Petraeus dhe Broadwell, që të arrijmë të kuptojmë se si të mbrohemi më mirë në përgjithësi dhe si ta bëjmë të sigurt e-mailin e të ruajmë privatësinë tonë online.

Fshihni IP-në tuaj

Broadwell kujtonte se ishte e zgjuar kur dërgonte e-maile nga disa adresa anonime të Gmail nga disa vende të ndryshme në udhëtim e sipër. Por ajo nuk kishte fshehur IP-në e saj. IP-ja juaj është ekuivalente me shenjat tuaja të gishtërinjve.

Në rastin e Petraeus, e-maili që ai dhe Broadwell përdornin ishte anonim, por FBI-ja qe në gjendje të zbulonte se burimi i e-maileve ishte në hotele. Agjentët e FBI-së e krahasuan listën e klientëve të disa hoteleve dhe e ngushtuan rrethin e të dyshuarve, duke shkuar në rezultatin se e dyshuara e vetme ishte Paula Broadwell. Të gjithë shfletuesit kryesorë të uebit kanë një lloj opsioni privat, i cili megjithatë nuk e fsheh IP-në tuaj, thjesht nuk lejon që shfletuesi të ruajë të dhënat nga historia juaj e shfletimit në ueb. Që të fshihni IP-në, ju duhet të lidheni me VPN si për shembull Anonymizer Universal. Por mos harroni se edhe ofruesi i VPN-së do të ruajë burimin e vërtetë të IP-së, që mund t’i dorëzohet autoriteteve me kërkesën e qeverisë.

Përdorni shërbime të ndryshme e-maili

Hetimi për e-mailet kërcënuese mund të mos kishte çuar në pistën “Petraeus” dhe lidhja e tij jashtëmartesore mund të mos ishte zbuluar, por FBI-ja zbuloi se dikush që kishte përdorur këtë IP të dyshimtë kishte akses edhe te një tjetër llogari e-maili, e cila i përkiste drejtorit të CIA-s.

Gjenerali Petraeus dhe Paula Broadwell në fakt nuk i nisnin e-maile njëri-tjetrit: ata përdornin një hile nga “manuali i terroristëve” dhe thjesht shkruanin mesazhe të cilat liheshin si drafte në një adresë e-maili që i përkiste gjeneralit Petraeus dhe pastaj futeshin tek e njëjta adresë e-maili dhe përgjigjeshin.

Nëse doni të qëndroni anonimë dhe të shmangni që dikush të bëjë lidhjen mes gjurmëve që do ta çonin te ju, duhet të përdorni ofrues të ndryshëm e-maili.

Edhe pse kërkon më shumë punë, prapë do të ishte e mundur të përcaktohej aktiviteti i plotë i një IP-je, nuk do të ishte e lehtë të zbulohej menjëherë, si në këtë rast.

Mos i lini mesazhet tuaja online

Petareus dhe Broadwell do të kenë pasur arsyet e tyre përse përdornin drafte sekrete në vend të e-maileve. Ndoshta ata mendonin se mesazhet e e-maileve nuk mund të zbuloheshin ose gjurmoheshin nëse nuk dërgoheshin. Kjo është pjesërisht e vërtetë, por kjo do të thotë se ato ruhen online, pak a shumë në mënyrë permanente, duke dhënë mundësinë që të shihen edhe më pas.

Ndonëse është e vërtetë që mesazhet mund të kapen kur dërgohen, do të ishte më e sigurt nëse do t’i shkarkonit e-mailet në një klient lokal e-mailesh dhe t’i largonit nga serveri. Të paktën kështu duhet të kujdeseni që të mbroni vetëm PC-në tuaj dhe nuk duhet të merakoseni aq shumë për ndonjë thyerje të sigurisë së serverit të e-mailit ose të ofruesit të shërbimit të e-mailit.

Ndoshta mund të mos jeni një oficer i dekoruar apo ndonjë qeveritar i lartë, ndoshta nuk jeni as biografi i dikujt. Por kjo lidhje jashtëmartesore është një ilustrim i qartë se sa e lehtë është që të gjurmoni gjurmët e dikujt online dhe të zbuloni informacione që synoheshin të mbaheshin sekret.

Sigurohuni që t’i ndiqni këto këshilla që të mos bini edhe ju viktimë! (PCWorld Albanian)

Tags >

privatesi
Lajmet e fundit>