Ja se si

Si të zgjasni në maksimum jetën e baterisë në udhëtim

Dec 9 2012
0 Shpërndarje
Si të zgjasni në maksimum jetën e baterisë në udhëtim

Besoj se edhe ju keni qenë në një situatë të tillë: çanta juaj e dorës është plot pajisje dixhitale që nuk mund t’i lini në shtëpi: iPhone, iPad ose MacBook do t’ju argëtojnë gjatë rrugës, dukë u bërë mjete shumë të mira për të lundruar, hulumtuar e fotografuar në udhëtim e sipër.

Por që këto pajisje të jenë funksionale kur jeni në udhëtim në tokë ose në ajër është e vështirë.

Për fat të mirë, ja disa këshilla se si ta zgjasni jetën e baterisë dhe të ruani energjinë.

Blini një kasë baterie

Një kasë baterie për iPhone tuaj zgjat jetën e baterisë dhe e ruan nga rëniet aksidentale.

Shumica e kasave të baterive janë me vendin e lidhjes me portin e iPhone (për iPhone 4S ose më të hershëm apo edhe për ata të iPhone 5), të cilën e përdorin për t’i dhënë energji iPhone tuaj. Mangësia e vetme është se nuk mund të përdorni aksesorë të tjerë pa e hequr iPhone nga kasa.

Juice Pack Plus i Mophie për iPhone 4/4S.

Një ndër karikuesit e preferuar është Juice Pack Plus i Mophie, i cili shërben për iPhone 4/4S (kushton 100 $).

Ai e rrit shumë jetëgjatësinë e baterisë pa shtuar shumë peshë (kompania thotë se kjo mund të shtojë deri në 125 për qind më shumë jetëgjatësi) dhe mund ta sinkronizoni iPhone duke përdorur kabllon e përfshirë USB-to-Micro-USB.

Juice Pack Plus ka edhe butonin e fikjes, kështu që mund të kontrolloni dërgimin e elektricitetit në telefonin tuaj. Edhe pse kompania ka premtuar një produkt të ri, Mophie ende nuk ka nxjerrë në treg kasën e baterive për iPhone 5. Një opsion i mirë për iPhone 5 është Ecopack i uNu, që kushton (80 $). Kjo kasë baterie e dyfishon jetën e baterisë së kësaj pajisjeje.

Ecopack ofrohet në ngjyra të ndryshme dhe pretendon të jetë ekologjike sepse e njëjta bateri mund të përdoret edhe në rast përditësimi të pajisjes.

Padacs prodhon kasat e baterive Enduro për iPad dhe iPad mini.

Për iPad tuaj mund të provoni edhe një kasë të jashtme, e cila është një aksesor fantastik për udhëtim nëse planifikoni të shihni video gjatë fluturimeve me aeroplan. Enduro nga Padacs është një kasë poliuretani e stilit folio me një pako baterish lithium-ion.

Kjo bateri e hollë ofron 8000mAh për të zgjatur jetën e baterisë së iPad, kur është drejt mbarimit.

Thjesht vendosni kabllon e përfshirë të karikuesit në portin lidhës të iPad dhe shtypni butonin On kur ju duhet më shumë energji. Enduro mund të gjendet në disa modele për iPad mini (60 $), për gjeneratën e katërt të iPad (60 $) dhe për gjeneratën e tretë iPad dhe për iPad 2 (60 $).

Merrni një karikues të vetëm

Në udhëtime, përdorni karikuesin e iPad për të karikuar iPad dhe iPhone tuaj.

Nuk është nevoja të merrni me vete karikuesin e iPhone dhe atë të iPad, kurseni vend duke marrë vetëm atë të iPad. Në pamje të parë, karikuesi i iPad është më i madh, i ngjashëm me karikuesin e MacBook.

Por nëse keni një iPhone 5 (me lidhës Lightning) dhe le të themi një iPad të gjeneratës së tretë? Mjafton të merrni vetëm karikuesin e iPad dhe gjithashtu edhe kabllon tuaj Lightning-to USB-cable dhe kabllon e iPad të gjeneratës së tretë.

Twelve South PlugBug mund të karikojë iPad dhe MacBook në një prizë.

Karikuesit e murit për iPad dhe iPhone japin nivele të ndryshme energjie. Kërkesat më të larta të iPad për energji bëjnë që të ketë një karikues USB me 10 ose 12 vat fuqi, krahasuar me karikuesin me USB të iPhone dhe iPad, me vetëm 5 vat fuqi.

Mund të përdorni karikuesin e iPhone për iPad, por do t’i duhet më shumë kohë për t’u karikuar. Nëse keni edhe MacBook, ndoshta do të donit të provonit Twelve South PlugBug (kushton 35 $), që karikon njëkohësisht një pajisje me USB dhe laptopin.

Ndryshoni konfirgurimet e iPhone dhe iPad

Ruajtja e jetëgjatësisë së baterisë mund të jetë fare e thjeshtë: mjafton të ndryshoni konfigurimin e iPhone dhe iPad tuaj. Mund të kurseni shumë energji nëse ndryshoni konfigurimet në pajisjen tuaj iOS, edhe pse nuk keni pse t’i ndryshoni të gjitha menjëherë.

Fikni opsionin wireless: Fikni Wi-Fi kur nuk ju duhet. Shkoni në Settings > Wi-Fi dhe pastaj kaloni në Off. E njëjta gjë vlen për Bluetooth: fikeni kur nuk e përdorni. Në këtë rast shkoni në Settings > General > Bluetooth dhe bëjeni Off.

Fikni lajmërimet: Fikja ose kufizimi i lajmërimeve për dërgimin e të dhënave nga aplikimet tuaja mund të jetë veprim me mend, por duhet ta bëni këtë për çdo aplikacion manualisht. Shkoni në Settings > Notifications, merrni çdo aplikacion që doni të rregulloni dhe Notification Center duhet kthyer në Off.

Aktivizoni opsionin Airplane: Aktivizimi i opsionit Airplane çaktivizon të gjitha veçoritë wireless të pajisjes suaj, të dhëna celulari, Wi-Fi, Bluetooth, GPS dhe shërbime të tjera vendndodhjeje. Shkoni në Settings dhe Airplane Mode duhet kthyer në On.

Fikni Location Services: Fikni të gjitha shërbimet dhe do të kurseni shumë energji, për të mos thënë edhe para kur udhëtoni jashtë vendit. Shkoni në Settings > Location Services dhe bëjeni Off.

Përdorni Auto-Brightness: Kontrolli i Auto-Brightness, i cili rregullon automatikisht shkëlqimin e ekranit tuaj në ambiente me dritë ndodhet në Settings > Brightness & Wallpaper. Ulni shkëlqimin e ekranit për të zgjatur jetën e baterisë.

Këshillë për energji bonus: Mos e lini pajisjen tuaj të nxehet ose ftohet shumë. Apple rekomandon që pajisja juaj të qëndrojë mes temperaturave 0 gradë Celcius dhe 35 gradë Celcius.

Kurseni baterinë e MacBook-ut tuaj

Disa ndryshime të konfigurimeve mund t’ju ndihmojnë të nxirrni më shumë nga bateria e laptopit tuaj.

Përfitoni nga Power Nap: Nëse përdorni një MacBook Pro me Retina Display ose Mid 2011 apo një MacBook Air—dhe përdorni OS X Mountain Lion—përfitoni nga veçoria e re Power Nap.

Me këtë veçori, MacBook do të vazhdojë të bëjë disa funksione edhe kur nuk është në përdorim: mund të marrë mesazhe dhe e-maile, të shkarkojë përditësime nga Mac App Store dhe shumë detyra të tjera, por me minimumin e përdorimit të energjisë.

Power Nap aktivizohet kur e keni pajisjen në karikim dhe çaktivizohet kur pajisja iu punon me bateri.

Për ta ndryshuar këtë kur jeni në udhëtim, shkoni në System Preferences > Energy Saver > Battery, dhe shënoni kutinë pranë Enable Power Nap while on battery power. Për jetëgjatësi optimale të baterisë, shkëpusni çdo pajisje USB, Thunderbolt ose FireWire që kërkon korrent.

Zgjidhni gjumin e shpejtë: Kur jeni në panelin Energy Saver, hidhuni një sy opsioneve të tjera për të kursyer energjinë. Për shembull, mund të ndreqni kohën inaktive para se kompjuteri juaj të bjerë në gjumë; sa më shpejt të bjerë në gjumë, aq më shumë bateri kurseni.

Paneli i Energy Saver e MacBook ofron disa konfigurime që ju ndihmojnë të kurseni energji.

Ulni grafikën: Nëse keni OS X Mountain Lion ose Lion në një MacBook Pro 15 ose 17 inç, shikoni njëherë panelin e Energy Saver në System Preferences. Aty do të gjeni një kuti për t’u shënjuar për Automatic Graphics Switching, të cilën duhet ta shënoni, se përndryshe Mac do të përdorë procesorin më të shpejtë grafik, që kërkon më shumë energji.

Zbehni ekranin: Rregullojeni dritën e ekranit duke e zbehur nga pak, aq sa mundeni. Zbehja e ekranit do të ndihmojë të zgjasni jetën e baterisë, por sigurohuni që shihni mirë.

Minimizoni aplikacione dhe opsione të panevojshme: Fikni AirPort dhe Bluetooth kur nuk i përdorni dhe sigurohuni që nuk keni programe aktive në sfond. Braktisni të gjitha aplikacionet, shkëpusni pajisjet periferike dhe nxirrni disqet kur nuk i përdorni.

Zgjidhni aplikacione për kursim baterie

Për MacBook ose MacBook Air, mund të përdorni një aplikacion që monitoron baterinë dhe karikimin e tij. Disa nga këto aplikacione, si Low Battery Saver, ju lejon të ndreqni paralajmërimet e baterisë së tij. Kështu do të keni një ide më të saktë se sa jetë i mbetet baterisë.

DeepSleep është një tjetër aplikacion i cili bën që MacBook juaj të “hibernohet” në vend të vënies në gjumë kur ulni kapakun teksa është në korent. (Edhe në opsionin në gjumë, Mac merr energji nga bateria.) DeepSleep ruan përmbajtjen e RAM-it tuaj në hard disk dhe ndalon marrjen e energjisë nga bateria kur MacBook juaj nuk përdoret. Mac juaj do të zgjohet nga hibernimi pak më ngadalë, por kur zgjohet, të gjitha aplikacionet do të kthehen aty ku i keni lënë dhe bateria do të jetë më pak e harxhuar. (PCWorld Albanian)

Tags >

bateri
Lajmet e fundit>