Blog

Sikletet e prefiksit .AL

Jan 24 2011
0 Shpërndarje
Sikletet e prefiksit .AL

Nga: Ervin Qafmolla

Por, shërbimi nuk mund të quhet i liberalizuar, për sa kohë ekzistojnë kufizime anormale që lidhen me kohën e gjatë të aplikimeve, kufizime të paarsyeshme në emra faqesh, e deri në një mungesë tëpërgjithshme transparence në menaxhimin e “pasaportës” shqiptare në internet
Vetëm 5 për qind e shqiptarëve që kanë një domain e posedojnë atë me identitetin shqiptar, apo në zonën “al” (për Albania), e cila administrohet nga autoritetet e vendit. Kjo e dhënë është një tregues negativ në tërësinë e statistikave që flasin për “Shqipërinë në moshën e internetit”. Nëntëdhjetë e pesë për qind e domeneve që përdoren nga shtetas shqiptarë kanë identitet “com”, “it”, “de”, “uk” etj që janë adresa me identitet italian, gjerman, britanik etj.

Vetë statistikat e përhapjes dhe përdorimit të internetit në vend flasin për rritje. Sipas të dhënave më të 6-mujorit të parë të vitti 2010 nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), numri i familjeve që kanë akses në internet me bandë të gjerë (broadband) është rreth 100 mijë apo afërsisht 12.5% e familjeve, ndërsa vlerësohen të jenë mbi 10 000 pajtimtarë biznesi. Bazuar në këto të dhëna, numri i linjave broadband për 100 banorë është rreth 3.4%, krahasuar me 2.5% që ishte në fund të vitit 2009.

Por, nga ana tjetër vetë zhvillimi i faqeve të internetit me “pasaportë” shqiptare është në nivele shumë të dobëta. Një nga arsyet e kësaj situate të dhënave është se identiteti “.al” është bërë i disponueshëm për përdorim nga persona fizikë e juridikë vetëm pas vitit 2008. Ndërsa arsyeja tjetër ka të bëjë me procedurat tepër të ngadalta dhe thuajse anti-teknologjike që përdoren nga AKEP për regjistrimin një domain-i shqiptar.
Kohëzgjatja për të blerë një damain me “.al” është e denjë për rekorde. Një shqiptar duhet të presë zyrtarisht minimumi 20 ditë e maksimumi deri 60 ditë për të blerë identitetin shqiptar virtual, ndërsa shtetasit gjermanë, italianë, grekë, bullgarë e deri tek fqinjët e Malit të Zi, këtë regjistrim e bëjnë për pak sekonda ‘on line’.

Ndërkaq, progresi teknologjik në drejtime të tjera ka ecur pak a shumë, mirë. Përmes një farë ankandi shumë të diskutueshëm, qeveria mundësoi edhe teknologjinë e komunikimit të gjeneratës së tretë 3G. Ndërsa një pjesë e shërbimeve publike janë lehtësuar e bërë disi më eficente, përmes përshtatjes së teknologjive të reja për Shqipërinë, ndonëse jo për pjesën tjetër të Ballkanit. Të regjistrosh një shoqëri tregtare tashmë është proces që mund kryhet me të mbërritur në sportelet e Qendrës Kombëtare për Regjistrim. Pasaportat tona biometrike mund të marren edhe për shtatëdhjetë e dy orë falë sistemit elektronik për gjendjen civile, i cili megjithatë ka disa probleme sigurie për sa i përket ruajtjes së informacionit. Në këtë përmirësim të përgjithshëm të procedurave të ofruara nga entet publike, bën përjashtim të dukshëm fakti se identitetin virtual shqiptar nuk mund ta regjistrosh “on line”.
Problemet e aplikimit

Përjashto vetëm disa aplikime të ndërlikuara si koncesionet etj., një nga procedurat më të gjata të një aplikimi për një shërbim në Shqipëri mbetet pikërisht pajisja me prapashtesën “.al”. Kjo prapashtesë është disi më e rëndësishme nga ç’duket, duke qenë se është një lloj prefiksi identifikues për një faqe interneti. Shumica e faqeve në vend aktualisht përdorin “.com” ose “.org”, çka tregon se faqja mund të jenë nga çdo vend i botës, pa treguar asnjë lloj përkatësie kombëtare. Kjo mund të jetë diçka problematike sidomos sa i përket subjekteve që kryejnë biznes, organizatave joqeveritare etj. Sikundër shpjegon një nga pjesëmarrësit e “zeriyt.com” – forum i specializuar webmaster-ash (mirëmbajtësish faqesh interneti), rëndësia e pajisjes me një domain shqiptar është shumë e madhe. “Rëndësia, autoriteti, të qenit prestigjioz për çdo institucion, organizëm, ent, përfaqësues mediatik, personalitet publik, artist, sportist apo shkencëtarë lidhet edhe me formën e prezantimit nëpërmjet një domain që për arsye etike e korrektese duhet të jetë një domain i zonës me të cilën identifikohet”. Në këtë kuptim, një biznes i ri që çelet apo një biznes i konsoliduar ka arsye të ketë një kartëvizitë sa më reale. Kjo është e rëndësishme për çdo ent publik e për çdo person fizik e juridik që vepron në Shqipëri. Kështu një agjenci, hotel apo restorant shqiptar do të prezantohej në nivel inferior nëse në kartëvizitën e biznesit do të prezantohej me një domain elektronik që përfundon me “it” me “de”. Sa kuptim do të kishte “Shqipëria turistike” nëse nuk prezantohet me një “mbiemër elektronik” shqiptar?

Në forumin e përmendur ekzistojnë postime të shumta të personave që menaxhojnë e krijojnë faqe interneti, ku listohen një sërë problemesh – një pjesë të pakuptueshme për shkak të terminologjisë teknike – që lidhen pikërisht me amullinë krijuar me pasaportën dixhitale “.al”.

Nga ana tjetër, Rregullorja për “Regjistrimin dhe administrimin e emrave të domain-eve nën .AL”, pengon regjistrimin e një sërë emrash, ku përveç atyre që nuk lejohen, të cilët mund të kenë karakter fyes etj., ka edhe emra që hyjnë në kategorinë e “emrave të rezervuar”. Sipas Nenit 19, pika 5 e kësaj rregulloreje, “disa shembuj të emrave të ‘rezervuar’ janë: termat teknike të internetit, emra që lidhen me veprime/operacione të shtetit, emrat e organizatave ndërkombëtare, emrat e qarqeve, prefekturave, bashkive, komunave, qyteteve, fshatrave, ndarjeve administrative të Shqipërisë, emrat e zonave/krahinave sipas emërtimeve të tyre popullore ose atyre të lashtësisë, si dhe monumente të kulturës apo natyrës të përcaktuara me ligj ose akte nën ligjore.

Pjesa e emërtimeve popullore ose të emrave që lidhen me lashtësinë është në fakt, shume evazive, duke qenë se mbetet në gjykimin personal për të lejuar apo përjashtuar çdo emër që ka të bëjë me historinë e vendit, apo që të kujton ndonjë gojëdhënë apo legjendë popullore.

Me këto justifikime, në një rast të evidentuar nga “MAPO”, AKEP ka refuzuar regjistrimin e një domain-i me emrin “dardania”, duke e klasifikuar si emërtim gjeografik. Ndërsa në shërbimin e ofruar në faqen e këtij institucioni, ku kërkon për emra të lirë domenesh, rezulton për shembull, një domain i regjistruar me “kosova.al”. Problemi që lind këtu lidhet me faktin se mungon një qasje transparente nga ky institucion, çka mund të rregullohej fare lehtë përmes një shërbimi të automatizuar, sikundër përdoret në të gjithë Europën dhe në shumë vende të Ballkanit Perëndimor.
Procedura me “dhimbje koke”

Formulari për regjistrim i ofruar nga AKEP nuk është në versionin që mund të plotësohet dhe dërgohet në mënyrë elektronike. Dokumenti në format PDF duhet shkarkuar, printuar, plotësuar dorazi e më tej skanuar për t’u postuar pranë autoritetit me email. Pasi autoriteti shqyrton në tre zyra për të bërë kontroll në aspektin teknik, juridik e më pas financiar merr vendim nëse një domain i kërkuar mund të ofrohet. Kjo procedurë kontrolli e cila nuk kryhet nëpërmjet një sistemi por nëpërmjet gjykimit të burimeve njerëzore, justifikon kohën e gjatë të procedurës. Pas kësaj klientit kërkues i jepet një përgjigje dhe nëse domain-i është pranuar për regjistrim i dërgohet një faturë paraprake për të bërë pagesën, edhe kjo nëpërmjet sportelit të një banke që komunikon me zyrën e financës së Autoritetit nëpërmjet postës. Edhe ky verifikim shton kohëzgjatjen e procesit me tre deri në shtatë ditë të tjera.

Si do të funksiononte regjistrimi nëse një person do të donte të regjistronte një domain që nuk përfundon me “.al” por le të themi me “.it”: aplikimi bëhet plotësisht nëpërmjet internetit, në formularë jepen edhe të dhëna të kartës së kreditit për të kryer pagesën për këtë shërbim. Pasi deklarohen të dhënat e personit që kërkon të posedojë domain-in me një emërtim të caktuar sistemi bën kontroll elektronik nëse domain-i i kërkuar nuk është poseduar më parë nga një kërkues tjetër, edhe pagesa nëpërmjet kartës së kreditit bëhet automatikisht dhe brenda pak sekondash kërkuesi posedon domain-in e tij. Pra gjithçka bëhet me lehtësi dhe pa shpenzuar kohe pritjeje apo kohë për pagesa dhe verifikime në sportele bankare. Në këtë mënyrë është kursyer edhe investimi për të komunikuar me specialistë të regjistrimit të domain-it apo specialistë juridikë dhe të financës pranë autoritetit përkatës.

Lajmet e fundit>