Lajmet

Sindikalistët kundërshtojnë privatizimin e PTK-së

Jun 18 2010
0 Shpërndarje
Sindikalistët kundërshtojnë privatizimin e PTK-së

Milazim Alshiqi, kryetari sindikatës së PTK-së, u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë që ta ndalin privatizimin e PTK-së, pasi që sipas tij koha nuk është e përshatshme për privatizimin e saj.

Ai thekson se arsyet kryesore të Qeverisë së Kosovës për të shitur PTK-në, janë mjetet që do të fitohen nga shitja dhe do të duhen për ndërtimin e autostradës Vermicë-Mërdar.

Megjithatë ai thekson se edhe nëse PTK mbetet pronë e shtetit, kontributi financiar nuk do të mungojë.

 “Qëndrimi ynë është se PTK-ja nëpërmes fitimit të pastër (dividendë), ku 280 milion euro iu kanë dhënë qeverisë, ndihmon në fazën e parë të ndërtimit të autostradës, prandaj nuk ka arsye për t’u ngutur me shitjen e saj”, ka thënë ai, duke theksuar se po ashtu PTK-ja ka dhënë shuma të konsiderueshme financiare si donacione të ndryshme për njerëzit, të cilët kanë nevojë.

Ai ka shtuar se rrjedhat të cilat janë duke ecur rreth privatizimit të PTK-së tregojnë se ky proces nuk është transparent dhe se është larg opinionit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Kemi pritur që të ketë debat, por kjo nuk ka ndodhur nga qeveria e Kosovës. Nuk na u ka dhënë mundësia të bisedojmë me personin përgjegjës për ndërmarrjet publike, me ministrin Ahmet Shala, në mënyrë që të bisedojmë dhe t’i shtrojmë gjërat ashtu siç meritojnë”, ka thënë ai.

Alshiqi ka deklaruar se mjetet të cilat i ka ndarë PTK-ja për shtetin e Kosovës, sipas tij, investitori i cili do ta blejë këtë ndërmarrje nuk do t’i ndajë përveç kontributeve, të cilat i caktohen.

“Postë Telekomi është një gjigant që përfiton shteti, ndërsa me privatizim të saj përfiton investitori”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e sindikatës së PTK-së kërkojnë që të ndërpritet procesi i privatizimit deri sa të miratohet Ligji i Punës, Ligji mbi veprimin sindikal. Gjithashtu ata kanë këruar nga Qeveria që ta parasheh në strategjinë legjislative për vitin 2010 projektligji privatizimin e PTK-së, pastaj kërkojnë hartimin e ligjit për privatizimin e PTK-së dhe gjithashtu pjesëmarrjen e barbartë të përfaqësuesve të Sindikatës së Pavarur në komisionin në fazën e negocimit të marrëveshjes dhe nënshkrimt të kontratës për privatizimin e PTK-së.

Lajmet e fundit>