Analiza

Sipas një studimi aplikacionet e Windows 8 përdoren shumë rrallë

May 24 2013
0 Shpërndarje
Sipas një studimi aplikacionet e Windows 8 përdoren shumë rrallë

Windows 8 është rindërtuar nga e para për të nxitur zhvillimin e aplikacioneve të orientuar nga prekja, të cilët paraqiten në ekran nga dritaret e vogla, megjithatë ashtu si e kemi shprehur dhe në shumë artikuj të mëparshëm kompania ka hasur në shumë kritika nga përdoruesit të cilët nuk e kanë mirëpritur këtë dizajn të ri për shkak të ndryshimeve të shumta.

Me këtë hap që ka ndërmarrë Microsoft-i është e qartë se suksesi i këtij sistemi varet nga shkalla e suksesit të aplikacioneve.

Për këtë arsye kompania softuerike Soluto ka kryer një studim për të analizuar përdorimin e aplikacioneve të reja të sistemit Windows 8.

Rezultati i raportit nuk është aspak i këndshëm për kompaninë. Nga analizimi i 10848 kompjuterëve me sistem Windows 8 Soluto arrit në përfundimin se vetëm 61% e përdoruesve të kompjuterëve desktop dhe 44% e përdoruesve të tabletëve me sistem Windows 8 përdornin aplikacionet e reja një ditë po dhe një ditë jo, pra përdorimi i tyre nuk është konstant.

Gjithashtu të dhënat e studimit tregojnë se përdoruesit që i kanë pajisjet e tyre me ekrane me prekje i përdorin shumë më shpesh aplikacionet krahasuar me përdoruesit e tjerë që kanë pajisje me ekrane tradicionale.

Soluto ka identifikuar dhe aplikacionet më të përdorura të cilat janë Windows Reader, Windows Photos, Windows Camera dhe aplikacionet kryesore të komunikimit si Mail dhe Calendar. Këto aplikacione përdoren nga më tepër se 10% e përdoruesve.

Mesa duket Windows Store qëndron shumë hapa mbrapa rivalëve të tjerë në treg përsa i përket sasisë dhe cilësisë së aplikacioneve, megjithatë pritet që Windows Blue të ketë përmirësime të rëndësishme dhe të fuqizojë pozicionimin e Windows 8.

Një avantazh i përditësimit të Windows 8 në versionin e ri qëndron në faktin se do të jetë pa pagesë. Duhet të kemi parasysh se revolucionarizimi i një sistemi operativ nuk mund të realizohet sa hap e mbyll sytë, është e rëndësishme që hapat të ndërmerren ngadalë dhe të sigurt. (PCWorld Albanian)

windows 8

Tags >

Windows 8
Lajmet e fundit>