Lajmet

Sipas raportimeve, sistemi operativ i rradhes nga Apple do të quhet Lynx

Nov 20 2012
0 Shpërndarje
Sipas raportimeve, sistemi operativ i rradhes nga Apple do të quhet Lynx

Duke qenë se mbetet edhe një version për Mac OS X si dhe një numër më i vogël macesh prej së cilave mund të zgjidhet emri, duket se Apple e ka vendosur se cilën racë do të “nderojë” kësaj here.

Sistemi operativ 10.9 do të quhet Lynx, sipas një raportimi ende të pakonfirmuar.

Versionet e kaluara të sistemit operativ, i lançuar për herë të parë në vitin 2001, janë quajtur Cheetah, Puma, Jaguar, Panther, Tiger, Leopard, Snow Leopard dhe Lion.

Versioni aktual, OS X 10.8, mban emrin Mountain Lion. Apple ka lançuar sisteme të përmirësuara çdo vit.

Apple ka përzgjedhur tashmë dy emra macesh që nuk janë përdorur ende: Lynx dhe Cougar.Cougar, gjithsesi, është thjesht një emër alternativ për Mountain Lion. Prandaj, Lynx mbetet kandidati me më shumë shanse.

Uebfaqja Applescoop.com, citon një burim të brendshëm të Apple, që ka parë “disa dokumente të brendshme që duket se bënin fjalë për emrin përfundimtar të sistemit të ri operativ”.

Nëse Apple ecën sipas programit tradicional, atëherë pritet që Lynx të zbulohet për publikun për herë të parë në konferencën e tyre të zhvilluesve, WWDC, në San Francisco në qershor 2013. Me shumë mundësi, disa nga përfaqësuesit e mediave do të njoftohen paraprakisht disa muaj më parë mbi sistemin.

Deri tani dihen shumë pak gjëra lidhur me përditësimet që do të sjellë 10.9. Shanset më të mëdha janë disa karakteristika të huazuara nga iOS 6: Siri dhe Maps. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>