Lajmet

Skype ofron tashmë pa pagesë videotelefonatat në grup për 1 vit

Dec 19 2013
0 Shpërndarje
Skype ofron tashmë pa pagesë videotelefonatat në grup për 1 vit

Në Skype, telefonatat në grup ofroheshin si shërbim premium që zakonisht kushtonte 4.90 $ në muaj, por tani kompania ka menduar të lejojë përdorimin e tyre pa pagesë. Kjo ofertë është pjesë e promocionit të quajtur “Projekti i bashkëpunimit të Skype”.

Për të përfituar nga ky shërbim përdoruesit duhet që thjesht të vendosin adresën e tyre të e-mail-it ku do të dërgohet kodi përkatës. Sipas raportimeve, sigurimi i këtij kodi nuk aktivizon automatikisht shërbimin në fjalë, por në fakt mundëson depozitimin e një sasie krediti të caktuar për përdorimin e Skype Premium.

Krediti i Skype mund të përdoret edhe për shërbimet e tjera me pagesë që ofrohen nga ky softuer që mundëson komunikim me video si për shembull, telefonatat ndaj numrave fiks. Megjithatë, deri tani nuk është konfirmuar ende nëse ky kredit, i ofruar si dhuratë nga Skype, do mund të përdoret edhe për shërbimet e tjera.

Në Skype, shërbimi i telefonatave në grup lejon komunikimin deri në 10 persona megjithatë kompania rekomandon telefonata deri në 5 persona për të maksimizuar cilësinë e bisedës.

Videotelefonatat në grup zakonisht përdoren në konferenca ose komunikime midis bizneseve në distancë dhe mund të themi se kjo është karakteristikë që e ka bërë Skype një shërbim popullor edhe për kompanitë jo vetëm për individët. Pjesa më e madhe e organizatave janë abonuar tashmë për përdorimin e këtij shërbimi, por ajo pjesë që nuk e disponon ende, ka shansin që të përfitojë nga kjo ofertë.

Rivalizimi i Google Hangouts

Kjo ofertë, pjesë e Projektit të bashkëpunimit të Skype përfshin edhe ndarjen e ekranit me personat e përfshirë në grup për të shfaqur aktivitetet në kompjuterin tënd edhe ndaj pjesëmarrësve të tjerë në bisedë. Zakonisht ky shërbim përdoret për bashkëpunime ose për prezantim. Përdoruesit do të munden të përfitojnë gjithashtu shërbime direkte suporti për klientët (pa pagesë) si dhe një platformë pa reklama.

Një ndër arsyet e mundësimit të kësaj oferte mund të jetë edhe rivalizimi i Google Hangouts i cili është lançuar në maj të këtij viti dhe lejon kryerjen e videotelefonatave në grup pa pagesë. Ndoshta Microsoft po përpiqet të lidhë pas shërbimit Skype ata përdorues që janë tunduar për të migruar në Hangouts.

Projekti i bashkëpunimit të Skype është një nismë e Microsoft për bashkimin e industrive kreative dhe teknologjike. Një prej personave VIP që e sponsorizon është edhe Victoria Beckham. (PCWorld Albanian)

skype_rainbow-578-80

Tags >

Skype
Lajmet e fundit>