Lajmet

Smartfonët Google Nexus po përballen me sulme “mohim shërbimi” përmes SMS-ve

Nov 30 2013
0 Shpërndarje
Smartfonët Google Nexus po përballen me sulme “mohim shërbimi” përmes SMS-ve

Sulmuesit mund t’i bëjnë telefonët Google Nexus të fiken apo të mos lidhen me rrjetin falë dërgimit të disa mesazheve të posaçme SMS tek to.

Problemi është zbuluar nga Bogdan Alecu, një administrator sistemesh në kompaninë e IT-së holandeze, Levi9.

Aktualisht, dihet se mund të preken të gjitha versionet Android 4.x në Google Galaxy Nexus, Nexus 4 dhe Nexus 5. Class 0 SMS, apo Flash SMS, është një lloj mesazhi i përcaktuar në specifikimet e GSM-së, i cili shfaqet direkt në telefon dhe nuk ruhet automatikisht në pajisje. Pasi e kanë lexuar një mesazh të tillë, përdoruesit kanë mundësi ta ruajnë apo jo atë.

Kur vjen një mesazh i tillë në telefonët Google Nexus, ai shfaqet para çdo lloj dritareje aktive dhe rrethohet nga një kornizë e zezë gjysmë e tejdukshme, e cila mund ta errësojë edhe gjithë ekranin.

Nëse mesazhi nuk ruhet, atëherë do të vijë një tjetër mesazh dhe efekti errësues rritet. Kur vijnë këto lloj mesazhesh, nuk ka asnjë njoftim me zë, pavarësisht në çfarë gjendje e keni lënë telefonin. Kjo do të thotë se përdoruesit nuk e marrin vesh që u vijnë këto mesazhe deri në momentin që e hapin vetë telefonin.

Alecu ka zbuluar se kur vijnë një numër i madh mesazhesh Flash – rreth 30 – të cilat nuk ruhen, atëherë pajisjet Nexus sillen në mënyra të çuditshme. Rasti më i njohur është fikja dhe ndezja e telefonit, tha ai.

Në këtë rast, nëse kërkohet PIN për ta hapur telefonin, atëherë ai nuk lidhet më me rrjetin pas fikjes dhe ndezjes dhe përdoruesit mund të mos i bjerë në sy kjo gjë. Gjatë kësaj kohe, nuk vijnë as telefonata, as mesazhe apo njoftime të tjera që kanë lidhje me rrjetin. Këto lloj problemesh njihen me emrin “mohim shërbimi.”

Alecu shprehet se e ka kontaktuar Google-in disa herë që në momentin kur e zbuloi këtë dobësi, por deri tani ka marrë vetëm disa përgjigje automatike. Dikush prej skuadrës së sigurisë së Android-it i tha në korrik se problemi do të rregullohej me përditësimin Android 4.3 por një gjë e tillë nuk ndodhi, thotë Alecu.

Prandaj, ai ka punuar së bashku me Michael Mueller, ekspert sigurie nga Gjermania, për të zhvilluar një aplikacion që bllokon sulmet class 0 SMS mohim shërbimi. Aplikacioni quhet Class0Firewall dhe gjendet në Google Play. (PCWorld Albanian)

Lowers2-Nexus_5_610x436

Lajmet e fundit>