Harduer

Smartfoni Nokia Lumia 920, një pajisje e madhe dhe e bukur

Nov 28 2012
0 Shpërndarje
Smartfoni Nokia Lumia 920, një pajisje e madhe dhe e bukur

Edhe pse është bërë një zhurmë e madhe në lidhje me mangësitë e Windows Phone 8 dhe për paaftësinë e saj për të konkurruar në tregun e smartfonëve, ndoshta nuk është fjala për Lumia 920, e cila u shit deri në pajisjen e fundit në dyqane që në fundjavën e parë në treg.

Është e qartë përse shumë njerëz mezi presin të kenë një pajisje të tillë: është i madh, ka kamera fantastike dhe veçori unike si dhe ekran të bukur.

Megjithatë nuk do të arrijë të bindë të gjithë përdoruesit, sidomos ata që përdorin prej vitesh ekosistemet iOS ose Android. Por ata që duan të njohin platforma të tjera, që janë më të fokusuara te produktiviteti sesa loja, që duan diçka të re dhe unike, do ta dashurojnë Lumia 920.

Dizajni

Është një pajisje që nuk mund të mbetet pa u vënë re. I ndërtuar nga një pjesë e vetme polikarbonati, Lumia 920 ka përmasat 13cm e gjatë, me 6.95 cm i gjerë dhe vetëm 1 cm i trashë. Ky telefon mund të gjendet me ngjyrë të verdhë, të bardhë, të kuqe, të zezë dhe blu. Ne testuam versionin e verdhë. Ekrani 11.25 cm ka një kornizë të hollë që mban tre butona të Windows (pas, kreu dhe kërko) dhe përshtatet bukur me trupin e telefonit. Butonat fizikë (volumi, ndezja, kamera) janë prej qeramike dhe gjenden në krahun e djathtë.

Në fund gjenden mikro altoparlantët dhe vendi për mikro USB; në majë është vendi i kufjeve 3.5 mm dhe kartës micro-SIM. Pas gjendet blici dhe kamera 8.7-megapikselë Carl Zeissics, kurse kamera e përparme ndodhet pranë vendit ku vendoset veshi dhe sensorëve të dritës së ambientit.

Gjëja e parë që vini re në një Lumia 920 është pesha, 185 gramët e saj peshojnë më shumë se një iPhone 5 (111 gr) ose Galaxy S III (133 gr). Por ajo ku shkëlqen Lumia 920 është ekrani: 11 cm dhe me kontrast të lartë IPS që Nokia e quan PureMotions HD+. Është fantastik, pasi ofron të zezë të thellë, ngjyra të pasura dhe tekst të mprehtë dhe me dendësi pikselësh pak më të madh se 332 ppi, më shumë se Retina Display e iPhone 5, që ka 326 ppi. Lumia 920 shihet shumë mirë edhe në dritën e diellit, kurse ekrani me prekje reagon ndaj gishtërinjve kur janë në doreza, ndaj thonjve dhe disa stilolapsave.

Performanca

Lumia 920 shkon deri në kufijtë e së mundshmes me një kamera shumë të mirë, me aftësi NFC, Bluetooth 3.0 dhe karikim Qi wireless. Me procesor dual-core Snapdragon S4 1.5GHz, 1 GB RAM, 32 GB magazinim dhe bateri 2000mAh, Lumia 920 ka shpejtësi të mirë. Microsoft ofron edhe 7 GB magazinim në “re” për llogaritë e reja SkyDrive për të kompensuar hapësirën jo aq të madhe.

Nokia pretendon se 920 ka 9 orë kohë bisede, 52 orë luajtje muzikë, 5 orë shikim video dhe 2.6 orë incizim video. Me testet tona, 920 zgjati 6 orë e 13 minuta shikim video. Nuk pati probleme me përdorimin e aplikacioneve, ndonëse pjesa e pasme nisi të nxehej pak pas 20 minutash. 920 i hap gjithashtu shpejt faqet ueb.

Cilësia e thirrjeve është shumë e mirë, qoftë në telefonata në distancë apo ato lokale. Nokia ka futur 11 banda të ndryshme në 920, kështu që ka shumë bazë për këtë celular.

Softueri

Lumia 920 është ndër telefonat më të mirë të Windows Phone 8, kurse tjetri është ai i HTC. Lumia ka softuerin Live Tiles dhe sistemi operativ përkrah dokumentet e Office, që mund të përpunohen lehtësisht falë ekranit të madh e të pastër.

Krahas veçorive standarde të Windows Phone 8 (Grupe dhe Dhoma, Këndi i Fëmijëve, DataSense, integrim SkyDrive, Xbox SmartGlass), Nokia ka edhe softuere si City Lens, Drive + Beta, Harta dhe Muzikë.

Nokia Music ofron zërin Dolby dhe mund të përdoret edhe me kufje. Nokia përfshin edhe shërbimin e saj Mix Radio,me muzikë falas. Lumia 920 mund të shkarkojë harta të vendeve dhe pamje të brendshme të ambienteve të njohura duke ofruar shërbime të ngjashme me Google’s Places.

Internet Explorer 10, edhe pse jo i preferuar për PC, performon shumë mirë si shfletues celulari, ngarkohet shpejt dhe është i mprehtë. Integrimi Xbox vazhdon me SmartGlass, duke ju lejuar ta përdorni celularin si kontrollues konsole, ndonëse do t’ju duhet një pajtim Xbox Live për të gjitha veçoritë.

Tërheqja kryesore për blerësit do të jetë kamera 8.7 megapiskelë me sensor të ndriçuar dhe autofokus f/2.0 me lente Carl Zeiss, të cilave u shtohet teknologjia PureView e Nokia.

Fotot e bëra ditën janë më të ngrohta, më të bukura sesa ato të bëra me kamerat e iPhone 5 dhe Samsung Galaxy S III. Kamera ka gjashtë opsione skenash (auto, close-up, night, night portrait, sports and backlight) si dhe konfigurim ISO (nga 100 në 800) dhe pesë konfigurime të balancimit të bardhësisë.

Janë shumë për një kamera që do të përdoret nga njerëz që nuk dinë ndoshta se çfarë është ISO, pak e avancuar për ata që nuk i njohin konfigurimet.

Përfundimi

Nokia Lumia 920 është një pajisje mbresëlënëse: ka harduer solid dhe të bukur si dhe disa veçori mbresëlënëse për një telefon me sistem operativ Windows Phone 8. Ekrani është shumë i bukur, kamera mund të bëjë foto shumë të bukura edhe me dritë të ulët dhe video të mira, funksionalitet NFC dhe karikim wireless (po t’ju nevojitet).

Ajo ofron një sërë programesh të Office, integrohet me Xbox, ka navigim, harta ofline dhe Mix Radio.

Ky telefon ka disa shërbime, por jo iTunes ose Google Maps, por kjo nuk dot ë thotë se nuk ofron muzikë ose orientim në rrugë. Edhe pse ju mungojnë disa aplikacione thelbësore si Instagram, Dropbox, Windows Phone 8 ju ofron veçori që nuk i kanë smartfonë të tjerë (dokumente Office, Gpe dhe Dhoma, integrim Xbox) dhe ia vlen të merret në konsideratë sidomos nëse kërkoni smartfonin tuaj të parë ose jeni përdorues biznesi. Lumia 920 i Nokia është kampioni i Windows Phone 8 dhe ndonëse mund të mos e fitojë luftën e smartfonëve, mund të fitojë disa beteja.

Avantazhe

* Ekran shumë i bukur me teknologji mbresëlënëse dhe shihet shumë mirë edhe në dritën e diellit.

* Kamera e jashtëzakonshme me teknologji unike. Disavantazhe

* Madhësia dhe pesha mund të mos pëlqehen nga disa përdorues.

* Softuerit i mungojnë disa aplikacione dhe veçori të njohura.

Specifikimet

Ekrani:

Rezolucioni 1280 x 768 pikselë

Madhësia e ekranit: 11.25 cm

Procesori:

Shpejtësia 1.5 MHz

Lloji: Qualcomm Snapdragon

Memoria

Madhësia: 1000.0 MB

Bateria

Kohë audio 52.0 orë

Kohë Standby 460.0 orë

Kohë bisede 7.5 orë

Porte dhe Lidhje

Lidhje Wireless Bluetooth

Përmasat: Gjatësi 13 cm, Gjerësi 6.95 cm, Peshë 185 gr., Trashësi 1.05 cm. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>