Lajmet

Softueri i Microsoft ju mundëson të flisni gjuhët e botës

Nov 13 2012
0 Shpërndarje
Softueri i Microsoft ju mundëson të flisni gjuhët e botës

Softueri i zhvilluar nga Microsoft përkthen dhe “shqipton” direkt fjalët e përdoruesve në gjuhën kineze dhe në këtë kompani shpresojnë se falë tij në të ardhmen do të bien të gjitha barrierat e gjuhëve.

Gjatë 60 vjetëve të fundit ekspertët kompjuterik janë munduar të zhvillojnë dhe të perfeksionojnë sistemin, i cili do ti kuptonte dhe përkthente fjalët të cilat njerëzit i shqiptojnë.

Duket se në këtë zhvillim kryeson Microsoft-i, softueri i të cilit gjatë viteve në vazhdim do të duhej të na mundësonte që pa problem të “flisnim” shumicën e gjuhëve të botës. Këtë softuer kohë më parë në Kinë e prezantoi Rick Rashid nga Microsoft-i dhe derisa fliste anglisht, softueri i përkthente fjalët e tij automatikisht në gjuhën kineze dhe i “shqiptonte” ato (zëri ishte i njëjtë me atë të Rashid-it) kështu që dukej se ai po fliste me të vërtet kinezisht.

Rashid në një blog shkroi se deri më tani edhe sistemet më të mira për njohjen e zërit nuk kanë mundur të njohin 20-25% të fjalëve, por hulumtuesit nga Microsoft në dy vitet e fundit duke përdorur teknikën e ashtuquajtur Deep Neural Networks kanë arritur ti zvogëlojnë gabimet gjatë njohjes së zërit për më shumë se 30 përqind në krahasim me metodat e mëparshme.

Më herët shkalla e gabimeve ishte një fjalë e gabuar në çdo 4-5 të shqiptuara, përderisa sistemi i tyre ka zvogëluar numrin e gabimeve, një fjalë e gabuar në çdo shtatë apo tetë fjalë të shqiptuara.

Aplikacion të cilin shumë e kanë pritur!

Edhe pse kjo është ende larg prej perfeksionit, Rashid thotë se kjo paraqet një progres të madh në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit për njohjen e zërit dhe se “kjo teknologji është treguar shumë e dobishme dhe premtuese”.

Pas fjalëve të shqiptuara sistemi përkthen ato fjalë në gjuhën kineze, pastaj ndryshon renditjen që ti përshtat me gjuhën kineze dhe i shqipton ato me zërin e folësit. Në mënyrë që sistemi fjalët e përkthyera ti kthente në zërin e folësit, Rashid-it i’u desh një orë që të regjistronte fjalimin e tij në gjuhën angleze.

Rashid dhe Microsoft do të vazhdojnë me zhvillimin e mëtejshëm të këtij softueri dhe shpresojnë se për disa vite do ta kenë sistemin e zhvilluar i cili do të mund ti “rrëzojë të gjitha barrierat gjuhësore” dhe se në të ardhmen do të kemi mundësi të “flasim” shumicën e gjuhëve të botës. Sipas Rashid nuk duhet të pritet shekulli i 22-të për të marrë pajisjen e njëjtë sikurse përkthyesit univerzal nga filmi Star Trek, por që një pajisje të tillë mund ta kemi në një të ardhme të afërt. Në videon më poshtë mund ta shihni se si softueri i përkthen dhe i shqipton me zë fjalët e Rashid. (PCWorld Albanian)

Tags >

Microsoft
Lajmet e fundit>