Lajmet

“Software Freedom Kosova 2010” hap dyert për vizitorë

Sep 25 2010
0 Shpërndarje
“Software Freedom Kosova 2010” hap dyert për vizitorë

Me rastin e hapjes së konferencës të pranishëm ishin Bernard Nikaj,  prof. Lule Ahmeti, prodekanja e Fakultetit të Inxhinierisë Kompjuterike dhe Elektrike Vjollca Komoni, zëvendës ministri i Ministrisë së Energjisë dhe Minierave si dhe profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Kompjuterike dhe Elektrike z. Blerim Rexha, iniciatori i konferencës për Softuer të lirë dhe të hapur në Kosovë dhe fuqia shtytëse e mbajtjes së kësaj konference James Mike DuPont, si dhe mysafirë të shumtë ndërkombëtar e vendor.

Prof. Lule Ahmeti mori fjalinë hyrëse dhe dha disa shpjegime rreth softuerit të lirë dhe dobive që sjellë ai softuer tek përdoruesit në Kosovë, kurse prof. Vjollca Komoni falënderoi pjesëmarrësit dhe të gjitha ata që punuan me përkushtim në mbajtjen e konferencës. 

z. Blerim Rexha nga MEM foli në emër të Qeverisë së Kosovës dhe u shpreh se përkushtimi për teknologjinë informative do të vazhdojë edhe më tej dhe se konferencat si kjo do të kenë përkrahjen e Institucioneve të Kosovës. 

James Mike Dupont falënderoi të gjithë të pranishmit dhe të gjithë ata që kanë dhënë maksimumin e tyre për organizimin e konferencës për vitin e kaluar dhe këtë vit. Ai u shpreh se përmes softuerit të lirë dhe të hapur ka punë të reja për të gjithë, dhe jo vetëm në zona lokale në Prishtinë apo edhe në tërë Kosovën, por të gjithë ata që mësojnë këtë lëmi mund të interesohen edhe përtej kufijve. Përveç kësaj ai kërkoi më shumë përkushtim nga të gjithë si dhe sugjeroi që të gjithë të rinjtë t’i kushtojnë një orë në ditë të kohës së tyre që të punojnë në një projekt. “Përktheni ndonjë rresht në ndonjë softuer, bëni korrigjime në Wikipedia,, sugjeroni ndonjë lëshim në Linux apo krijoni edhe vet ndonjë arnim” theksoi ai. 

Në anën tjetër gjatë ditës së sotme do të ligjërojnë Leon Shiman (Building Bridges), Martin Bekkelund (Norwegian approach to Open Source in Public Sector), Milot Shala (Porting QT basen applications from Desktop to Mobile), Peter Salus (From Time-Sharing to the desktop), Probhos Pakharel, Dashmir Haxha, Baki Gaxhaj, Rodrigues Da Silva, Taulant Ramabaja, James Mike DuPont, etj. Kurse numri i pjesëmarrësve është mjaft i madh.

Gjatë ditës së nesërme pritet që të vazhdohet me ligjërata tjera nga Mike Maron (Neo-Geo-Politics), Maro Fioretti, Tomeu Vizaoso, Arnaud Deleurme, Kim Bruning, Benjamin Ducke, Bert Desmet, Luca Pescatore (Doing Busine$$ in Balkans), Edi Bunjaku, IGor Stamatovski, etj. 

Konferenca është organizuar nga FLOSSK, Universiteti i Prishtinës, Rrota dhe është përkrahur nga Zyra e Kryeministrit, PCWorld Albanian, openworld.al. Ndërsa vlen të theksohet se për ofrimin e internetit përmes WiFi gjatë dy ditëve sa do të mbahet konferenca është përkujdesur Art Motion.

Lajmet e fundit>