Lajmet

Software Freedom Kosova përmbyllet me sukses

Sep 26 2010
0 Shpërndarje
Software Freedom Kosova përmbyllet me sukses

Me një pjesëmarrje të më shumë se 500 vizitorëve, dhe të mbi 20 ligjëruesve ndërkombëtarë dhe vendor, Software Freedom Kosova 2010 mund të thuhet se sërish ka shënuar një sukses të madh, ashtu si vitin e kaluar, në promovimin e softuerit të lirë dhe të hapur tek përdoruesit e kompjuterit në Kosovë.

Një prej shtyllave kryesore në organizimin e suksesshëm të konferencës për këtë vit kanë qenë dhe padyshim që do të jenë edhe për vitin e ardhshëm, djemtë dhe vajzat e rinj të shoqatës për softuerit të lirë dhe të hapur të Kosovës (FLOSSK), të cilët me punën e tyre vullnetare dhe me entuziasmin e tyre për softuerin e lirë dhe të hapur kanë bërë maksimumin që çdo gjë të shkoj ashtu si duhet.

Falë kësaj rinie dhe përkushtimit të njerëzve si James Mike DuPont, është arritur që të organizohet sërish këtë vit me sukses një konferencë për softuer të lirë dhe të hapur në Kosovë, dhe të ftohen mysafir ndërkombëtar me reputacion të madh anembanë botës për sa i përket softuerit të lirë dhe të hapur si: Peter Salus, Leon Shiman, Marco Fioretti, Mikel Maron, Rob Savoye, etj të cilët me ekspertizën e tyre në këtë fushë tërhoqën interesin e shumë të rinjve në Kosovë.

Dita e parë e konferencës pati më shumë vizitorë, megjithatë niveli i interesit në ditën e dytë nuk mungoi dhe këtu pati padyshim rol të madh edhe kualiteti dhe cilësia e ligjëratave, si në ditën e parë ashtu edhe në ditën e dytë.

Organizatorët e kësaj konference përveç FLOSSK, janë edhe Universiteti i Prishtinës dhe Rrota, kurse në rolin e sponsorit të madh ishte Zyra e Kryeministrit, ndërsa sponsor medial ishin PCWorld Albanian dhe Openworld.al. Ndërsa duhet rikujtuar se anëtarët e FLOSSK dhe njerëz të përkushtuar si James Mike DuPont, ishin fuqia shtytëse e mbajtjes së Konferencës për Softuer të Lirë dhe të Hapur edhe në Vlorë të Shqipërisë.

Vlen të theksohet se Konferenca të këtij niveli Kosovës i duhen mjaft shumë në mënyrë që të punohet më afër me të rinjtë e interesuar në Teknologjinë Informative dhe në promovimin e interesit dhe punës së tyre tek vizitorët dhe ligjëruesit ndërkombëtar. Këtë vit konferenca pati jo vetëm folës por edhe vizitorë ndërkombëtar kështu që serioziteti dhe përkushtimi i një shteti të ri si Kosova për kësi lloj konferencash do të ketë ndikimin e vet. Interes për të zhvilluar komunitetin e softuerit të lirë dhe të hapur nga ndërkombëtarët ka dhe ajo është shprehur vazhdimisht gjatë konferencës, por duhet ritheksuar se për të shfrytëzuar në dobi të vendit tonë dhe të rinjve tanë njohuritë e duhur duhet një përkushtim më i madh i të gjitha institucioneve të Kosovë.

Shpresojmë që vitin e ardhshëm të ketë edhe më shumë të interesuar dhe më shumë njerëz të përkushtuar që të financojnë dhe motivojnë të rinjtë në organizimin e Konferencave të këtij niveli, sepse si rezultat do të mund të jetë një prej konferencave më të fuqishme në Ballkan rreth softuerit të lirë dhe të hapur.

Lajmet e fundit>