Lajmet

Sonte në mesnatë mbyllet afati i aplikimeve në Albanian ICT Awards, rreth 60 aplikime

Apr 13 2013
0 Shpërndarje
Sonte në mesnatë mbyllet afati i aplikimeve në Albanian ICT Awards, rreth 60 aplikime

Tiranë/Prishtinë, 13 prill 2013 – Nën përgjegjësinë e organizatorit, ICTSmedia, ka kënaqësinë të njoftojë se duke filluar nga nesër, më 14 prill 2013, gara e Albanian ICT Awards do të kalojë në fazën e parafinales, pas mbylljes zyrtare të afatit të aplikimeve, që ishte i hapur prej 15 shkurt deri më 13 prill 2013, në orën 24:00.

Albanian-ICT-Awards-Dosjet-e-aplikanteve

Më 14 prill 2013, në Tiranë, në një takim pune, për herë të parë do të mblidhet Juria profesionale, të cilës do t’i dorëzohen të gjitha aplikacionet dhe e cila do të vendosë për hapat e mëtutjeshëm të vlerësimit dhe shpalljes së fituesve, proces ky i cili pritet që të përfundojë deri më 21 prill 2013.

Jurisë pritet t’i dorëzohen mbi 60 aplikacione, projekte, programe dhe produkte të ndryshme shqiptare, të ndërtuara, udhëhequra apo të realizuara deri në fund të vitit 2012.

Eventi do të përmbyllet me organizimin e Mbrëmjes Gala, që do të mbledhë profesionistë, ekspertë, liderë, udhëheqës të bizneseve, organizatave dhe profileve të njohura shqiptare, në Hotel Tirana International, ku dhe do të shpërndahen çmimet për fituesit dhe ku do të ketë edhe befasi të tjera.

Në “Albanian National ICT Gala Night”, do të nderohen individët e suksesshëm të kësaj fushe, do të zbulohen yje në ngritje, talentë dhe profesionistë, që me angazhimin e tyre individual, kontribuan, ngritën dhe zhvilluan industrinë e ICT-së mbarëshqiptare, dërguan mesazhe të fuqishme në botë për nivelin, njohjen dhe aftësitë që shqiptarët i zotërojnë.

Për t’i dhënë akoma më shumë shije kësaj mbrëmjeje Gala të ICT-së, për të trajtuar elementet brilante në këtë natë festive, do të kujdeset kompania e mirënjohur “Geraldina Spoza”, ndërsa tingujt dhe atmosferën magjike do ta sjellë Kuarteti i Harqeve të Top Channel, që me performancën e vet pritet t’i japë një vlerë dhe karakter unik kësaj mbrëmjeje.

ICTSmedia dhe ekipi i Albanian ICT Awards dëshiron t’i falënderojë të gjithë pjesëmarrësit e dy workshopeve të mbajtura në dy kryeqytetet shqiptare, më 15 shkurt në Tiranë dhe më 6 prill në Prishtinë, Fondacionin Mediatik “Dritan Hoxha”, mbështetësit Raiffeisen Bank Albania, ALBVISION, partnerët e fuqishëm mediatikë, partnerët strategjikë dhe të gjithë mbështetësit, të cilët ndihmuan që kjo garë ta përmbushë objektivin e saj për të qenë një garë e vlerësimit unik mbarëshqiptar. (ICT Awards)

Lajmet e fundit>