Lajmet

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca ballkanike për infrastrukturë telekomunikuese brezgjerë (Broadband)

Mar 12 2009
0 Shpërndarje
Sot në Prishtinë u mbajt konferenca ballkanike për infrastrukturë telekomunikuese brezgjerë (Broadband)

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca ballkanike për infrastrukturë telekomunikuese brezgjerë (Broadband), e organizuar Shoqata e inxhinierëve të Komunikacionit Kabllor (SCTE) dhe e mbështetur nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës.

Shoqata e Inxhinierëve të Komunikacionit Kabllor (SCTE) është shoqëri profesionale joprofitabile, e cila ofron lidership teknik për industrinë e telekomunikacionit dhe u shërben anëtarëve të vet nëpërmjet zhvillimit professional, standardeve, certifikimeve dhe informacioneve.

Konferencën e hapi zëvendësministri i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Adem Grabovci, i cili në fjalën e hapjes tha:

“Jam i nderuar që kam privilegjin të bëj hapjen e kësaj konference dhe ekspozite ndërkombëtare për teknologjitë brezgjerë. Është konferenca e pare ndërkombëtare e këtij lloji që organizohet në Ballkan dhe po ndodh pikërisht në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit më të ri të botës. Është një ndër ngjarjet më të mëdha që organizohen në rajonin tone për çështje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe për shoqërinë e informacionit në përgjithësi. Dhe kjo nuk është rastësi, sepse Kosova me popullatën më të re në rajon ka potencial të madh për përvetësimin, përdorimin dhe zhvillimin e teknologjive të reja. Tregu i hapur dhe konkurrenca po rezultojnë me rritje rapide të penetrimit të internetit dhe shërbimeve tjera brezgjera.

Teknologjia informative dhe komunikuese është sektor thelbësor për zhvillim ekonomik dhe social, për më tepër, teknologjia informative dhe komunikuese është bërë infrastrukturë mundësuese për ekonominë në rritje të informacionit. Informacioni kategorizohet si një nga faktorët fundamentalë të produktivitetit, së bashku me kapitalin dhe resurset njerëzore. Informacioni kontribuon ndjeshëm në GDP në ekonomitë me industrializim të ri dhe sektorët modernë të vendeve në zhvillim.

Në ditët tona ekziston një pajtueshmëri e mjaftueshme që teknologjia e informacionit dhe komunikimit siguron komponentët kyçë të zhvillimit ekonomik, kontribuon në integrimin global duke ndihmuar në ruajtjen e identitetit nacional dhe duke avancuar efektivitetin, efikasitetin dhe transparencën e sektorit publik. Qasja në informacione dhe teknologjia informative dhe komunikuese trajtohen si kyçe për reduktimin e qëndrueshëm të varfërisë, kryesisht duke rritur efikasitetin dhe konkurrueshmërinë globale të ekonomisë, mundësimin e shërbimeve me kualitet të lartë në edukim dhe shëndetësi dhe krijimin e burimeve të reja të të ardhurave dhe punësim për popullatën e varfër.

Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se teknologjia informative dhe komunikuese nuk mund të zhvillohet ndaras dhe si e veçuar nga rajoni në të cilin gjendemi, Kosova që nga fillimi ka mbështetur Iniciativën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore elektronike – eSEE fillimisht dhe më pastaj edhe iniciativën Brezgjerë të Evropës Juglindore. Këto iniciativa dhe trendët e zhvillimit të teknologjive dhe shërbimeve të reja mbështetur në këto teknologji në Evropë dhe në botë në përgjithësi do të sjellin kualitet të ri në rajon si nga aspekti i bashkëpunimit rajonal, gjithashtu edhe nga aspekti i zhvillimit të mëtutjeshëm të këtyre teknologjive dhe shërbimeve të shoqërisë së informacionit. Prandaj Qeveria e Kosovës, e posaçërisht Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, i kanë marrë me seriozitet përmbushjet e zotimeve nga eSEE agjenda, me ç’rast kemi krijuar bazën ligjore në përputhshmëri të plotë me legjislacionin në këto fusha të bashkimit Evropian (acquis communautaire).

Sikurse që është shkruar në dokumentet tona të aprovuara, Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit synimet e veta politike i ka të orientuara në aspektin e krijimit të ambientit të favorshëm për zhvillim të shërbimeve dhe përdorim të TIK-ut që do të jenë:

-Hapja e tregjeve për ofrues të shërbimeve / operatorë të rinj dhe konkurrencë;
-Pjesëmarrja e sektorit privat / Zhvillimi i mundësive atraktive për biznes;
-Zhvillimi i kapacitetit rregullator;
-Zvogëlimi (ngushtimi) i ndarjes zhvillimore;
-Realizimi i Qasjes / Shërbimit Universal;
-Garantimi i përdorimit optimal të burimeve të kufizuara;
-Korniza arkitektonike për TIK në Qeverinë e Kosovës;
-Përdorimi i TIK në sistemin edukativo-arsimor dhe shëndetësor;
-Qeverisja elektronike;
-Krijimi i një sistemi ligjor më efektiv për monitorimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të TIK-ut, që ndihmon në:

-qeverisje efikase dhe transparente,
-mbrojtje të konsumatorit dhe
-shpërndarje të shërbimeve dhe teknologjive të reja e moderne për plotësimin e nevojave të përdoruesve.

Për arritjen e këtyre synimeve ne do të bashkëpunojmë ngushtë me vendet e rajonit, me qeveritë e vendeve të BE-së, Komisionin Evropian, UNDP-në, sektorin privat, shoqatat profesioniste që merren me TIK, institucionet akademike etj.

Duke e falënderuar Shoqatën e Profesionistëve për Broadband – SCTE, të cilët, të mbështetur fuqishëm nga Ministria dhe në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare dhe vendore kanë bërë organizimin e kësaj konference dhe me dëshirë që konferenca dhe ngjarje të këtilla të ndodhin sa më shpesh në Prishtinë, i uroj kësaj konference punë të mbarë, kurse ndërmarrjeve tona të përbashkëta suksese dhe arritje të qëllimeve të vëna para vetes”.

Pas fjalës së hapjes, president i Shoqatës së Inxhinierëve të Komunikacionit Kabllor (SCTE), Roger Blakeway, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e dhënë, ia dhuroi Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit paketën e Konferencës, ndërsa pas kësaj ceremonie i njohu pjesëmarrësit me profilin, qëllimet dhe veprimtarinë e Shoqatës së Inxhinierëve të Komunikacionit Kabllor (SCTE).

Nga pesë prezantimet e planifikuara për këtë konferencë, i pari foli Dr. Shyqri Haxha, kryeshef ekzekutiv i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës sh.a., i cili paraqiti angazhimet perspektive të PTK-së në fushën e telefonisë fikse dhe mobile, ndërsa drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese të MTPT-së, Agim Kukaj, foli për synimet e zhvillimit të infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në rajon, përkatësisht në Evropën Juglindore, duke ofruar të dhëna krahasuese për këto zhvillime.

Gjatë rrjedhës së konferencës, pjesëmarrësve iu drejtuan edhe Eberhard Gauger, Kieth Mothersdale dhe Velimit Gudec, paraqitja e të cilëve e begatoi punën e konferencës.

Në orët e pasdites, në ambientet e hotelit “Victory” u hap panairi, pjesë përcjellëse e konferencës, në të cilin u prezantuan mbi pesëmbëdhjetë kompani prestigjioze ndërkombëtare, të cilat ofrojnë prodhime dhe shërbime nga fusha e telekomunikimeve.

 

Burimi: MTPT

Lajmet e fundit>