Lajmet

Sot organizohet BarCamp Gjakova #10

Nov 22 2014
0 Shpërndarje
Sot organizohet BarCamp Gjakova #10

10418510_591012884377196_4651951632970015893_nNë kuadër te Javës Ndërkombëtare të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week), organizon sot Barcamp Gjakova #10. Të shtunën, më 22 nëntor 2014 Komuniteti Aktiv Qytetar organizon konferencën jo-zyrtare të radhës, BarCamp Gjakova #10, ku synohet prezantimi i ideve, inovacioneve, dhe diskutimi i hapur rreth çështjeve të ndërmarresisë dhe zhvillimit të biznesit në Kosovë. Barcamp Gjakova #10 do të mbahet në Gjakovë, duke filluar nga ora 17:00.

Sipas organizatorëve, në BarCamp Gjakova #10 do të ketë disa tema të larmishme për diskutim dhe folësit do të ndajnë eksperiencën e tyre, ku mund të përmendim: Fatos Axhemi, Jeta Pajaziti dhe Visar Lluka.

Fatos Axhemi është nga Gjakova ; me profesion ekonomist. Me përvojë mbi dhjetë vjeçare në kompani të ndryshme në sektorin komercial dhe financiar. Kryesisht i përfshirë në ngritje të kapaciteteve dhe menaxhim të ekipeve shitëse dhe promovuese. Gjithashtu, ai është i angazhuar si konsulent në projekte të ndryshme. Aktualisht, drejtor ekzekutiv i Qendrës Inovative të Gjakovës – JIC. Fatos Axhemi do të flasë mbi rolin dhe funksionin e Jakova Innovation Center; mundësitë për zhvillim dhe nxitjen e ideve te reja sipërmarrëse.

Ndërsa referuesja tjetër, Jeta Pajaziti ka përfunduar magjistraturën në Administratë Publike në Carleton University, Otavë, Kanada dhe Fakultetin në Ekonomi Politike Ndërkombëtare dhe Administrim Biznesi në Trent University, Peterborough, Kanada. Gjatë studimeve dhe më pas, Jeta Pajaziti është marrë me një sërë aktivitetesh vullnetare, duke përfshirë udhëheqjen e Shoqatës së Studentëve Ndërkombëtarë në Trent, anëtarësim në Klubin Rotarian Prishtina Dardania, dhe aktivitete të tjera me të rinjtë. Ajo është kthyer në Kosovë prej dy  vitesh dhe deri më tani është angazhuar në institutin GAP si hulumtuese, në MDA si koordinatore e projekteve dhe, tani, në ePayTech si Udhëheqëse e Zhvillimit të Biznesit dhe Menaxhere e qendrës PRAKTIK. Në BarCamp Gjakova ajo do të prezantojë rreth hapjes së qendrës së trajnimeve PRAKTIK dhe rreth përvojave të saj si ndërmarrëse e re.

Referuesi i tretë është Visar Lluka, i cili është drejtor i kompanisë Tekniku. Kompania Tekniku është themeluar ne vitin 1989, dhe është Ndërmarrja më e vjetër në Kosovë që merret me pajisje të mbrojtjes nga zjarri. Tekniku është një kompani e cila mbështet dhe aplikon konceptet inovative ne po thuajse të gjitha proceset e biznesit.  Ne Barcamp Gjakova, Visari do të prezantoj eksperiencën e tij në themelimin, zhvillimin dhe maturimin e biznesit ndër dekada.

Vendi ku do të mbahet ky aktivitet është DEL House ne Gjakovë. Komuniteti Aktiv Qytetar (KAQ) nga Gjakova ka qëllim që ti bashkoj qytetarët aktiv, profesionistët, artistët dhe ndërmarrësit e rinj për të kontribuar si dhe bashkëpunuar në krijimin e ideve, projekteve, trajnimeve profesionale, ngjarjeve kulturore dhe artistike në qytetin e Gjakovës. Barcamp Gjakova mbështetet nga IPKO Foundation.

PCWorld Albanian është sponsor mediatik i BarCamp Gjakova. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>