Lajmet

Sot pritet arritja e akordit mes Telekomit të Kosovës dhe Z Mobile

May 24 2017
0 Shpërndarje
Kjo marrëveshje vjen afro dy muaj pas vendimit të Gjykatës së Lartë Angleze e cila hodhi poshtë apelimin e Telekomit të Kosovës Sot pritet arritja e akordit mes Telekomit të Kosovës dhe Z Mobile

Telekomi i Kosovës njoftoi se ditën e sotme pritet të nënshkruhet marrëveshja mes Drejtorit Ekzekutiv Agron Mustafa dhe pronarit të Z-Mobile z. Blerim Devolli pas vendimit të gjykatës së arbitrazhit.

Në ftesën për mediat shkruhej:

Ju ftojmë në konferencën për media të Drejtorit Menaxhues të Telekomit të Kosovës, z. Agron Mustafa dhe pronarit të Dardafon (Z-Mobile) z. Blerim Devolli që do të mbahet, sot, e mërkurë, me datë 24 maj 2017, në ora 11:00, në ndërtesën kryesore të Telekomit të Kosovës/Valës, ku do të nënshkruhet marrëveshja e mirëkuptimit pas vendimit të Arbitrazhit.

Ju mirëpresim!

Kjo marrëveshje vjen afro dy muaj pas vendimit të Gjykatës së Lartë Angleze e cila hodhi poshtë apelimin e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të parë ku ishin identifikuar shkelje si mosfurnizimi me karta SIM, mosfurnizimi me numra, mos ofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G si dhe ulja e cilësisë së shërbimeve.

Më 25 Janar të 2016-ës kompania e ofrimit të shërbimit të telefonisë së lëvizshme Z-Mobile në pronësi të Devolli Group paditi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Z Mobile beson se Telekomi i Kosovës ka dëmtuar qëllimit biznesin e saj dhe si rezultat kërkonte dëmshpërblim 44 milion e 408 mijë Euro.

Në padinë e publikuar fillimisht nga Insajderi në Qershor të vitit të kaluar, Z Mobile shprehej se ishte dëmtuar me një vlerë prej 2 milion e gjysmë Euro vetëm nga refuzimi i furnizimit me karta SIM, 2 milion e 45 mijë nga mosdhënia e shërbimeve 3G dhe 4G si dhe 2 milion e 135 mijë Euro nga mosdhënia e numrave të rinj.

Në marrëveshjen e mirëkuptimit cila do të nënshkruhet ditën e sotme pritet gjetja e një akordi për dëmshpërblimin. Ka patur zëra edhe nga vetë lidershipi i Telekomit të Kosovës të cilët thonin se kjo padi mund ta çojë Telekomin drejt falimentimit. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>