Biznes

Sportet elektronike shqiptare tani e tutje do të kenë një pikë të përbashkët

Aug 25 2010
0 Shpërndarje
Sportet elektronike shqiptare tani e tutje do të kenë një pikë të përbashkët

Sportet elektronike janë një prej sporteve më të popullarizuara anembanë botës dhe turnet e garat ndërkombëtare që organizohen kanë respekt të veçantë dhe mbështeten prej shumë institucioneve, kompanive e organizatave të ndryshme. Kjo skenë e sporteve elektronike është shumë pak e mbështetur në Kosovë e Shqipëri dhe deri më tani është organizuar vetëm nga fuqitë vetanake të entuziastëve të këtyre sporteve, të cilët me kapacitet e veta kanë arritur sado-kudo t’iu ofrojnë rastin shumë të rinjve që të garojnë me të tjerët nëpër qytete të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kompania ITBM Group e ka pa të arsyeshme që të intervenojë dhe të jetë e para që të ofrojë mbështetjen e saj për komunitet dhe muajt e fundit ka punuar mjaft shumë në këtë drejtim. Kjo medie do të jetë edhe shenja identifikuese e entuziastëve të lojërave ku ata do të kenë rastin të njoftohen për të rejat më të fundit rreth lojërave, rreth analizave të ndryshme të tyre nga profesionistë të kësaj fushe, pastaj në të, të gjithë të interesuarit do të mund të regjistrojnë ekipin e tyre për të garuar në ndonjë turne përkatës, do të mund të përcjellin renditjen e ekipit të tyre në tabelë, do të mund të shohin konkurrentët e tyre e shumëçka tjetër. Ueb faqja tani për tani është në fazat fillestare por pritet që të kompletohet shumë shpejtë dhe të jetë gati për gejmerët.

Sipas ITBM Group, GameWorld do të jetë vendi ku të gjithë gejmerët jo vetëm nga Kosova e Shqipëria por edhe nga Maqedonia, Mal i zi dhe vende të tjera do të kenë rastin të takohen dhe të diskutojnë gjëra në mënyrë profesionale. Përmes saj do të tentohet që të ofrohet mbështetje serioze për këtë komunitet dhe si synim do të jetë organizimi i garave të ndryshme vendore, garave rajonale, e ndërkombëtare.

Nga ana tjetër ky është një komunitet apo thënë ndryshe me terma marketingut një “target group” shume i fuqishëm blerës sepse zakonisht të gjithë janë të rinjë qe duan apo vazhdimisht duan të blejn paisje të reja teknologjike. Në fakt këta djem të rinjë janë të vetmit klient për kompjuter të shtrenjt përveq atyre pak rasteve të ndryshme që dikush dëshiron më shume se një kompjuter të zakonshëm.

Duke pasur parasysh rëndësinë e projektit, GameWorld do t’iu ofrojë rastin të gjithë atyre që dëshirojnë të ushtrojnë këtë profesion (profesion mund ta quajmë sepse sportist në sporte elektronike është pothuajse ngjashëm me profesionin e një futbollisti) ta bëjnë këtë në mënyrë profesionale dhe të njohur ndërkombëtarisht.

Synimet e para të GameWorld thuhet se do të jenë organizimi i një turneu ndërkombëtar me licencë nga World Cyber Games apo Electronic Sports World Cup , me ç’rast do të ftohen ekipet më të njohura rajonale në Kosovë që të garojnë me ekipet më të forta të Kosovës. Por data të sakta se kur do të organizohet ky turne nuk ka megjithëse, thuhet se do të bëhet në të ardhmen e afërt.

Duhet theksuar se një prej kontribuuesve më të mëdhenj në organizimin e turneve vendorë në Kosovë dhe në bashkimin e këtij komuniteti ka qenë dhe është www.kosovagamers.com, e cila përmes forumit të saj ka kontribuar me maksimumin e saj. Ky forum tani e tutje është futur nën ombrellën e kompanisë ITBM Group e cila e ka blerë para pak kohe dhe do të luajë një pjesë të rëndësishme në zhvillimin e sporteve elektronike, dhe përveç kësaj do të bashkohet me GameWorld që ta bëjnë një medie sa më të fuqishme për mbështetjen e këtyre sporteve.

Lajmet e fundit>