Lajmet

Startup Week 2011, mundësi për ndërmarrës të rinj nga Kosova

Jul 25 2011
0 Shpërndarje
Startup Week 2011, mundësi për ndërmarrës të rinj nga Kosova

Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj sesi ndërmarrës të rinj po nxisin ndryshime anembanë botës dhe gjatë kësaj rruge po gjenerojnë vende të reja të punës, zhvillime ekonomike, të hyra financiare, e shumëçka tjetër.

Në rrugëtimin për të identifikuar problemin dhe për të gjetur një zgjidhje, nuk janë të shumtë ndërmarrësit nga Kosova, megjithatë kohëve të fundit po shohim në skenë sesi përmes shërbimeve të ndryshme në internet apo edhe në rrjete sociale, këta ndërmarrës po sjellin ide të reja dhe tërthorazi po ndikojnë në zhvillimin e startup skenës së Kosovës.

Por çudit fakti sesi në konferenca të natyrës që sjellin investitorë, trajner, ligjërues, ndërmarrës së suksesshëm, gazetarë e shumë njerëz të tjerë kyç të kësaj industrie, nuk ka shumë pjesëmarrës, sidomos në Kosovë.

Arsyet rreth kësaj mund të jenë të ndryshme, por në treg ekziston frymëzimi për pjesëmarrje më të mëdha në ngjarje të këtilla, vetëm se vendi ynë duhet të ketë më shumë sosh. 

Startup Week 2011, merrni pjesë!

Megjithatë, edhe pse tek ne janë me numër të vogël, konferenca të këtilla në pjesë të ndryshme të botës nuk mungojnë. Startup Week, një prej mbështetësve më të fuqishëm të konferencës Startup Live Casting Prishtina, është duke organizuar me 3 – 7 tetor një lloj festivali të startup skenës Evropiane, duke bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe prej më shumë se 35 shteteve të Evropës, përfshirë edhe Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë.

Startup Week 2011, që mbahet në Vjenë (3-7 tetor), pritet të jenë të pranishëm 50 startups, 100 Business Angels (…ky term është paksa i panjohur tek ne por megjithatë natyra e Business Angels është e ndërlidhur me investim), pastaj më shumë se 1000 pjesëmarrës çdo ditë, 70 ligjërues, lider të industrisë dhe gazetarë, 35 shtete pjesëmarrëse, etj.

Duke mbledhur së basku ndërmarrës, lider, bloger e gazetarë për tu fokusuar në çështje kyçe dhe mundësi rreth startup skenës së Evropës, Startup Week është një vend shumë i rëndësishëm ku në mes tjerash pjesëmarrësit mund të takohen me njerëz të sferave të ndryshme, të krijojnë lidhje të reja, të takohen me njerëz kreativ apo edhe me njerëz profesionistë si Mike Butcher (themeluesi i TechCrunch), Morten Lund (Skype), Steve Rogers (Google), e shumë të tjerë.

Ekipi fitues i Startup Live Casting Prishtina, “The Pitchers” me idenë e tyre për të ndryshuar mënyrën e mësimit përmes një sistemi online me rrathë, ka fituar biletë për pjesëmarrje falas në kuadër të Startup Week 2011, dhe të konkurrojë me 50 ekipet tjera pjesëmarrëse. 

Si të aplikoni?

Kur jemi tek ekipet pjesëmarrëse, duhet theksuar kushdo që ka një ide (edhe pjesëmarrës nga Kosova e Shqipëria) që është deri diku e formuar mirë dhe ka një demo version “deri diku funksional” (nuk do të thotë të kesh diçka të këtillë, por kur merr pjesë në ngjarje të këtilla ku duhesh të bindësh investitorët, një produkt demo që është deri diku funksional apo më mirë tërësisht funksional, mund t’i bindë shumë më shpejtë), mund të aplikojë online deri me 10 gusht të këtij viti. E nëse arrin të ec tutje përmes fazave të seleksionimit, atëherë ekipi me idenë e mahnitshme do të ketë rastin që të kalojë një vjeshtë edhe më të nxehtë në Vjenë. 

Në mesin e 50 finalistëve të përzgjedhur me kujdes, vetëm 10 do të kenë rastin për të prezantuar, por më besoni kur ju them se ata do të prezantojnë para një paneli të mahnitshëm, që mund t’ju sjell investime prej njerëzve të rëndësishëm dhe mbulim media prej gjigantëve medial ndërkombëtarë. (fituesi do të jetë edhe i pranishëm në një artikull të detajuar në TechCrunch). 

Sa kushton? 

Për të aplikuar nuk kushton asgjë. 50 startup’s të përzgjedhur do të pranojnë 2 tiketa pa pagesë për të marrë pjesë dhe për të prezantuar në këtë garë. Sipas kërkesave nga Startup Week 2011, pjesëmarrësit duhet të kenë një startup të ri dhe që nuk është më i vjetër se katër vjet, ndërsa në përgjithësi ajo që po kërkohet për rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe për shtetet Gjermano-folëse janë startups të fuqishëm me ide të industrisë mobile dhe të uebit. 

Startup’s që nuk dëshirojnë të marrin pjesë apo që nuk janë përzgjedhur gjatë aplikimit mund të blejnë tiketë online me një çmim më të mirë deri me 10 gusht, më pas sa më shumë që vonoheni çmim do të jetë më i shtrenjtë. Për studentë kostoja është edhe më e ultë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>