Lajmet

Starup Grind Tirana, deri tani ka mbajtur dy evente me të ftuar Gentian Likaj dhe Lindita Shomo

Nov 3 2014
0 Shpërndarje
Starup Grind Tirana, deri tani ka mbajtur dy evente me të ftuar Gentian Likaj dhe Lindita Shomo

startup gridJavën e kaluar u mbajt eventi Startup Grind Prishtina mundësuar nga Google For Entreprenuers, ku e ftuar ishte Ulpiana Laman, një eksperte në fushën e komunikimit e cila ndau idetë dhe disa nga eksperiencat e saj me student dhe të rinj të pasionuar pas sektorit të ICT-së. Por sektorit ICT në Shqipëri nuk i mungon po ashtu një event i tillë, dhe tashmë për këtë vit janë mbajtur dy të tillë, 10 shtator dhe 16 tetor, ku të ftuar ishin Gentian Likaj dhe Lindita Shomo.

Eventi u prezantua nga Endri Mataj, një sipërmarrës i ri i pasionuar pas teknologjisë me një objektiv të qartë: kreativiteti dixhital dhe inovacioni në komunitetet lokale. Endri Mataj mban një diplomë master shkencor në telekomunikacion dhe menaxhim rrjeti nga Universiteti i Sirakuzës në New York si dhe një diplomë bachelor në shkencat kompjuterike në Universitetin e Moskës. Endri ka shërbyer si këshilltar ICT pranë kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa më përpara kishte mbajtur disa pozicione të ndryshme në administratën publike. Endri është CEO dhe bashkë themelues i ARPAD Partners si dhe bashkë themelues i një startup-i në Indi.

I ftuari i datës 10 shtator ishte Gentian Likaj, themelues dhe CEO i Communication Progress. Ai e filloi karrierën e tij si një ekspert softueri në vitin 1995 tek Alcatel Itali. Ai ka zhvilluar aftësitë e tij në krijimin e paketave softuerike dhe databazave për rrjetin e telekomunikacionit në Shqipëri. Tashmë, Communication Progress ka mbi 40 punonjës, ku 30 janë inxhinierë dhe zhvillues softuerësh. Tema e diskutimi në eventin e Startup Grind ishte “Sfidat e të bërit biznes në Shqipëri”. Gentiani vendosi theksin tek problemi se “çfarë do shesësh, dhe sa besnik dhe i qëndrueshëm do të jesh ndaj klientëve nesër në të ardhmen, në mënyrë që të bindësh konsumatorët që atë produkt që ti shet ato ta blenë.” Po ashtu Likaj citoi dhe rëndësinë që të kuptojmë në atë treg se cilët janë blerësit potencial dhe sa në numër. Gjithashtu besimi i konsumatoreve shpreh edhe qëndrueshmërinë e kompanisë. Gentian Likaj tha se i qëndroj idesë se kjo është çështje individësh për të ndërmarrë hapa të tillë dhe inkurajoj gjithsecilin që ka një ide dhe mendon se ajo do të jetë e suksesshme, ta implementojë atë.

Përsa i përket eventit të 16 tetorit, e ftuar ishte shefja ekzekutive (CEO) e EasyPay,Lindita Shomo. Ajo ka një eksperiencë pune 20 vjeçare në teknologjinë e informacioni, 15 vite në sektorin financiar dhe 8 vite në administrim biznesi. Shomo mban një diplomë master në administrim biznes si dhe ka në pronësi një CMCE nga instituti për konsulencë biznesi në Londër. Ajo ka menaxhuar departamentet IT për 10 vite me radhë në institucione të tilla si Banka Amerikane e Shqipërisë, Western Union etj. Në temën e saj, ajo foli për revolucionin e pagesave, ku citoi se tashmë nuk kemi të bëjmë më me thjesht evolucion. Ajo vazhdoi me tej duke thënë: “Se ekzistojnë kompani teknologjike që duan të hyjnë në sektorin financiar ashtu si dhe kompanitë celulare. Çdo platformë do përshtatje me tregun dhe nuk mund ta marrësh dhe implementosh me Copy – Paste.” Shomo foli për rëndësinë e njohjes së tregut lokal që të arrish të implementosh një produkt ashtu siç duhet si dhe për të qenë i suksesshëm duhet që portofoli i shërbimeve të jetë sa më i madh dhe kështu mund të bëhesh mjaft popullor. Ajo tha: “Që të arrish suksesin, me patjetër nevojitet diçka konkrete si dhe një treg minimal i garantuar, përndryshe do të jetë shumë e vështirë”. Eventi i radhës i Startup Grind Tirana do të mbahet ditën e enjte, më 13 nëntor. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>