Harduer

Steve Jobs mendoi të krijonte celularin e parë në vitin 1984

Jul 29 2013
0 Shpërndarje
Steve Jobs mendoi të krijonte celularin e parë në vitin 1984

Ish – shefi ekzekutiv i Apple, John Sculley, u shpreh në një intervistë se Steve Jobs kishte menduar për të krijuar një celular Apple që në vitin 1984, në të njëjtin vit kur kompania prezantoi Macintosh-in e parë, i cili revolucionarizoi mënyrën se si funksionin kompjuterët personalë.

“Më kujtohet kur po punonim me telefonët Mac në fund të vitit 1984. Steve kishte menduar për ato produkte që në atë kohë,” u shpreh Sculley.

“Thoshte shpesh se gjërat më të rëndësishme nuk janë vetëm ato që ndërtojmë, por edhe ato që nuk ndërtojmë. Ishte shumë rigoroz kur vinte puna tek thjeshtëzimi i gjërave.”

Sculley, i cili u largua nga Apple në vitin 1993, tha gjithashtu se një version më i lirë i iPhone-it, siç po spekulohet kohët e fundit, nuk bie ndesh me vizionin e Jobs për smartfonin. “Nuk besoj se do të ishte diçka kontradiktore nëse do të zgjerohej linja e produktit. Nuk besoj se bëhet fjalë për smartfonë prej 100 $. Ajo që mendoj unë, dhe ky është thjesht mendimi im pasi nuk ka informacione nga brenda kompanisë, është se ata do të tentojnë të përmirësojnë produktet që kanë me cilësi të lartë.”

“Një nga gjërat më të rëndësishme për Apple janë adhuruesit e saj. Për shembull, kur doli iPad mini, të gjithë ata që kishin një iPad shkuan e blenë edhe një mini. E njëjta gjë ndodh edhe me produktet e tjera. Apple është si BMW dhe BMW nuk konkurron me markat që shesin produkte me çmim të ulët. Mendoj se Apple do të vazhdojë në rrugën e duhur. Sipas mendimit tim, shefi ekzekutiv aktual Tim Cook ka bërë punë të shkëlqyer në kompani.”

Sculley dha edhe mendimin e tij lidhur me pyetjen se cila kompani mendon ai se mund të jetë Apple i radhës. Përgjigjja ishte: Amazon. “A ka ndonjë tjetër që do të jetë Steve Jobs i rradhës? Mendoj se Jeff Bezoz i afrohet shumë. Është shumë i zgjuar dhe krijues. Ka rizbuluar mënyrën se si realizohet tregtia online.” (PCWorld Albanian)

Steve Jobs

Lajmet e fundit>