Lajmet

Steven Sinofsky: Ja përse disa përdorues nuk e pëlqejnë Windows 8

Jun 1 2013
0 Shpërndarje
Steven Sinofsky: Ja përse disa përdorues nuk e pëlqejnë Windows 8

Ish – shefi i Windows-it, Steven Sinofsky, ka folur gjatë konferencës D11 që organizohet nga AllThingsD lidhur me sistemin e fundit operativ të Microsoft-it, Windows 8.

Gjatë fjalimit të tij, Sinofsky u shpreh se është pothuajse e pamundur të arrish të parashikosh se si do të jetë reagimi i vërtetë i përdoruesve ndaj Windows 8. Ai shtoi gjithashtu se disa nga adaptuesit e hershëm me siguri nuk do ta pëlqenin.

“Lançimet paraprake nuk e ndihmojnë domosdoshmërisht një produkt totalisht të ndryshëm nga të tjerët,” u shpreh Sinofsky lidhur me natyrën e Windows 8. “Për produkte të tilla është e vështirë të bësh testime reale, duke qenë se për shembull, një miliardë njerëz do të presin që produkti të blihet nga një miliardë të tjerë, para se ta blejnë vetë.”

Sinofsky foli gjithashtu mbi opinionin e tij se përse mendon që testimet e bëra paraprakisht nuk japin reagimin e duhur. “Kur testohet një produkt para se të lançohet në treg, njerëzit janë disi skeptikë.

Ashtu siç kanë refuzuar fillimisht sistemin e vjetër, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe me të riun. Kështu për shembull, njëqind njerëzit e parë nuk do të jenë aspak të kënaqur.” Duke marrë parasysh tregun e PC-ve mund të themi se Windows 8 po has vështirësi në adaptimin e tij.

Sipas IDC, tregu i PC-ve ka rënë me 13% në tre muajt e parë të vitit 2013. Ndërkohë, Microsoft-i ka deklaruar se Windows 8 ka shitur 100 milionë licenca, edhe pse kjo shifër nuk reflekton përdorimin e vërtetë të sistemit.

Kur u pyet nëse ishte i zhgënjyer me performancën e Windows 8, Sinofsky citoi një fjali nga Microsoft-i: “Nuk mund të shohësh që janë shitur 100 milionë kopje dhe të mos jesh i kënaqur.”

Ai foli gjithashtu edhe në lidhje me Surface dhe arsyen pse Microsoft-i po drejtohet tek prodhimi i pajisjeve të ngjashme me ato të Apple. Ai shpjegoi se gjithçka lidhet me integrimin e të gjitha pjesëve në një ekosistem të vetëm, që ofron një përvojë të plotë për përdoruesin duke lidhur të gjitha pajisjet e tij dhe duke e bërë punën më të thjeshtë. (PCWorld Albanian)

windows 8

Tags >

Windows 8
Lajmet e fundit>