Vëzhgim

Studentët e UP-së prezantojnë robot “Made in Kosova”

Sep 17 2010
0 Shpërndarje
Studentët e UP-së prezantojnë robot “Made in Kosova”

Roboti që u prezantua sot në sallat e Fakultetit Teknik, të Universitetit të Prishtinës në Kosovë, nga këta dy studentë është prodhuar me fuqi vetanake dhe me vetkontribut në shumë aspekte, e përveç kësaj studentëve në fjalë i është dashur më shumë se 1 vit që të arrijnë të gjejnë pjesët dhe të kompletojnë punën e tyre në një robot të quajtur “R1” që është në gjendje të lëviz në distanca të caktuara dhe përmes dorës lëvizëse robotike të kap gjësende të ndryshme.

R1 ka një gjatësi prej 48 cm, gjerësi prej 35 cm, peshon 11.5 kg dhe është në gjendje të lëviz me një shpejtësi prej 0.35 m/s. Krahu i tij apo siç thamë dora robotike ka katër gishta dhe 3 nyje, kurse mund të sillet me kënd të hapjes prej 135 shkallë, dhe mund të rrotullohet për 360 shkallë.

Roboti posedon gjashtë motor, ku secili në vende mundëson një lëvizje të caktuar, për shembull të rrotave, drejtimin e tyre, lëvizjen e krahut, dorës, etj. Përveç kësaj çdo motor ka nga dy rele automatike që vihen në funksion përmes telekomandës, dhe çdo rele ka për detyrë të aktivizojë motorin në atë drejtim që dëshirohet.

E tërë procedura e drejtimit të robotit mund të bëhet përmes joystick-ut me radiovalë që punojnë në frekuencë 27 Mhz. “Kjo telekomandë është shumë argëtuese sepse kam shfrytëzuar telekomanda nga lojëra të fëmijëve për ta kompletuar atë” shprehet Rinor Zeqiri, ideatori i projektit.

Sipas autorëve të projektit qëllimi është që ky robot prototip që u prezantua sot të mund të zëvendësojë njeriun në të ardhmen në punë të rrezikshme, pasi që sipas tyre R1 mund të përdoret edhe për deminim.

Rinor Zeqiri thekson se pavarësisht se është dashur kohë e gjatë për të gjetur dhe kompletuar pjesët, entuziasmi për të arritur diçka të këtillë asnjëherë nuk është ndalur, edhe pse kostoja e këtij projekti nuk është bërë e ditur. “Thjeshtë nuk e dimë sa ka kushtuar, por ne arritëm të krijojmë një robot” thekson ai.

Gjatë prezantimit të robotit u vërejt se ka edhe një kamerë në të, për të cilën Rinori thekson se në të ardhmen do të përfshihet si pjesë e projektit për të komunikuar përmes rrjetit pa tela me kompjuter, në mënyrë që të bëhet dirigjim edhe më preciz në zona ku nuk mund të futet njeriu. “Kamera do të jetë opsion shtesë për këtë robot, megjithëse tani për tani nuk kemi arritur ta aktivizojmë atë për shkak të kostos së lartë dhe kufizimeve buxhetore që kemi pasur”.

Autorët u shprehën se prototipi robotik do të vazhdojë rrugëtimin e tij përtej Kosovës dhe do të prezantohet në një panair në Gjermani.

Dr. Sc. Arbnor Pajaziti, ligjërues i lëndëve “Robotët dhe manipulatorët”, “Dinamika e makinave”, “Mekatronika”, “Aplikimi teknik i sistemeve inteligjente”, “Bazat e Transportit Inteligjente” dhe “Robotët mobil dhe autonomë, në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike – Dega Konstruktim dhe Dizajnim, ishte i pranishëm në këtë prezantim, së bashku me disa profesorë të tjerë të këtij Fakulteti, dhe entuziasmi i tij për këtë projekt nuk mund të anashkalohej. Ai u shpreh se këta studentë duhet përgëzuar për punën e tyre dhe se shpreson që këta dy do të jenë shembull që edhe të tjerët të përcjellin hapa të ngjashëm. “Shpresoj se edhe në të ardhmen do të vazhdohet me projekte të tilla, dhe se roboti R1 do të avancohet me kamerë, sensor, e gjëra të tjera që do ta bëjnë edhe më modern” u shpreh z. Pajaziti.

Duhet theksuar se edhe në vitin 2006 ishte prezantuar një robot “Made in Kosova”, përkatësisht nga Jakup Berisha, BSG ENG. nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Aplikative në Mitrovicë, që quhej RoboKos dhe cilësohej si roboti i parë i prodhuar në Kosovë. Në vitin 2007 i njëjti entuziastë pati sjellë një version të përditësuar të këtij roboti.

Në vitin 2008, Studentë nga Universiteti për Biznes dhe Tregti në Kosovë, madje arritën që të përfaqësojnë Kosovën në Kampionatin Evropian të Futbollit për Robot. Ekipi i tyre robotik mbante emrin “Skënderbeu” dhe ishte dizajnuar nga profesor vendor dhe ndërkombëtarë. /pcworld.al

Lajmet e fundit>