Siguri

Sulmohet antena e operatorit “Vala” në veri të Kosovës

Sep 27 2010
0 Shpërndarje
Sulmohet antena e operatorit “Vala” në veri të Kosovës

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i cili tha se ky incident ka qenë në mesin e disa incidenteve që gjatë kësaj fundjave kanë përshkuar rajonin e Mitrovicës nëpër lokacione të ndryshme në komunat e veriut të Kosovës.

“Ekspertët e Policisë së Kosovës, kanë konstatuar se një mjet shpërthyes, me peshë prej rreth 200 gram, i llojit të eksplozivit “TNT”, që besohet të ketë qenë nxjerrë nga një minë kundër këmbësorie e tipit “PMA-1”, ishte modifikuar në mënyrë artizanale për të hedhur në ajër antenën e një transmetuesit telefonik”, ka thënë Hoti, transmeton Kosovapress.

Sipas tij, një ankues, i përkatësisë etnike serbe, banor i fshatit Tvërgjan, komunë e Leposaviqit, ka njoftuar autoritetet policore për identifikim të një mjeti të dyshuar eksplodues të vendosur në transmetuesin e rrjetit të operatorit telefonik “Vala”, e cila ishte e vendosur në oborrin e shtëpisë së tij, ndërkohë që njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive me sukses ka arritur të çmontojë dhe neutralizojë mjetin shpërthyes.

Njësitë përkatëse të policisë, kanë dalë në vend ngjarje dhe në kuadër të veprimeve të tyre të përcaktuara me ligj, kanë ndërmarrë veprimet e duhura. /gazetaexpress.com

Lajmet e fundit>