Vëzhgim

Superstars V8 Racing

Apr 1 2010
0 Shpërndarje
Superstars V8 Racing

Bazuar në një kampionat jo shumë të njohur, që është Supercars V8, dhe në heroin kryesor të viteve të fundit, ish-kolaudatorin dhe pilotin e Formula 1, Gianni Morbidelli, Superstars V8 Racing niset që në fillim me një mangësi mjaft të ndjeshme krahasuar me shumë konkurrentë modernë; atë të shumëllojshmërisë së garave dhe modeleve. Gjithashtu loja nuk përmban as një meny karriere dhe as një mënyrë personalizimi të pilotit; në stil të plotë të para viteve 2000 dhe të varianteve të njëpasnjëshme të Formula 1, loja ofron vetëm zgjedhjen e një karakteri bazë të gatshëm nga pilotët e listuar.

Grafika dhe të tjera
Zakonisht grafika nuk është ajo që kërkojnë të pasionuarit e vërtetë të garimit virtual; përgjigjja dhe manovrimi i mjetit për to ka më shumë rëndësi, por në përgjithësi, argëtimi i pastër dhe doza të shëndosha të një grafike spektakolare janë më shpesh kriteret bazë të masës.

Loja është bazuar në të njëjtat librari si edhe versionet e mëparëshme të SuperBike dhe Moto GP, por kjo nuk është një arsye se pse edhe ndërfaqja e saj dhe menytë kryesore të jenë kaq të ngjashme dhe, më duhet ta them, pak të thata për fundin e vitit 2009.

Në pamje të parë, grafika është mjaft e saktë, me një nivel detajimi të kënaqshëm për një lojë Direcx X 9. Megjithatë, një përpjekje pak më e madhe për të shtuar ndonjë kusht atmosferik më shumë se vetëm mot me diell dhe me shi, do të kishte qenë shumë e vlerësuar. Ka disa efekte të bukura të resë së shiut që ngrihet nga asfalti, por shiun duke rënë nuk do ta shikoni ndonjëherë dhe ndikimi në performancën e mjetit është mjaft i vogël.
Gjithashtu pemët rrotull pistave nuk janë të modeluara me shumë kujdes dhe gjatë lojës është e lehtë të dallosh planet ku janë ngjitur imazhet me gjethe. Need For Speed 2000 ka pasur një grafikë më të mirë të terrenit rrethues, ajo ku V8 Racing dështon në mënyrë të pafalshme në grafikën e saj është pikërisht cilësia e teksturave dhe aplikimi i tyre i pakujdesshëm; bari është paksa tepër uniform për t’i krijuar trurit tuaj iluzionin e vërtetësisë dhe po kështu pirgjet e dheut në krahët e rrugës.

Arkitektura e pistave është mjaft e detajuar, por kur vjen fjala për publikun, edhe këtu është e lehtë të shquash masat e drejtkëndëshave me foto të ngjitura personash dhe kjo është përsëri diçka që në një lojë të sotme nuk duhej ta shikonim.

Fizika
Siç thamë, fizika është ajo e trashëguar në pjesën më të madhe nga lojërat e mëparshme me motoçikleta. Ajo ruan pak atë linearitetin që u ngjan tramvajeve që lëvizin mbi binarë. E papranueshme për të pasionuarit e vërtetë, një ndër kërkesat themelore për lojtarët e rastësishëm.
Të mbash makinën në pistë nuk është aspak e vështirë; kjo vetëm pasi keni mësuar të përdorni tastat pak të pazakontë të paracaktuar për manovrimin e mjetit. Siç e thamë, shi apo diell, nuk ka ndonjë ndikim të madh në sjelljen e makinës. Nuk ka asgjë jashtëzakonisht të veçantë në mënyrën e ngarjes dhe asgjë të veçantë që t’i diferencojë makinat në ndonjëfarë mase në performancë.
Dëmtimi është një ndër fushat ku kohët e fundit janë bërë më shumë përparime; mjafton të përmendim etalonin tonë të plotësimit të një loje me makina, Racedriver GRID, ku aksidentet spektakolare dhe copëzimi dhe shtrembërimi i mjetit deri në pjesët e tij elementare, duke përfshirë dhe dëmtime fatale, të cilat nuk ju lejojnë ta vazhdoni garën, janë në rend të ditës. Të sqarohemi që në fillim; këto gjëra këtu mund t’i harroni. Dëmtimi i vetëm i disponueshëm duket se është një shtrembërim i lehtë i pjesës së përparme dhe të pasme të mjetit, ndërkohë që dhe ky është i kufizuar.
Sjellja e makinës, kur dilni në rërë, nuk është e keqe; humbja e kontrollit është e ndjeshme, megjithëse drejtimi është ende mjaft i qëndrueshëm për të qenë real. Ajo që ishte vërtetë qesharake qe reagimi i mjetit ndaj goditjeve gati ballore në guardrailin anësor të pistës; në moment makina orientohej pingul me të, duke ndaluar. Edhe pasi e provova disa herë këtë manovër, nuk më shërbeu as të mendoja disa dhjetëra sekonda duke kruajtur kokën se pse kishin implementuar një reagim kaq të panatyrshëm ndaj një përplasjeje. Dhe në lojërat prehistorike 3D të bazuara në MS-DOS, reagimi më i zakonshëm dhe standard ishte që mjeti oriendohej përgjatë pistës për të thjeshtuar rifutjen në garë dhe jo pingul me të… nejse.

Inteligjenca Artificiale
Inteligjenca artificiale është një fjalë goje ta përmendësh, por pak tituj në total mund të mburren se kanë një inteligjencë të mirë. Sigurisht, me gjithë problemet që përmendëm deri tani, eksperienca e lojës është ca e kompromentuar. Një inteligjencë e mirë artificiale, megjithatë, mund të shërbente për të mbyllur pjesën më të madhe të defekteve, për ta bërë konkurrencën kaq agresive dhe marramendëse, sa vështirë të kishit kohë për të soditur peisazhin apo për të vënë re reagimin e detajuar të mjetit.

Përsëri, fatkeqësisht, duhet të përballojmë në këtë lojë një problem komplet tjetër; kundërshtarët duken tmerrësisht të lehtë për t’u mundur, edhe në vendosjen e tyre më të vështirë, për të cilën komentohet se duhet të bësh një ngarje perfekte për ta mundur. Duket se kundërshtarët kanë një reagim më të shpejtë sesa duhet në frenim dhe përsëri në dalje nga kthesa duket sikur kanë një marsh më pak se ju. Vetëm në pak raste konkurrohet ca më ngushtë me Gianni Morbidellin, i cili përveçse është kampion i padiskutueshëm i grupit të udhëhequr nga kompjuteri, duhet të jetë programuar si një “kryezot i plotfuqishëm”, sepse është gjithmonë i pari dhe gjithmonë në pole position.

Efekti “llastik”, pra ai që në njëfarë mënyre mban grupin ngjitur me ju, është shumë, madje tepër i dukshëm; kështu mund të dilni nga pista sa të doni dhe jeni përsëri të sigurt se me pak përpjekje në xhiron tjetër do ta arrini sërish grupin kryesues.

Nëse pritni shkurt një kthesë, merrni një penalizim automatik, ku makina juaj kufizohet menjëherë të ecë me 60 milje në orë për pesë sekonda. Ndërkohë që si dënim mund të duket i drejtë, impakti jonatyral në eksperiencën e garës përsëri i shtohet grupit të atyre që kemi përmendur më lart.

Në total, është një eksperiencë e këndshme e garimit në fillim, por me kalimin e kohës, dhe besoj jo shumë kohë, mungesa e llojshmërisë së mjeteve, e kombinuar me atë të aktiviteteve dhe konkurrencës së vërtetë, mund të zbehin shumë tërheqjen nga kjo lojë. Nëse kërkoni diçka për të shuar etjen tuaj për grafikë dhe fizikë spektakolare, kombinuar me inteligjencë artificiale të kënaqshme, atëherë është mirë të prisni daljen në treg të DIRT 2 apo Force 3, ose mund të shqyrtoni një nga titujt ekzistues si TOCA apo GRID. Nga ana tjetër, nëse doni thjesht t’i bëni një dhuratë nipit tuaj në klasë të parë fillore, Super Stars V8 Racing mund të jetë pikërisht titulli që po kërkonit për dhuratën e tij më të bukur.

Lajmet e fundit>