Analiza

Suprizë: Apple Maps po ecën mjaft mirë ndërsa Google Maps po humbet përdorues

Nov 14 2013
0 Shpërndarje
Suprizë: Apple Maps po ecën mjaft mirë ndërsa Google Maps po humbet përdorues

apple-mapsNdoshta i mbani mend shakatë që filluan të bëheshin me Apple Maps menjëherë pas lançimit të iOS 6 në shtator 2012.

Ishin legjendare. Për shembull, se si Kolombi zbuloi Amerikën në vend të Indisë falë Apple Maps.

Por, shprehja “Qesh mirë kush qesh i fundit” nuk është pa vlerë. Google Maps mobile në iOS dhe Android përdorej nga 81 milionë njerëz gjatë muajit shtator 2012. Në shtator 2013, sipas të dhënave nga ComScore, numri ka rënë në 58.7 milionë. Vetëm brenda një viti, Apple Maps ka fituar 35 milionë përdorues të rregullt.

Shifrat janë edhe më të këqija nëse i referohemi vetëm iPhone-it. 35 milionë përdorues vijnë nga kjo pajisje, ndërsa 6 milionë është numri i përdoruesve të Google në iPhone.

Dhe, një e treta e tyre, e përdorin Google Maps për shkak se nuk kanë bërë kalimin në iOS 6 apo 7, sipas një analize nga The Guardian.

Pra, me pak fjalë, Apple Maps, shërbimi i hartave me të cilin u tallën të gjithë disa muaj më parë, për shkak të gabimeve të shumta në të, po përdoret rreth gjashtë herë më shumë sesa Google Maps, në rastet kur përdoruesit kanë mundësi të zgjedhin mes të dyjave.

Në iOS 7, Apple Maps ka pësuar përmirësime të mëdha. Jo vetëm që ndërfaqja është më e thjeshtë dhe më e pastër, por ka edhe disa karakteristika të cilat mungojnë në Google Maps, si për shembull errësimi i ekranit nëse kërkoni për drejtime gjatë natës. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>