Harduer

Surface Pro merr mbështetjen e Microsoft-it deri në 2017-ën

Feb 15 2013
0 Shpërndarje
Surface Pro merr mbështetjen e Microsoft-it deri në 2017-ën

Muaji i fundit deri kur do të mbështetet Surface Pro nga Microsoft do të jetë korriku i vitit 2017, pothuajse 4 vite e gjysëm pas lançimit të tij fundjavën e kaluar. Lajmi është konfirmuar nga vetë faqja zyrtare e Microsoft-it.

Ashtu si edhe paraardhësi Surface RT, të dy tabletët me Windows 8 kanë një suport pothuajse sa gjysma e jetëgjatësisë së zakonshme prej një dekade që ofron Microsoft për produktet e tij softuerike.

Vitin e kaluar kompania bëri të ditur periudhën gjatë së cilës do të mbështeste Surface RT, e cila zgjat nga tetori i vitit 2012 deri në prill 2017.

Zakonisht Microsoft-i i mbështet softuerët e konsumatorëve per një hark kohor prej rreth 5 vitesh, ndërsa softuerët dhe sistemet operative të biznesve për një kohë më të gjatë, 10 vjet.

Gjatë 4 viteve të suportit për Surface Pro, Microsoft do të ofrojë riparime për harduerin – pa pagesë gjatë periudhës së garancisë dhe me pagesë pas kësaj periudhe – si dhe do të disponojë pjese të veçanta për zevendësim. Edhe suporti përmes telefonit do të ofrohet vetëm gjatë periudhës 4 vjeçare.

Nga ana tjetër, sistemi operativ i Surface Pro – pra, Windows 8 Pro – do të vazhdojë të mbështetet për një kohë të gjatë edhe pasi hardueri të mos prodhohet më. Suporti bazë për Windows 8 Pro vazhdon deri në janar 2023.

Për Windows RT nuk ka ende një konfirmim zyrtar lidhur me mbështetjen e sistemit operativ. Sipas faqes zyrtare në internet, këto informacione do të publikohen shumë shpejt. (PCWorld Albanian)

Surface Pro.

Tags >

Surface
Lajmet e fundit>