Lajmet

Symantec: Google Play është plot me aplikacione të rreme

Jul 29 2013
0 Shpërndarje
Symantec: Google Play është plot me aplikacione të rreme

Gjatë harkut kohor prej shtatë muajsh, Symantec ka gjetur mbi 1200 aplikacione të dyshimta në Google Play.

Google i ka hequr ato shumë pak kohë pasi ishin publikuar, megjithatë, persona të tjerë thonë se në fakt ato janë fshirë pas disa ditësh.

“Edhe pse këto lloj aplikacionesh nuk kanë jetëgjatësi, ato sjellin gjithsesi përfitime për ata që i krijojnë dhe këta persona vazhdojnë të zhvillojnë aplikacione të reja,” shkroi Joji Hamada i Symantec.

Këto lloj aplikacionesh janë të vështira për t’u kuptuar nëse janë vërtet të rreme apo jo duke qenë se përdorin një sërë manovrash apo shtresash për të fshehur faktin që përpiqen të mashtrojnë përdoruesit dhe të përfitojnë prej tyre.

Ndër aplikacionet më të përhapura janë ato që përpiqen t’i tërheqin përdoruesit të regjistrohen në faqe për të rritur (janë gjetur mbi 100 të tilla), nga ku duhet të paguajnë për të parë video. Mashtrimi në këtë rast realizohet përmes linqeve, e cila është një nga mënyrat më të vështira për t’u zbuluar automatikisht nga sistemi, për të mos thënë e pamundur.

“Fakti që për t’i zbuluar këto aplikacione duhet të ndërmerren hapa manualë, pra, është vetëm njeriu ai që mund t’i dallojë nëse janë të rreme apo jo, është ajo çka u jep avantazh këtyre aplikacioneve,” shtoi Hamada.

Nga ana tjetër, Apple i kontrollon me kujdes aplikacionet që shtohen në App Store. Kjo është arsyeja pse dyqani është pothuajse totalisht i pastër nga malware-t. Megjithatë, edhe Google i skanon aplikacionet në Play Store. Së fundmi, ka shtuar në Android 4.3 një karakteristikë që skanon aplikacionet për kod dashakeqës.

Hamada përfundoi se Symantec e njofton Google sa herë gjen aplikacione të tilla, megjithatë çdo ditë shtohen aplikacione të reja. (PCWorld Albanian)

google play

Lajmet e fundit>