Lajmet

“Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, nisma e re që do të fuqizohet edhe nga një aplikacion mobile

Nov 1 2013
0 Shpërndarje
“Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, nisma e re që do të fuqizohet edhe nga një aplikacion mobile

1167266_649508401750254_308207610_oDita e 22 nëntorit do të shënojë mbledhjen e sa më shumë vullnetarëve për një qëllim të vetëm: Të pastrohet Shqipëria nga mbeturinat.

Këtë javë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj si dhe eurodeputetja Tanja Fajon, folën në një konferencë mbi nismën që është quajtur “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”.

Nisma do të mbështetet edhe nga ICTSmedia nëpërmjet PCWorld Albanian dhe synon të shndërrohet në një traditë për shoqërinë shqiptare. Ajo shihet edhe si një pjesë e rëndësishme e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

ICTSmedia synon që nëpërmjet Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të mbështesë dhe të sjellë në vëmendje të mirat dhe benefitet që sjell Teknologjia në plotësimin e nevojave të shoqërisë civile siç janë kauzat mbi ekologjinë, ambientin mjedisor, edukimin, njerëzit me nevoja specifike, komunitetet në nevojë etj.,  duke ndjekur kështu modele të nismave globale “Technology for good”.

Në këtë veprimtari do të marrin pjesë të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, si dhe do të nxiten të marrin pjesë të gjitha universitetet dhe shkollat.

Data 22 nëntor është zgjedhur për t’i paraprirë festimeve të 101 vjetorit të pavarësisë, sqaroi ministri Veliaj. Ai tha se: “nuk ka mënyrë më të mirë për të pritur shekullin e ri të Shqipërsë së pavarur sesa duke e pastruar atë.”

1272215_649508525083575_487162577_oE veçanta e kësaj nisme është edhe aplikacioni mobile që është ndërtuar posaçërisht për këtë kauzë. “TrashOut” funksionon si një hartë e mbeturinave ilegale, ku përdoruesit mund të raportojnë në kohë reale vendet ku ata shohin mbeturina.

Për të përdorur aplikacionin, pasi ta shkarkoni atë, duhet të regjistroheni duke përdorur ose llogarinë tuaj në Facebook ose adresën e e-mailit.

Për t’u bërë pjesë e aksionit, klikoni “Përcakto Organizatën” dhe në dritaren me listën e organizatave që do t’ju shfaqet zgjidhni “Let’s Do It Albania”.

Raportimin mund ta bëni duke prekur ikonën në qendër (e ngjashme me ato kur dëshironi të shpërndani vendndodhjet) si dhe duke dërguar më pas foto të mbeturinave.

Gjithashtu, mund të jepni edhe detaje të metejshme në lidhje me llojin e mbeturinave, madhësinë e tyre etj.

Lëvizja “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” është pjesë e “Let’s Do it World”, e cila kandidon për çmimin “UN Prize” në fushën e të drejtave të njeriut për të promovuar një mjedis të pastër në gjithë globin. Ajo mbështetet nga 107 shtete dhe deri tani ka pasur 8 milionë vullnetarë të aktivizuar.

Shkarkoni TrashOut për Android, iOS dhe Windows Phone. (PCWorld Albanian)

1233082_649508611750233_1198793992_o

Lajmet e fundit>