Lajmet

Tarifat e reja nga AKEP-i, reagon Telekom dhe Vodafone Albania

Feb 14 2018
0 Shpërndarje
Vodafone Albania e konsideron propozimin e AKEP si të papranueshëm për shkak të mungesës së transparencës. Propozimi, që AKEP ka për qëllim të miratojë, nuk është komunikuar apo konsultuar me operatorët e tjerë në treg Tarifat e reja nga AKEP-i, reagon  Telekom dhe Vodafone Albania

Pas denoncimit nga Shqiptarja.com dhe Report Tv lidhur me mungesën e transparencës nga ana e AKEP-it, për tarifat e reja të telekomunikacionit duke nisur nga data 1 mars 2018, ka ardhur reagimi i dy operatorëve të mëdhenj të telefonisë mobile, Telekom dhe Vodafone Albania.

Dy operatorët akuzojnë AKEP-in se po aplikon tarifa diskriminuese ndaj tyre. “Vodafone Albania e konsideron propozimin e AKEP si të papranueshëm për shkak të mungesës së transparencës. Propozimi, që AKEP ka për qëllim të miratojë, nuk është komunikuar apo konsultuar me operatorët e tjerë në treg, edhe pse ligji e përcakton qartë se çdo masë rregullatore që ndikon tek operatorët dhe klientët e tyre zbatohet vetëm pas një konsultimi publik dhe transparent”, thuhet në reagimin e shpërndarë për mediat nga Vodafone dhe Telekom Albania .

Reagimi i Vodafone Albania
Në mënyrë krejt befasuese, Vodafone Albania u informua nga mediat se AKEP (Autoriteti për Komunikimet Elektronike dhe Postare) do të propozojë për miratim në mënyrë aspak transparente, një vendim arbitrar që favorizon Albtelecom në dëm të klientëve të operatorëve të tjerë. Sipas këtij vendimi AKEP synon të aplikojë tarifa diskriminuese ndaj Vodafone Albania dhe Telekom Albania. Tarifa të tilla penalizojnë klientët e këtyre dy operatorëve pasi do t’u duhet të paguajnë më shumë për telefonatat drejt Albtelecom duke gjeneruar kështu fitime për Albtelecom. Theksojme se kjo kompani operon prej më shumë se dy dekadash në tregun shqiptar të telekomunikacionit me aktivetet në telefoni fikse dhe celulare dhe me pozita dominante në tregun e telefonisë fikse.

Vodafone Albania e konsideron propozimin e AKEP si të papranueshëm për shkak të mungesës së transparencës. Propozimi, që AKEP ka për qëllim të miratojë, nuk është komunikuar apo konsultuar me operatorët e tjerë në treg, edhe pse ligji e përcakton qartë se çdo masë rregullatore që ndikon tek operatorët dhe klientët e tyre zbatohet vetëm pas një konsultimi publik dhe transparent.

Në pritje të një reagimi dhe sjelljeje korrekte nga ana e AKEP, Vodafone Albania thekson se në asnjë rast nuk do të pranojë asnjë vendim që nuk është në përputhje të plotë me kuadrin rregullator të BE-së dhe legjislacionin për sektorin e komunikimeve elektronike në Shqipëri , e për më tepër që cënon të drejtat e klientëve tanë. Vodafone Albania është e angazhuar të ndjekë të gjitha procedurat ligjore të nevojshme si në nivel kombëtar ashtu edhe europian ndaj një vendimi të tillë.

Prononcim nga Telekom Albania mbi situatën me AKEP 
Telekom Albania është përballur këto ditë me disa artikuj në medien e shkruar dhe atë elektronike, sipas të cilave AKEP po përgatit vendimin e analizës së tregut të shërbimeve celulare në lidhje me tarifat e terminimit të interkoneksionit mes operatorëve. Ky vendim përcakton asimetri (pra nivel jo të barabartë tarifimi mes operatorëve) dhe bën dallim në zbatimin e masave rregulluese, jo-diskriminuese për çmimet e telefonatave brenda dhe jashtë rrjetit mes operatorëve, duke favorizuar dukshëm kompaninë Albtelecom.

Telekom Albania i kërkoi  menjëherë  AKEP, nëpërmjet një komunikimi zyrtar, të zbatojë standardin ligjor të konsultimeve publike me të gjitha palët e interesuara, duke gjykuar se projekt-vendimi në formën e raportuar, dëmton interesat e ligjshme ekonomike të kompanisë tonë, që padyshim është një faktor i rëndësishëm në treg dhe një nga investitorët më të mëdhenj, afatgjatë në vend.

Në këtë kuadër, jemi të befasuar nga mungesa e një reagimi nga ana e AKEP, siç do të pritej normalisht nga një institucion publik, ku  informimi dhe transparenca ndaj publikut është detyrim themelor. Megjithatë, presim një qëndrim më bashkëpunues dhe konstruktiv, për të rivendosur komunikimin sipas praktikave ndërkombëtare, në të mirë të interesit të përgjithshëm. Telekom Albania deklaron se do të mbrojë interesat e ligjshme të kompanisë, e mbi të gjitha të abonentëve tanë besnikë, duke ndërmarrë çdo hap të  nevojshëm. /Shqiptarja.com

Lajmet e fundit>