Lajmet

“Të Dhënat Qeveritare në Dorën Tuaj”, konkursi më i ri i Ministrisë së Inovacionit

Dec 22 2013
0 Shpërndarje
“Të Dhënat Qeveritare në Dorën Tuaj”, konkursi më i ri i Ministrisë së Inovacionit

Milena Harito, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike e Shqipërisë, prezantoi para disa ditësh konkursin “Të Dhënat Qeveritare në Dorën Tuaj – “Open Data Experience”, i cili është organizuar me ndihmën e Qendrës Burimore Protik, AKSHI-t dhe Ministrisë së Inovacionit dhe Administratës Publike.

Prezantimi u bë në mjediset e Qendrës Protik ku numri më i madh i pjesëmarrësve ishin një grup studentësh të shkencave ekzakte.

Qëllimi i konkursit është zhvillimi i një aplikacioni në Facebook, synimi i së cilit është të mbledhë, përpunojë dhe publikojë të dhëna të ndryshme qeveritare, si të dhënat statistikore (të publikuara nga INSTAT), të dhënat financiare (të publikuara nga Ministria e Financave), etj.

Aplikacioni do t’i ofrojë publikut informacione dhe të dhëna të fushave të ndryshme në kohë reale, të cilat do të merren nga uebfaqet e institucioneve qeveritare. Konkursi do të quhet “KODE” dhe është pjesë e “Partneritetit për një Qeverisje të Hapur”.

Në fjalën e saj, ministrja Harito theksoi se konkursi ka për qëllim të rrisë transparencën dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore. Në këtë mënyrë, do të nxitet zbatimi i praktikave më të mira dhe përdorimi i teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK) për menaxhimin e të dhënave qeveritare, theksoi ajo.

Të rinjtë, si pjesa më inovative e shoqërisë, kanë mundësi të jenë pjesëmarrës në konkurs duke paraqitur ide origjinale dhe iniciativa konkrete, të cilat do të meritojnë të gjithë vëmendjen e qeverisë, shtoi ministrja. “Ideja për këtë konkurs lindi pikërisht për t’ju thënë ju të rinjve se qeveria shqiptare sot inkurajon, mbështet dhe mirëpret iniciativat tuaja në këtë fushë,” u shpreh ajo. (PCWorld Albanian)

13-11-15-02-36-41small_m-inovacionit

Lajmet e fundit>