Blog

Të piratuar apo të liçensuar? Kjo është dilema!

Oct 31 2008
0 Shpërndarje
Të piratuar apo të liçensuar? Kjo është dilema!

Po çmimi? Çmimi njësoj është, nuk ka asnjë ndryshim. Të dy sistemet operative kushtojnë zero, hiç, asgjë, falas, gratis, free, dhuratë… Me pak fjalë i merr pa para. Hajde komoditet, hajde! Jetojmë në Shqipëri dhe këtu gjërat maten me peshë peshoreje, jo me vlerën e tyre. Një Vista Ultimate kushton mesatarisht 300 dollarë kudo në botë, vetëm këtu jo; pse budallenj jemi ne të paguajmë aq para për një copë disk, që mund ta blesh në çdo dyqan disqesh për 300 lekë.

Mund të shkosh në çdo dyqan kompjuterësh dhe diskutimi nuk është kurrë për programet (sigurisht, ato nuk peshojnë fare), por për peshën e kompjuterit në përgjithësi. Mund të marrësh një HP origjinal me një XP të piratuar. Një Dell të ri fare me një Vista aq pirate, sa që i mungon vetëm këmba e drunjtë dhe mbulesa e lëkurës mbi njërin sy.

Duke menduar këto më vjen ndërmend portreti i pafajshëm i miqve të mi në përfaqësinë e sapohapur të Microsoft, që përpiqen të bëjnë diçka, por… ç’mund të bëjnë? Do ju lutesha të mos keqkuptohemi; pirateri ka kudo dhe nga interneti mund të marrësh gjithçka falas, por të paktën nuk bëhet hapur në mes të ditës, kaq pa frikë, thuajse e përkrahur nga një popull i tërë. Për të mos u zgjatur më shumë po ju tregoj diçka shumë interesante.

Një miku im artist bleu një kompjuter të zakonshëm me procesor Pentium 4. Asgjë shumë e komplikuar; diku te mesatarja e kompjuterëve që shiten sot. I kushtoi 50 mijë lekë, me gjithë një monitor LG 19”. Puna e tij si dizajner grafik ka nisur të shtohet dhe i duhej një kompjuter i ri, pak më i fuqishëm.

Para se ta blinte bëri listën e programeve që donte të kishte të instaluar në kompjuter dhe shitësi me një buzëqeshje vesh më vesh i tha: Pa problem! Eja pas nja 2 orësh dhe e ke gati. Pas dy orësh fiks gjithçka ishte gati. Në harddrive tani kishte të instaluar Windoës XP, Adobe CS3, Fusion, një mal me plug-ins për video dhe audio, Microsoft Office 2007 dhe ca programe të tjerë jo aq të rëndësishëm sa këta që përmenda.

Duke bërë një hesap të vogël, ja se ç’më doli:

Windows XP SP2 = 100$
Adobe Suite Master Collection = 1600 $
Adobe Audition 1.5 = 300$
Microsoft Office 2007 = 300$
Symantec antivirus = 80 $
Diskeeper = 30$
Totali = 2410 dollarë

Duhet të them se nuk pata kohë të hetoja çmimet e pluginsave për softuerët e instaluar, por po i lemë se dhe me kaq jemi goxha mirë. Vetëm duke llogaritur minimumin e çmimeve të softuerëve të mësipërm dalim në më shumë se tri herë mbi çmimin e kompjuterit të mikut tim dhe të them të drejtën, me gjithë dëshirën time të mirë që miku im të ketë gjithçka i duhet për punën e tij, prapë ndjehem disi në faj.

Mea culpa, mea culpa, mea culpa! Nuk ka faj më të madh besoj! Kryeredaktori i PC World as që duhet të ulet në një kompjuter me softuerë të miratuar! Kjo është arsyeja që unë nuk punoj më në dizajn! Nëse do të punoja, për të qenë në rregull me ndërgjegjen, do më duhej të blija liçensat e programeve që do përdorja, por… 2400 dollarë janë vërtet… vërtet… vërtet shumë, edhe për mua.

Kjo rrjedhë mendimi më sjell përsëri te pyetja e parë, por me pak ndryshim. Miku im merr 50 mijë lekë të vjetra për faqosjen e një libri, ku për të njëjtën punë në perëndim do të merrte 500$. Softuerë të piratuar falas, apo të liçensuar me 2400$? Kjo është dilema! Në fakt, nuk ka asnjë dilemë në këtë mes!

 

Lajmet e fundit>