Lajmet

A do të revolucionarizojë teknologjia Blockchain shpërndarjen e përmbajtjeve dhe informacionit?

Jul 24 2017
0 Shpërndarje
Teknologjia blockchain po njeh një mbështetje në mbarë botën si një teknologji e cila ofron një rekord transaksionesh të pakundërshtueshme duke provuar pronësinë dhe origjinën A do të revolucionarizojë teknologjia Blockchain shpërndarjen e përmbajtjeve dhe informacionit? Photo Source: Shutterstock

Blockchain, teknologjia inovative pas shumë monedhave virtuale dhe Bitcoin në veçanti e cila u krijua nga Satoshi Nakamoto në 2009, ka tërhequr vëmendje të lartë për potencialin në rritje që ka dhe aplikimin e gjerë të saj.

Kjo teknologji është duke nënshtruar gjithë sektorin financiar dhe ka rezultuar funksional në shumë tregje të reja.

Mbi 1.4 miliard dollar janë investuar në teknologjinë blockchain në vetëm tre vitet e fundit sipas Forumit Ekonomik Botëror. Është projektuar se deri në 2027-ën 10% e GDP-së globale do të jetë e ruajtur në platformat blockchain.

Kompanitë të cilat operojnë në fushat e shërbimeve cloud, të sigurisë së identitetit dixhital, kontratave inteligjente dhe votimit online kërkojnë të implementojnë këtë teknologji në produktet dhe shërbimet e tyre për të parë sesa larg blockchain-i mund ti dërgojë.

Decentralizimi dhe natyra “open-source” e blockchain kombinuar me nivelet më të larta të enkriptimit dhe sigurisë kanë magjepsur bizneset në shumë sektorë. Dhe nuk është çudi të mësojmë se numri në rritje i inovatorëve kërkojnë implementimin e teknologjisë blockchain në produktet dhe proceset e tyre.

Shpërndarja e përmbajtjeve dixhitale

Mbetet për tu parë nëse kjo teknologji mund të përdoret në atë formë sa të rikthejë tek përdoruesi kontrollin e përmbajtjeve dixhitale dhe shpërndarjen e të dhënave në internet. Por kjo është ajo që disa po përpiqen të arrijnë me platformat e shpërndarjes së informacionit bazuar në teknologjinë blockchain, një përpjekje e cila do të revolucionarizonte shpërndarjen e të dhënave në internet.

E thënë ndryshe synohet krijimi i një rrjeti miqësor të shpërndarjes së informacionit i cili mundëson një mënyrë efektive të ngarkimit, blerjes dhe shpërndarjes së informacionit.

Shpërndarja e informacionit dixhital ka qenë një sektor i cili historikisht ka favorizuar korporatat e mëdha të cilat kontrollojnë çmimin e medias dhe marrin pjesën e tyre.

Kjo nuk u lë mundësi tjetër krijuesve të informacionit dhe përmbajtjeve të cilët pranojnë të ndajnë të ardhurat. Por çështja do të ndryshojë nëse aplikohet teknologjia blockchain dhe adoptohen monedhat virtuale.

E thënë ndryshe është një mënyrë për tu kthyer pas njerëzve fuqinë dhe lirinë. Dhe me shumë gjasa ka për të goditur rëndë shumë prej nesh edhe pse dyshojmë se “big boys” do të dorëzohen pas luftuar deri në fund.

Zach LeBeau, CEO i SingularDTV i cili është i përfshirë në një projekt 21 milion dollarësh në një ICO – Initial Coing Offering – ka shpresa të mëdha se një ditë artistët do të mund të shfaqin lirisht produktin e tyre. Kemi të bëjmë me një koncept ekonomie zbavitëse me teknologjinë blockchain dhe një informatikë të decentralizuar.

Sipas LeBeau qëllimi i startupit të tij është “fuqizimi i artistëve dhe krijuesve” me mjetet të fuqishme për të menaxhuar projektet e tyre që nga zhvillimi tek shpërndarja.

Tashmë një kompani teknologjike Zvicerane ka një mision, përmbushjen e qëllimit të LeBeau. Teknologjisë së saj, për shembull, i është vënë pas industria e pornografisë, ku Naughty America i është afruar firmës falë potencialit të saj për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe piraterisë së përmbajtjeve.

Startupi i cili drejtohet nga dy bashkëthemelues me origjinë Sllovake, Matej Michalko dhe Matej Boda, ushtron aktivitetin e saj në Bratislavë, Shangai dhe R&D Blockchain Hub në Erevan.

Ato synojnë të revolucionarizojnë shpërndarjen e të dhënave në internet duke integruar teknologjinë blockchain në një platformë të re dhe inovative të shpërndarjes së përmbajtjeve dhe informacionit.

Themeluesit

Michalko, i cili është i përfshirë në botën e bitcoin që nga 2011-ta, e kuptoi me shpejtësi se teknologjia blockchain ka potencialin e duhur për të ndryshuar botën moderne. Në atë kohë ai u takua me Boda, i cili ishte i çmendur pas teknologjive të reja, dhe ndërsa po prodhonte disa bitcoin filloi të kuptonte përdorimin e teknologjisë bitcoin në shkallë më të gjerë.

Themeluesit e DECENT kuptuan potencialin e paprecedent që fshihej pas teknologjisë blockchain dhe dëshironin të ndërtonin diçka e cila mund të integrohet në jetët tona të përditshme pa asnjë kufizim.

Pasi filluan bashkëpunimin e tyre, Rrjeti DECENT, një platformë me natyrë “open-source” e decentralizuar e shpërndarjes së informacion u lind.

Platforma përdor teknologjinë blockchain për të garantuar besimin dhe sigurinë. Që nga themelimi në 2015-ën, DECENT ka gjetur mbështetje në rritje nga komuniteti lokal për platformën e saj inovative, e cila është dizajnuar për adoptim në shkallë të gjerë.

Financimi

Shtatorin e vitit të kaluar DECENT nisi ICO-në e saj, e cila zgjati për tetë javë dhe grumbulloi 5,881 bitcoin vlera e të cilave ishte 4.2 milion dollar atë kohë.

Të ardhurat u përdorën për të financuar zhvillimin e produktit, marketingun dhe mbulimin e shpenzimeve ligjore dhe organizative ndërsa përgatiteshin për lançimin e Rrjetit DECENT më 30 Qershor.

Ngjarjet pozitive që zunë vend gjatë ICO-së së tyre erdhën në mbështetje të vizionit të ekipit drejtues se komuniteti besonte tek një platformë e shpërndarjes së përmbajtjeve me teknologjinë blockchain.

Por menaxhimi i një projekti masiv me qëllimin për të revolucionarizuar shpërndarjen e të dhënave në internet nuk është një detyrë aspak e lehtë.

Për të arritur qëllimin e tij, DECENT kishte ndërtuar një ekip për zhvillimin e softuerit dhe arkitekturës dhe një komunitet ambasadorësh dhe këshilltarësh në mbarë globin.

Objektivi

DECENT vazhdimisht ka artikuluar misionin e tij, “adoptim global” të Rrjetit dhe integrim të saj në jetët e gjithsecilit. Epo kush nuk do të donte? Megjithatë ngelet shumë për tu bërë përpara se kjo ëndërr të shndërrohet në realitet.

Për tu përballur me këtë kërkesë ekipi ka zhvilluar zgjidhjen e tij. Ato kanë ndërtuar një platformë të re bazuar në teknologjinë blockchain me të cilin zhvilluesit e palëve të treta mund të ndërtojnë aplikacionet e tyre duke përdorur Rrjetin e DECENT si një themel.

Çdo industri e cila posedon përmbajtje dhe informacion mund të përfitojë nga përdorimi i teknologjisë blockchain të Rrjetit DECENT sepse siguron një mënyrë të qëndrueshme, miqësore dhe të përhershme për ruajtjen e shpërndarjen.

Konkretisht, përdorimi i Rrjetit DECENT si një platformë shpërndarjeje për institucionet akademike në mbarë botën do të siguronte akses dhe shpërndarje së sigurtë të përmbajtjeve përfshirë esetë, raportet, leksionet e madje edhe librat.

Kompanitë logjistike mund të përdorin teknologjinë për të gjurmuar origjinën e produkteve dhe ruajtur një regjistër të pandryshuar të kanaleve të shpërndarjes për çdo mall.

Organizatat bamirëse do të jenë të mbrojtura nga mashtrimet dhe të rrisin mbështetjen përmes një forme transparence të deklarimit të të ardhurave falë teknologjisë blockchain të Rrjetit DECENT.

Michalko, CEO dhe bashkëthemelues i rrjetit, vuri theksin tek impakti i platformës e cila ” do të çlirojë të gjithë nga kontrollet e një pale e mesme, tarifat dhe manipulimi.” Duke eliminuar palën e mesme dhe censurën, rrjeti DECENT siguron kontroll të plotë nga njerëzit të përmbajtjeve dixhitale.

Si pjesë e zhvillimeve të fundit, javën e dytë të Qershorit kompania njoftoi se ishte ndërtuar aplikacioni i parë i një pale të tretë mbi Rrjetin DECENT quajtur PUBLIQ dhe është falas për tu përdorur dhe i dedikohet lajmeve dhe artikujve.

Lidhur me këtë zhvillim, Michalko tha: “PULIQ është shembulli perfekt i një projekti të mirë dizajnuar duke përdorur teknologjinë tonë për qëllimet mbi të cilat është ndërtuar, për të kthyer përmbajtjen tek konsumatori pa kontrollin e një pale të mesme apo censurën nga palë të treta.”

Interpretuar si një “adoptim inovativ” i Rrjetit DECENT është aspekti social ku autorët ndërtojnë një reputacion bazuar në vlerësimet e konsumatorëve (të cilët blejnë përmbajtjet të platformë) dhe ruhet në blockchain.

Monedha DCT

DCT është monedha virtuale e Rrjetit DECENT dhe lënda e cila e vë në funksion atë. Përcaktuar nga rezultati i ICO-së, një total prej 73.29 milion monedha DCT do të jenë në qarkullim. Dhe pas lançimit zyrtar të DECENT, DCT do të mund të përvetësohet në disa mënyra.

Një mënyrë e të përvetësuarit të një DCT nga individët është duke shitur përmbajtje dixhitale autentike për konsumatorët e interesuar në platformën DECENT. Gjithashtu mund të jepet edhe si shpërblim për minerat, krijuesit e blloqeve të blockchain, mbjedhësve, dhe distributorëve të përmbajtjeve dixhitale.

Bursat e monedhave virtuale mund të vendosin vetë nëse duan të listojnë DCT-në.

DECENT GO

Aplikacioni i parë ndërtuar mbi platformën blockchain të Rrjetit DECENT quhet DECENT GO dhe është përdorur nga firma për të demonstruar disa prej fuqive funksionale që ka rrjeti i tyre.

Ato e përshkruajnë si “Google Play i Tregut Dixhital ndërtuar në Rrjetin Blockchain të DECENT ku lejohet publikimi dhe shitjae e përmbajtjeve mbi principin e blerjes tek-më-tek.”

Sipas themeluesve Sllovakë qëllimi i DECENT Go është shfaqja e avantazheve të rrjetit të tyre bazuar në blockchain dhe fuqinë e tij për tu sjellur si një teknologji bazë në mbështetje të aplikimeve të reja të tregjeve.

Por a do të jetë ai zbulimi i madh që mendohet se është? Duke parë sasitë e mëdha të financimeve të grumbulluara nga ICO-të në muajt e fundit, jo vetëm DECENT po e gjithë industria është në një moment shpërthyes.

Teknologjia blockchain po njeh një mbështetje në mbarë botën si një teknologji e cila ofron një rekord transaksionesh të pakundërshtueshme duke provuar pronësinë dhe origjinën dhe po aplikohet në: Informacionin i privatësisë, Shpërndarjen dhe ruajtjen e përmbajtjeve dixhitale, Transparencën e regjistrave dhe transaksioneve.

Dhe patjetër siguri dhe enkriptim të dhënash të cilat po ndodhin edhe në këto momente që shkruajmë.

Vizioni i Michalko dhe Boda i integrimit të teknologjisë blockchain në rutinën ditore të njerëzve në mbarë botën është më afër se kurrë më parë.

Ndërsa kompanitë nga gjigandët teknologjikë tek startupet vënë fuqinë dhe burimet e tyre njerëzore në shërbim të hulumtimit të teknologjisë blockchain, më shumë organizata në mbarë botën por pozicionohen për të përfituar nga avantazhet e kësaj teknologjie të pashembullt.

Një rast konkret është ai i Samsung SDS i cili kërkon të rrisë sigurinë e kartave të kreditit me teknologjinë blockchain ndërsa LG dhe GoPro e përdorin si një regjistër të pandryshueshëm për të siguruar dokumentacionet e garancive.

Këto zhvillime dhe të tjera do të thotë se në një të ardhme të afërt integrimi i blockchain do të jetë një normë e aktiviteteve më të thjeshta ditore.

Ndërsa platforma e shpërndarjes së përmbajtjeve të DECENT bazuar në teknologjinë blockchain mund ti hapë rrugë një epoke të re të inovacionit dixhital nga një ekip i cili kërkon revolucionarizimin e shpërndarjes së të dhënave në internet, pyetja 64 miliard dollarëshe mbetet: Sa kohë do të duhet dhe çfarë sfidash na presin. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>