Lajmet

TEDxPrishtina, rikthehet për herë të dytë

Sep 21 2011
0 Shpërndarje
TEDxPrishtina, rikthehet për herë të dytë

Duke ruajtur formatin e suksesshëm të konferencës globale TED, TEDxPrishtina do të mbledhë zëra dhe emra nga disiplina të ndryshme, dhe do të krijojë një hapësirë nxitëse për prezantimin e ideve dhe përvojave të tyre. Në TEDxPrishtina, video të prezantimeve TEDTalks dhe folës të ftuar ndërthuren për të ndezur diskutime të thella dhe lidhje në një grup kompakt njerëzish. Të gjitha fjalimet e konferencës përshkohen nga fryma e inovacionit dhe përfaqësojnë ide me potencial për të sjellë ndryshim në fushat, ku punojnë ligjëruesit.

Duke filluar nga sot, i gjithë komuniteti i ithtarëve të novacionit mund të propozojnë folës për edicionin e dytë të TEDxPrishtina-s. Propozimet mund të bëhen përmes një formulari të shkurtër, i cili plotësohet direkt në faqen zyrtare të konferencës www.tedxprishtina.com. Të gjithë janë të lutur të plotësojnë formularin në se mendojnë se njohin dikë, që e ka një ide ose një histori që ia vlen të ndahet me botën. Propozimet për folës mund të bëhen nga dita e sotme deri më 20 nëntor.

Skuadra organizuese e TEDxPrishtina-s ka kënaqësinë të publikojë edhe emrin e folësit të parë të konfirmuar për edicionin e dytë. Ai është artisti me reputacion mbarëbotëror Sislej Xhafa, i cili do të pasohet me emra të njohur e më pak të njohur në muajt në vazhdim.

Edicioni i parë i TEDxPrishtina-s mblodhi një publik të zgjedhur prej 100 vetësh me folës nga fusha të ndryshme si arkitekturë (Bujar Nrecaj, Denis Lacej), aktivizëm dixhital (Armand Brahaj), kujtesë personale (Besa Luzha), shkenca sociale (Nita Luci), muzikë/tingull (Visar Kuçi), organizim i komuniteteve (Arben “Njeri” Islami), si dhe komunikim ndëretnik (Blerim Limani).

Në frymën e “ideve që ia vlejnë të përhapen,” TED ka krijuar TEDx. TEDx është një program i eventeve lokale dhe të organizuara në mënyrë të pavarur, që mbledhin njerëz për të përjetuar një përvojë si të konferencës TED. Ngjarja jonë quhet TEDxPrishtina, ku x = ngjarje TED e organizuar në mënyrë të pavarur. Konferenca TED jep udhëzime të përgjithshme për programin TEDx, por ngjarjet TEDx, përfshirë edhe eventin tonë, janë të organizuara në mënyrë të pavarur. 

Për të rejat më të fundit, na ndiqni në Facebook në http://www.facebook.com/TEDxPrishtina dhe në Twitter në http://www.twitter.com/tedxprishtina.

Lajmet e fundit>