Lajmet

TEDxTirana, konferenca multidisiplinore, mbahet më 3 maj në kryeqytet

May 2 2014
0 Shpërndarje
TEDxTirana, konferenca multidisiplinore, mbahet më 3 maj në kryeqytet

logoTED është një format konferencash që ka përshkruar gjithë globin, nga Seuli në Buenos Aires, nga Londra në Podgoricë, nga San Diego në Tel Aviv. Është një organizatë jo fitimprurëse, një revolucion që ka nisur në vitin 1984 në Kaliforni të SHBA-së dhe tashmë ka përfshirë çdo kontinent dhe metropol duke frymëzuar miliona njerëz. Femra dhe meshkuj nga e gjithë bota bëhen pjesë e TED për të ndarë idetë e tyre revolucionare, në një konferencë multidisiplinore vetëm për 18 minuta. Në skenën e TED, Al Gore ka lançuar iniciativën e tij mbi ngrohjen globale, Bill Gates ka impresionuar audiencën, ndërkohë që Stephen Hawkings ka ngritur disa pyetje domethënëse mbi universin. Qindra të tjerë i janë bashkuar TED-it, si Bill Clinton, Gordon Brown, Isabelle Alliende, Bono i grupit muzikor U2 etj.

TEDxTirana është një konferencë multidisiplinore e cila synon të mbledhë disa prej njerëzve më të suksesshëm në fusha të ndryshme (art, shkencë, teknologji, biznes, inovacion, bota akademike etj.), për të ndarë përvojat dhe idetë e tyre me një publik të gjerë. TEDxTirana synon të sjellë ide të reja, të informojë, edukojë dhe frymëzojë publikun shqiptar me zërat më aktivë të momentit në Shqipëri dhe më gjerë. Konferenca ka si qëllim të ndihmojë në krijimin e një të ardhmeje më të mirë në Shqipëri duke bashkuar individët me biznesin për t’u bërë pjesë e ndryshimit të të menduarit.

Konferenca e parë në Tiranë është zhvilluar më 26 prill 2013 në ambientet e Muzeut Kombëtar. Më 6 dhjetor 2013 erdhi në Tirane TEDxWomen, e cila u zhvillua njëkohësisht me TEDWomen në San Françisko dhe 150 vende të tjera të botës. Të ftuarit kanë qenë të fushave të ndryshme si Adi Krasta, Elhaida Dani, Merita Rexha, Kirurgu Altin Veshti, Diplomati Jay Porter, Ilva Tare, gazetari i BBC-së Aidan White, Milena Harito etj.

Këtë vit, TEDxTirana do të zhvillohet më 3 maj, në ambientet e Sallës së Konferencave pranë Kishës Orthodhokse në Tiranë. Tema e këtij viti do të jetë “Blissful Uncertainty”: Në një botë ku gjithçka ndryshon me shpejtësi dhe kur ky ndryshim ndikon pashmangshmërisht tek ne, vihemi përballë dy zgjedhjeve, të largohemi, ose të qëndrojmë dhe të nxjerrim më të mirën tonë. Tema e këtij viti është pikërisht një ftesë për ta parë të pasigurtën nga një tjetër këndvështrim, më shpresëdhënës.

Folësit, ashtu si edhe në eventet e kaluara, do të jenë me karakter multidisiplinor dhe një gërshetim mes shqipfolësve dhe të huajve. Disa prej tyre janë:

· Miranda Ademaj (Themeluese e Aseteve të Menaxhimit Skenderbeu AG)

· Wendy Hassler – Forest (Bashkëthemelues i Shkollës Rock në Mitrovicë)

· Përparim Rama (arkitekt dhe themelues i Grupit 4M)

· Catherine Bohne (jeton prej 5 vitesh në Luginën e Valbonës dhe punon për zhvillimin e turizmit lokal)

· Albana Vrioni (ndihmon udhëheqësit e biznesit për të menaxhuar ndryshimet strategjike)

· Kate Snow (e cila erdhi në Shqipëri si një mësuese anglishteje vullnetare duke shpresuar për të ndihmuar të tjerët dhe për të eksploruar botën)

· Veton Breznica (ambasadori i parë i aviacionit në Kosovë dhe pilot i avionit pa motor i Republikës së Kosovës)

· Stefano Boeri (arkitekt milanez dhe themelues i “shumëllojshmërisë”, rrjeti i kërkimit ndërkombëtar i dedikuar studimit të transformimeve bashkëkohore urbane)

· Donald Leka (themelues, kryetar dhe CEO i TRANSMEDIA, fitues çmimi në platformën cloud të Glide OS)

· Liri Berisha, Robert Alija Dragot etj. Për më shumë informacione mund të vizitoni faqen zyrtare në internet, www.tedxtirana.com. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>