Harduer

Telefonët e ardhshëm mund të jenë në gjendje të shohin në brendësi të objekteve

Dec 15 2012
0 Shpërndarje
Telefonët e ardhshëm mund të jenë në gjendje të shohin në brendësi të objekteve

Teknologjia e imazheve në smartfonë po përparon gjithmonë e më tepër ditët e sotme. Ne i përdorim kamerat për të regjistruar video, për të kapur foto me cilësi të lartë apo për të bërë foto panoramike.

Megjithatë, një ditë mund të jemi në gjendje ta përdorim kamerën për të parë përtej mureve. Kjo aftësi mund të vijë falë një çipi të ri kompjuterik që operon në zonën e spektrumit të radios, e njohur ndryshe me emrin “zona teraherc” (terahertz range). Në këtë zonë, gjatësia e valës së rrezatimit është më e gjatë se drita infra e kuqe dhe më e shkurtër se ajo e radios me frekuencë të lartë.

Rrezatimi “teraherc” mund të penetrojë mes objekteve të forta ashtu siç bëjnë rrezet X. Meqenëse ai nuk mban shumë energji, nuk ka rrezik për dëmtimin e indeve. Frekuencat “teraherc” janë më të mira se rrezet X për të parë në brendësi të materialeve më pak të dendura, si për shembull uji apo lëkura. Një skaner “teraherc” arrin të dedektojë nëse një objekt i vendosur brenda një tjetri është i përbërë nga metali apo plastika. Një aparat me rreze X arrin të dallojë vetëm formën.

Pajisje të tilla janë duke u përdorur aktualisht në siguri. Disavatanzhi i tyre është çmimi i lartë dhe madhësia e konsiderueshme. Versionet portabël ngjajnë me një kamera profesionale televizive.

Megjithatë, inxhinierët elektrikë të California Institute of Technology, Ali Hajimiri dhe Kaushik Sengupta ia kanë dalë të zvogëlojnë madhësinë e tyre në diçka që mund të përfshihet edhe brenda një pajisjeje që mund të mbahet në dorë. Ata kanë ndërtuar një mikroçip që transmeton dhe merr rrezatimin “teraherc”.

Çipi është i përbërë nga teknologji që përdoren sot gjerësisht nëpër kompjuterë apo telefonë. Sfida faktikisht qëndronte në realizimin e transmetimit dhe marrjes së frekuencave “teraherc”.

Nga eksperimentet, rezultoi se mënyra më e mirë për ta arritur këtë ishte rritja e numrit të tranzistorëve. Këto të fundit sinkronizohen në një mënyrë të tillë që valët që gjenerojnë të arrijnë të përforcojnë disa frekuenca të caktuara dhe të eliminojnë disa të tjera.

Kërkuesit duhet të përballeshin edhe me një problem tjetër: kur kalohet një frekuencë e caktuar, tranzistori nuk punon më dukë mos amplifikuar më sinjal. Kjo quhet “ndërprerje e frekuencës”.

Duke vepruar në mënyrë sinkrone me tranzistorët, inxhinierët arritën ta mposhtnin këtë problem duke bërë kështu që edhe çipi të fillonte transmetimin. Ata arritën të kontrollonin gjithashtu edhe drejtimin e sinjalit.

Pengesa e tretë ishte vendosja e antenës në një çip prej silikoni; silikoni ka për qëllim të thithë energjinë radio. Duke i dhënë një formë të caktuar si antenës ashtu edhe silikonit, ata krijuan diçka të ngjashme me rezonatorin e kitarës, i cili transmeton frekuenca “teraherc”.

Në aspektin e transmetimit të të dhënave, sa më e madhe frekuenca e valës radio, aq më shumë informacion mund të fusësh në të. Meqenëse sinjali ka një frekuencë më të lartë se Wi-Fi, ai mund të përdoret për të rritur shpejtësinë e shkarkimeve. “Mund ta përdorni për të shkarkuar fotot nga kamera dixhitale në vetëm disa sekonda”,- u shpreh Hajimiri.

Në një smartfon, kjo teknologji mund të përdoret për të transmetuar rrezatim “teraherc” përmes shtresave të indeve, veshjeve apo mureve të holla të një kutie. Sinjali i pasqyruar do të merrej nga një çip që ndodhet aty afër ndërsa një program kompjuterik do të mund të bënte analizimin e informacionit duke shfaqur një imazh në ekranin e smartfonit.

E kjo mund të quhet vërtet “një foto në thellësi”. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>