Harduer

Televizorët inteligjent të Samsung po përgjojnë bisedat tuaja personale

Feb 10 2015
0 Shpërndarje
Televizorët inteligjent të Samsung po përgjojnë bisedat tuaja personale

9b843b8720603982Duket se televizorët e gjeneratës së fundit të Samsung janë aq inteligjent sa mund të dëgjojnë dhe çfarë jeni ju duke thënë. Kjo në sajë të një karakteristike mbi komandimin e zërit e cila mund të regjistrojë gjithçka që përdoruesi është duke thënë, përfshirë këtu dhe bisedat personale dhe më pas ti transmetojë ato drejt një pale të tretë.

Softueri i njohjes së zërit i lejon përdoruesit të komunikojnë me televizorin e tyre duke i folur atij. Kur kjo karakteristikë të jetë e aktivizuar në ekran do të shfaqet një mikrofon i vogël. Në vend të përdorimit të komandave të zakonshme, përdoruesit me anë të disa fjalëve mund ti kërkojë televizorit të bëjë atë që ai do. Në pamje të parë kjo gjë duket mahnitëse por ajo ç’ka fshihet pas kësaj është tepër shqetësuese. The Daily Beast ishte i pari që zbuloi se çfarë fshihej mes politikës së privatësisë: “Ju lutem vihuni në dijeni se nëse fjalët tuaja përmbajnë informacion personal apo përmbajtje sensitive, ky informacion do të jetë mes të dhënave që ‘dëgjohen’ nga televizori dhe më pas i transmetohen një pale të tretë.”

Nëqoftëse diçka e tillë ndodh vërtet kjo do të thotë që kompania po cënon privatësinë e përdoruesve brenda shtëpisë së tij. Shtëpitë supozohen të jenë vende ku familjet dhe miqtë mund të flasin për çdo gjë pa pasur frikë se dikush po i përgjon. Informacioni i marrë nga televizori mund të përdoret dhe për ti kaluar gjykatës, reklamuesve, apo grupeve të tjera të interesuara. Kjo do të thotë që nëse transmisioni nuk është i enkriptuar, informacionet e mbledhura nga televizori inteligjent mund të aksesohen dhe nga hakerat. Por e rëndësishme është të thuhet që kjo mund të ndodhë vetëm nëse përdoruesi ka të aktivizuar opsionin e njohjes së zërit.

Kompania Samsung i është përgjigjur gjithë këtyre supozimeve me anë të një deklarate: “Samsung e merr seriozisht çështjen e privatësisë së konsumatorit. Në të gjithë televizorët tanë inteligjent ne kemi instaluar barriera të larta sigurie duke përfshirë këtu dhe enkriptimin e të dhënave për të siguruar informacionin e përdoruesit dhe për ta mbrojtur atë nga hakerat. Njohja e zërit është një karakteristikë të cilën janë përdoruesit ata që vendosin nëqoftëse duan ta përdorin atë apo jo, ndaj ajo mund të aktivizohet dhe ç’aktivizohet nga përdoruesi. Pronari i një televizori të tillë mund të shkëpusë Smart TV-në e tij nga rrjeti i internetit për të qënë akoma më i sigurt.” (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>