Lajmet

“The Pitchers”, fitues të StartUP Live Prishtina

Jun 13 2011
0 Shpërndarje
“The Pitchers”, fitues të StartUP Live Prishtina

“The Pitchers”, u shpallën fitues të StartUp Live Pristina, që u mbajt për dy ditë me radhë (11-12 qershor) në ambientet e Universiteti Amerikan në Prishtinë,  për shkak se arritën të prezantojnë në mënyrën e duhur idenë e tyre drejt jurisë së përbërë nga ekspertë vendor dhe të huaj, dhe për shkak se ideja e tyre mund të realizohet dhe mund të jetë potencialisht e suksesshme.  

Duke shfrytëzuar një lojë interaktive online që ka si bazë rrathët, “The Pitchers” synojnë të nxisin nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të mësojnë lëndët e ndryshme mësimore në një formë më bashkëkohore, duke shfrytëzuar resurse moderne, duke bashkëvepruar me të tjerët dhe duke fituar pikë gjatë rrugës.

Me kalimin e rrathëve, përdoruesit (nxënësit) do të jenë në gjendje të bëhen më profesional dhe të zhvillojnë shkathtësitë e tyre në profile të caktuara të mësimit, duke pasur mundësinë që të shtojnë edhe detyra të caktuara, gjë që me fjalë të tjera do të shndërrojë këtë gjë në një lojë që kurë nuk do të marrë fund.

Në anën tjetër “The Pitchers” do të përfitojnë të hyra prej donacioneve dhe reklamave, si dhe ka gjasa që të implementojnë një zgjidhje unike, që në të ardhmen e afërt do ta bëjë lojën edhe më fitimprurëse. 

Juria profesionale e përbërë prej Mark Tuttle, Kushtrim Xhaklit, Arianit Dobroshit, Bernhard Thalhammer dhe Besink Krasniqit, që të gjithë të angazhuar në ndërmarrje dhe biznese të ndryshme, patën rastin të përcjellin edhe prezantimin e dy grupeve tjera që ishin gjithsesi interesante, por nuk arritën të shohin edhe disa grupe e ide tjera që u tërhoqën në momentin e fundit për shkak të frikës prej dështimit. 

“The Penguin Community” dhe “finD” ishin dy grupet tjera, ku e para kishte si synim krijimin e një ueb faqeje ku do të mblidheshin video, dokumente e artikuj të ndryshëm prej njerëzve, të cilët sikurse Pinguinët që kujdesen për rrethin e tyre, do të promovonin punën dhe veprimet në ndihmë të komunitetit, e në anën tjetër “finD” prezantoi një shërbim me bazë në ueb dhe në pajisje mobile që do t’ju mundësojë kompanive apo dizajnerëve dhe programerëve të gjejnë njëri tjetrin shumë më lehtë, e që me fjalë të tjera nënkupton që një kompani e interesuar për ndonjë progarmer në Kosovë do të ketë punën më të lehtë pa ndonjë ndërmjetës.

Dita e parë…

Gjatë ditës së parë ka pasur disa orë të jashtëzakonshme bashkëvepruese me pjesëmarrës, duke iu ofruar atyre prezantime dhe detaje konkrete se çfarë është një “StartUP” dhe çfarë është një “Pitch”, dhe më pas duke i sprovuar ata që të praktikojnë tek njëri tjetri materialin e mësuar. Kjo u tregua shumë e suksesshme, pikërisht prej ligjërimeve të shkëlqyera të Can Ertugrul prej i5invest, sepse filluan të kuptoheshin gabimet, pikat e dekoncentrimit apo koncentrimit, mënyrat e interpretimit të idesë, kujdesi në dëgjim të audiencës, etj. 

Pati edhe grupe me ide shumë të mira por që u përhapën aq shumë sa që në fund u tërhoqën, megjithatë ata arritën të kuptojnë se jo gjithmonë ideja e “suksesit të garantuar” do të sjellë sukses, kështu që edhe pranimi i dështimit është një sukses, sidomos nëse është në fazat e hershme. 

Gjatë tërë kohës gjithashtu përmes Skype, Marius Starcke prej TheMerger, përcillte dhe ofronte këshillat e tij prej distance, për shkak se nuk arriti të zërë aeroplanin me kohë dhe nuk arriti të jetë në Prishtinë. 

Valmir Mustafa prej Uni Group, një kompani Junior Enterprise dhe që ishte organizatore e ngjarjes, u shpreh se ngjarja ishte e suksesshme dhe se numri i pjesëmarrësve edhe pse solidi, arriti të sjellë në pah ekipe me ide konkrete që mungonin vitin e kaluar. “Vitin e kaluar kemi pasur shumë pjesëmarrës, por pak ekipe. Këtë vit vendosëm të shkojmë me diçka që veçse është në fazat e hershme të zhvillimit dhe që mund të gjenerojë interesin e investitorëve, dhe ekipet që dolën në skenë e prezantuan ishin të shkëlqyera dhe me ide të shkëlqyera, prandaj ishte gjë e madhe” u shpreh Valmiri. 

Sponsorët tjerë të ngjarjes StartUP Live Prishtina, që gjithashtu mbështetën tërë këtë proces, ishin IPKO Foundation, StartUp Europe dhe ECiKS, ndërsa pati mbështetje edhe prej Unique një junior enteprise në Shqipëri, që po synon të organizojë diçka të ngjashme dhe në Shqipëri. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>