Lajmet

Titulli i radhës nga Frakton quhet Bubrreci!

Jun 1 2011
0 Shpërndarje
Titulli i radhës nga Frakton quhet  Bubrreci!

Krijuesi i lojës Haluci dhe njëkohësisht themeluesi i kompanisë interaktive kosovare Frakton, Mentor Paçarada, në një intervistë për Radio Dukagjinin sot në mëngjes, ka zbuluar më shumë detaje rreth kësaj loje, por edhe ka paralajmëruar edhe lojëra të reja të cilat do të zhvillohen nga kjo kompani.

Ideatori dhe krijuesi i lojës Haluci, Mentor Paçarada tha për Radio Dukagjinin se Frakton po punon edhe në katër lojëra të reja elektronike, ndërsa siç thotë ai, shkak i krijimit të këtyre lojërave është pikërisht Haluci, i cili hapi shumë dyer të reja për Frakton.

Ai tha se pas lansimit të Halucit ka pasur shumë oferta nga programues të rinj, të cilët kanë talent në krijimin e lojërave elektronike, ndërsa po ashtu ka pasur edhe shumë oferta nga kompani të huaja, të cilat kanë kontaktuar Frakton-in për ndihmë dhe partneritet në zhvillimin e projekteve të ngjashme si Haluci.

“Deri më tani, Haluci në Facebook ka arritur të grumbulloj më shumë se 16.000 lojtar të cilët kanë luajtur më shumë se 200.000 lojë, dhe ky është një rekord i madh dhe i rëndësishëm për ne” ka thënë Paçarada.

Ai po ashtu e bëri të ditur për lojtarët e Halucit, se kur ata të arrijnë ta dërgojnë Halucin nga qielli në tokë, do të kenë një befasi shumë të mirë, por gjatë këtij sqarimi ai nuk e zbuloi befasinë. Ndërsa të gjithë lojtarët që arrijnë të jenë në mesin e top-dhjetëshes më të mirë, do të shpërblehen me nga një dhuratë, e cila atyre do t’u dërgohet në shtëpi.

Loja tjetër e radhës, e cila do të publikohet së shpejti nga Frakton quhet Bubrreci, por për të nuk janë dhënë shumë detaje nga zhvilluesi i saj.

Për Bubrrecin është thënë se fillimisht do të lansohet në rrjetin social në Facebook, dhe më vonë, e njëjta do të jetë edhe në platformat mobile si Android dhe iOS /telegrafi.com

Lajmet e fundit>