Analiza

Top 5 arsyet për të kaluar në Windows 8.1

Jul 14 2013
0 Shpërndarje
Top 5 arsyet për të kaluar në Windows 8.1

Windows 8.1 preview ka ardhur tashmë. Edhe pse ende larg perfeksionit, Microsoft ia ka dalë të menaxhojë mirë ndryshimet në sistemin e ri operativ të cilat janë realizuar brenda një kohë mjaft të shkurtër që prej debutimit të Windows 8 në tetor të vitit të kaluar.

Më poshtë ju paraqesim pesë arsye kryesore pse duhet të bëni kalimin në Windows 8.1 në momentin që do të jetë i disponueshëm, ndoshta gjatë fundit të vitit 2013. Mos harroni, nëse vendosni të instaloni Windows 8.1 beta që tani, bëni fillimisht backup të dhënat tuaja.

1. Përvojë më e mirë në desktop. Në këtë version, është më e thjeshtë të kalosh nga ndërfaqja moderne me pllakëza e Microsoft-it në desktopin e famshëm të Windows-it.

2. Njëtrajtësia. Një nga ankesat më të mëdha për Windows 8 ishte mënyra se si ndërvepronin desktopi dhe ndërfaqja moderne e përdoruesit. Në pjesën më të madhe të kohës, dukeshin sikur ishin dy universe krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Në Windows 8.1 kjo ndjesi është venitur disi. Është shtuar butoni Start, mundësia për ta kaluar sfondin e desktopit në ekranin Start etj.

3. Një plus i rëndësishëm në Windows 8.1 preview është funksioni më tepër fleksibël se më parë, Snap. Ai ju lejon të mbani të hapura disa aplikacione “të stilit modern” në të njëjtën kohë. Në varësi të ekranit dhe rezolucionit të tij, keni mundësi të mbani deri në katër aplikacione në një ekran të vetëm, duke luajtur me përmasat e secilit.

4. Rezultate më të ndërlidhura kërkimi. Në Windows 8.1 Smart Search rezultatet e kërkimeve nuk shfaqen të ndara në Aplikacione, Opsione, Skedarë, por vendosen në një faqe të bashkuar rezultatesh, duke përfshirë edhe rezultate nga aplikacione si SkyDrive, Bing Web search, Video, Muzikë etj.

5. Karakteristika të reja, kudo. Në Windows 8.1 ka një sërë karakteristikash “të fshehura” duke filluar nga suporti për printim 3D, tek panoramat Photosynth-style në aplikacionin e kamerës, të cilat janë në pritje për t’u zbuluar nga ju. (PCWorld Albanian)

Windows 8.1

Tags >

Windows 8
Lajmet e fundit>