Siguri

Tragjedia e Bostonit bëhet shkak për përhapjen në internet të “malware-ve”

Apr 19 2013
0 Shpërndarje
Tragjedia e Bostonit bëhet shkak për përhapjen në internet të “malware-ve”

Vetëm pak orë pas shpërthimit të dy bombave në maratonën e Bostonit pak ditë më parë, filluan të përhapeshin në internet “fushatat me malware”, të cilat shfrytëzonin pikërisht këtë tragjedi për të furnizuar sulmet e tyre.

Sipas firmës rumune të antivirusëve Bitdefender, fjalët kyçe si “marathon,” “Boston” dhe “explosion” filluan të përhapeshin me shpejtësi në rreshtat e subjektit në e-maile.

Ata vlerësuan se një në pesë mesazhe spam gjatë orëve pas shpërthimit dhe në ditët pas tij, i referoheshin pikërisht kësaj ngjarjeje.

Përdorimi i lajmeve të fundit nuk është praktikë e re për scammer-ët. Muajin e kaluar, ata përdorën dorëheqjen e Papës si karrem për të mashtruar njerëzit.

Gjatë kësaj jave, ata kishin krijuar e-maile edhe më të besueshme si për shembull: “Shihni shpërthimin në Boston në video” apo “Ja çfarë ndodhi pas shpërthimit në Maratonën e Bostonit.”

Duke klikuar këto e-maile, përdoruesit binin viktimë e sulmeve.

Sipas Bitdefender, e-mailet përmbanin linqe që i drejtonin përdoruesit në faqe dashakeqëse, URL-të e së cilave përfundonin me “news.html” dhe “boston.html.”

Pasi klikoheshin, linqet i çonin përdoruesit tek një faqe të ngjashme me YouTube, e cila shfaqte video nga shpërthimi i bombave.

Vetëm pas disa sekondash, aktivizohej një skedar i ekzekutueshëm dhe “malware” instalohej në kompjuterin e viktimave.

Bitdefender e identifikoi “malware-n” si Trojan.GenericKDZ.14575, i njëjti që infektoi vizitorët që aksesuan së fundmi uebfaqen e NBC.

Pas intalimit, ai vjedh llogaritë dhe fjalëkalimet që përdoruesit përdorin, direkt nga shfletuesi.

Ai monitoron gjithashtu edhe trafikun e kompjuterit të infektuar dhe mund të përdoret për të vjedhur portofolët Bitcoin, për të dërguar e-maile apo për të shkarkuar “malware” të tjerë. (PCWorld Albanian)

boston

Tags >

spam
Lajmet e fundit>