Lajmet

Tre mënyra të thjeshta për të lehtësuar kalimin në Windows 8

Apr 29 2013
0 Shpërndarje
Tre mënyra të thjeshta për të lehtësuar kalimin në Windows 8

Shumë përdorues të cilët kanë kaluar në Windows 8 janë ndeshur me vështirësi për t’u mësuar me sistemin e ri operativ. Një pjesë prej tyre nuk i kanë marrë ende dorën ndërfaqes Metro.

Për të gjithë ata që janë të rinj në Windows 8, ndërfaqja me pllakëza (tiles) mund të duket e ngatërruar dhe aspak produktive.

A mund të mësoheni me të? Sigurisht që po. Por a duhet vërtet të mësoheni me të? Jo domosdoshmërisht. Me disa hapa mund ta ktheni PC-në tuaj me Windows 8 në një ambient më familjar, si nga pamja e jashtme ashtu edhe nga puna.

1. Harroni që ekziston Metro

PCWorld rekomandon që të bëni ndezjen e kompjuterit në Desktop mode (ose siç mund të quhet ndryshe “Windows 7 mode”), ku është më e lehtë për të instaluar dhe për të aksesuar softuerët. Ndërfaqes Metro mund t’i ktheheni kur të dëshironi. Për të kaluar në Desktop, klikoni pllakëzën “Desktop” e cila gjendet në cepin e majtë (poshtë) të pllakëzave ose shtypni Win-D nga tastiera (tasti Windows dhe shkronja D).

2. Instaloni një buton Start

Sapo të kaloni në Desktop, do të shihni se mungon butoni Start. Sipas fjalëve të fundit, thuhet se Microsoft do ta rikthejë atë me përditësimet e radhës, por deri atëherë duhet të mendoni si ta zgjidhni vetë këtë çështje. Win8 StartButton është një aplikacion që ju hyn në punë në këtë rast.

3. Ndizeni kompjuterin direkt në desktop

Për të eliminuar bezdisjen e kalimit nga Metro në desktop sa herë që ndizet kompjuteri, bëjeni atë të hapet në Desktop mode që në fillim. Sigurisht, Microsoft nuk e ofron (ende) këtë opsion, por programi i mësipërm, Win8 StartButton, mund ta bëjë. Faktikisht, është opsion automatik pasi e instaloni, kështu që realisht nuk ka nevojë të bëni asgjë. Herën tjetër që do të hapni kompjuterin do të shihni ndërfaqen e njohur të Windows. (PCWorld Albanian)

win 8

Tags >

Windows 8
Lajmet e fundit>