Analiza

Tregu i punës i së ardhmes, si do të jetë ai dhe çfarë mundësish do ofrohen?

Mar 19 2018
0 Shpërndarje
Mundësitë e punësimit në fushat e inxhinierisë, kontabilitetit, infermierisë, mjekësisë, artit, arkitekturës, bujqësisë, turizmit e shumë fusha të tjera, kërkojnë nivele të larta të aftësive digjitale. Tregu i punës i së ardhmes, si do të jetë ai dhe çfarë mundësish do ofrohen?

Kohët e fundit dëgjojmë shpesh të flitet për shkurtime në vendet e punës dhe profesione që po zhduken, por dëgjojmë gjithashtu oferta të reja pune për pozicione të sapokrijuara. Me zhvillimin e teknologjisë, ka lindur nevoja e trajnimit të vazhdueshëm të punonjësve me risitë dhe ndryshimet radikale qe sjell digjitalizimi.

Nga ana tjetër lind pyetja: A do të zhduken profesionet plotësisht dhe çdo punë do të kryhet nga robotët dhe makineritë apo ata do të gjenerojnë më shumë vende pune se sa do ti zhdukin ato?

Në mjaft vende të Europës po diskutohet fenomeni i Digital Mismatch (Mospërputhja digjitale) që ka të bëjë me ndryshimet e mëdha midis ofertave dhe kërkesave për punë në fushën e ICT.

Edhe pse, shtetet synojnë gjatë gjithë kohës të ulin nivelin e papunësisë, madje kjo gjë po ndodh edhe në Shqipëri ku sipas të dhënave të INSTAT niveli i papunësisë për tremujorin e fundit të 2017 arriti vlerat më të ulëta nga 2014 (13.6%[1]), ende nuk po zbutet ky dallim i thellë midis personave që janë në kërkim të punës dhe kërkesave për punë në fushën e teknologjisë së informacionit.

Kompanitë ICT në Shqipëri sa vijnë edhe shtojnë ofertat e tyre për pozicione të ndryshme, por hasen shpesh me mungesë të stafit të kualifikuar.

Sipas studimeve të InTribe, mendohet se në 2020, 25% e vendeve të lira të punës do të jenë profesione të reja të cilat nuk kanë egzistuar më përpara. Zgjidhja për këtë është investimi në formimin profesional në IT dhe gjithashtu digjitalizimi në kompanitë që ofrojnë shërbime madje digjitalizimi edhe i institucioneve publike.

Mundësitë e punësimit në fushat e inxhinierisë, kontabilitetit, infermierisë, mjekësisë, artit, arkitekturës, bujqësisë, turizmit e shumë fusha të tjera, kërkojnë nivele të larta të aftësive digjitale.

Nga ana tjetër, analistët theksojnë se po rritet shumë pabarazia midis forcës punëtore, pasi tregu ofron punonjës shumë të kualifikuar, por edhe punonjës shumë pak të kualifikuar.

Këshillat që jepen janë nxitja e personave në shtimin e aftësive në ICT, dëshira për të mësuar gjëra të reja dhe gjithashtu përshtatja me ndryshimet teknologjike e në këtë mënyrë do të mund tu bëhet ballë robotëve të cilët dita ditës po zëvendësojnë rolin e individit në një ambjent pune.

[1] Instat, http://www.instat.gov.al/al/temat/tregu-i-pun%C3%ABs-dhe-arsimi/pun%C3%ABsimi-dhe-papun%C3%ABsia/#tab2

Tags >

INSTAT
Lajmet e fundit>