Blog

Tregu i vështirë i shitjeve online

Feb 20 2018
0 Shpërndarje
Edhe pse ofrojnë të gjitha metodat e pagesave, përsëri 90% e klientëve të dyqan taxi zgjedhin të paguajnë me para cash. Tregu i vështirë i shitjeve online

Xhilda dhe Dalipi prej një viti janë fokusuar tërësisht në sipërmarrjen e tyre të re. Ndonjëherë me hapa të mëdha dhe ndonjëherë më të vogla, tashmë numërojnë në portofolin e tyre 130 dyqane të shitjes me pakicë dhe mbi 30 mijë produkte të ndryshme.

Ideja fillestare e biznesit nuk kishte të bënte fare me pjesën e shitjeve online. Me background IT dhe duke parë se faqet e njoftimeve po ecnin, Dalipi kishte menduar që të bënte një faqe me njoftime, por duke parë që kishte mangësi në treg vendosi që t’i kushtohej shitjeve. “E pashë që pjesa e njoftimeve ishte pa interes. Me një koncept të ri të shitjeve online, vendosa të bëj ndërmjetësimin e dyqaneve me konsumatorët. Të gjithë dyqanet prezantohen në faqen tonë me emrin e tyre, pa humbur identitetin”, – tregon themeluesi i gjejevete.al për revistën “Monitor”.

Ecuria e tregut të shitjeve online

Disa prej aktorëve kryesorë të tregut raportojnë për “Monitor” rritje të shitjeve në tregun online. Për Ertjan Cabirin, administrator i movida.al, shitje e veshjeve online, tregu do të vazhdojë që të rritet për disa arsye. Së pari, të rinjtë janë ata që blejnë më shumë, dhe rrjedhimisht me kalimin e kohës, tregu do të rritet, argumenton Cabiri për “Monitor”.

Rezart Lahi, pati idenë fillestare për prezantimin e një televizioni që merret me promovimin e produkteve për shitje. Mirëpo duke parë se tregu i televizionit po vdiste dhe online po merrte një hov zhvillimi, vendosi që të operonte në tregun e shitjeve online. Ai tregon se 90% e porosive vijnë nga portalet e shitjeve online dhe vetëm 10% nga televizioni, për këtë arsye i kanë ulur kostot e televizionit në minimum. Aktualisht ai ka katër portale të tregtimit online, në tre prej tyre merret me tregtimin e produkteve, Shopping TV, top fashion, jumbo.al dhe tek i treti merret me tregtimin e shërbimeve online, mjeshtri.im. Ai pohon se ecuria e shitjeve online është në rritje.

“Megjithatë kam vënë re se në gjashtëmujorin e fundit ka pasur një stanjacion për kompanitë më të vjetra, kryesisht për shkak të operatorëve të rinj në treg”,- shton ai.
Aktorët kryesorë të tregut pohojnë rritjen e sektorit të shitjeve online, të cilat kanë ardhur kryesisht nga numri i madh i operatorëve të rinj që kanë filluar të ofrojnë këtë lloj shërbimi, i cili është i vështirë që të matet me shifra zyrtare, për shkak të informalitetit të lartë.

Lehtë të hysh në treg, vështirë të qëndrosh gjatë

Për Rezart Lahi, administrator i Shopping TV, tregu i shitjeve online është një treg i ngopur tashmë. Ai shprehet se për sa i përket tregut online nuk sheh hapësira të mëdha për zgjerim. “Nuk shikoj më rritje të tregut, por do të shtohet numri i operatorëve”. Për të, shtimi i operatorëve në tregun e shitjeve online ka sjellë mbingopjen e tregut, dhe çmimi të ulët gati kosto, tregon Lahi.
Edhe për Dalipin, nga gjejevete.al, hyrja në treg ishte më e vështirë se e pati menduar në fillim.

Një prej pionierëve në sektorin e shitjeve online, Valer Pinderi, – administrator i disa portaleve të shitjeve online, si Dyqan Taxi, bukinist.al (mbi 5000 tituj librash), beba.al, Sekret.al, idedhuratash.al -tregon se çelja e një kompanie të shitjeve online nuk kërkon ndonjë investim të madh monetar. Por, krijimi i një kompanie me baza të qëndrueshme kërkon përkushtim dhe profesionalizëm në shërbim, pasi është ky i fundit që bën diferencën.
Edhe pse çdo ditë po hyjnë në treg operatorë të rinj, njëkohësisht nga tregu po dalin operatorë të vjetër.
Ylli Panariti nga grepi.al, tregon se tregu i shitjeve online në Shqipëri, për sa u përket kompanive të mëdha është drejt vdekjes. Arsyeja: Konkurrenca nga informalët.

Problemi më i madh i kompanive që operojnë në segmentin e shitjeve online është konkurrenca e pandershme. Edhe për Ertjan Cabirin e movida.al, shitësit online të paregjistruar të cilët nuk paguajnë asnjë detyrim ndaj shtetit mbeten problemi kryesor.
Një tjetër shqetësim për sektorin që kanë sjellë shitësit informalë është prishja e imazhit të kompanive shqiptare që operojnë në këtë sektor.

Jashtë tregut pa cash-in

Thuajse mbi 90% e shitjeve online bëhen me para në dorë (cash-on-delivery). Të gjithë aktorët e tregut pohojnë se, nëse do të operonin vetëm me pagesat online, asnjë prej tyre nuk do të mbijetonte në treg. Të vetmet raste kur përdoren pagesat online janë për dhurata.
Të gjithë duan të paguajnë me para në dorë, vetëm kur është pjesa e dhuratave. Nëse nuk do të vendosja pagesat me cash, sot do të isha jashtë tregut, tha Dalipi, kur u pyet se çfarë mënyre pagese aplikonte në shitjet online.

Sipas tij, arsyeja kryesore është mosbesimi i konsumatorëve ndaj pagesave online. Ai argumenton se mosbesimi është krijuar nga marrëdhëniet jokorrekte që kanë pasur me operatorët e tjerë, apo operatorët informalë, që shpesh edhe pse kanë marrë pagesën për një produkt të caktuar, nuk e kanë dërguar mallin, ose e kanë çuar jo sipas kërkesave të klientit.
Edhe Ertjan Cabiri, i movida.al, thotë se operojnë vetëm me pagesë me para në dorë. Sipas Cabirit, në kompaninë e tyre nuk kanë parë rritje të parapagesave.

Edhe pse ofrojnë të gjitha metodat e pagesave, përsëri 90% e klientëve të dyqan taxi zgjedhin të paguajnë me para cash.
Përdorimi i pagesave cash, sipas Rezart Lahit, reflekton mungesën e besimit tek operatorët shqiptarë, pasi shqiptarët i përdorin pagesat cash për blerjet jashtë vendit. Pinderi thotë se kryesisht cash janë mbi 90% të transaksioneve, por tek portali i librave www.bukinist.al, pjesa cash është pothuajse e barabartë me atë online, gjithashtu edhe tek portali i dhuratave www.idedhuratash.al pagesa cash zë gati 70% të totalit. Në Dyqantaxi pagesat me karta krediti janë më pak se 1%.

Problemi me furnitorët vendas

Një problem tjetër në këtë sektor është mungesa e qëndrueshmërisë me dyqanet vendase. Lahi i Shopping TV, tregon se nisi që të operonte në fillim me furnitorë vendas, por vështirësitë ishin të shumta, kostot të larta dhe fitimet më të ulëta. Tani ai ka lidhur kontrata me furnitorë të huaj dhe merr pjesën më të madhe të produkteve te furnizuesit e parë. Kjo e ka ndihmuar që të dalë në treg me çmime më të ulëta.

Dalipi, i gjejevete.al, ka një tjetër koncept për shitjet online, faqja e tij shërben si ndërmjetësues midis dyqaneve, të cilët shfaqen në portal me emrin e tyre tregtar dhe klientëve. Dalipi pohon se në rast se dyqanet do të ishin më të kujdesshme me marketimin e produkteve të tyre, puna e tij do të ishte më e lehtë. “Fakti se dyqanet nuk punojnë me faqet e tyre individuale, nuk po na lejon që të zgjerohemi më shumë. Menaxhimi faqeve, që përfshin zgjedhjen e produkteve, fotografimin, politikat e çmimeve, kërkon shumë kohë”.

Marzhe më të ulëta fitimesh, kosto më të larta

Sipas Rezart Lahit, kostot për të fituar një klienti të ri janë rritur ndjeshëm dhe ky është një prej zërave kryesorë të kostove që kanë kompanitë e operimit online. Kompanitë Facebook dhe Instagram, për të njëjtën sasi parash, gjenerojnë më pak ndjekës dhe klientë për faqet tona. Ndërkohë që për shkak të konkurrencës, kompanitë nuk mund të operojnë më me çmime të larta. Konkurrenca, formale dhe ajo informale, është shtuar ndjeshëm.

Si e presin tregun

Edhe pse ka vështirësi të panumërta, aktorët kryesorë në vend janë optimistë për shitjet online në përgjithësi, por pesimistë për ecurinë e tregut në Shqipërinë. Rezart Lahi thotë se për dy vitet në vazhdim nuk do të ketë rritje të mëdha të sektorit, duke argumentuar se janë shtuar operatorët dhe kjo ka sjellë mbingopjen e tregut. Pjesa më e madhe kompanive operojnë me çmime thuajse në kosto.
Rezart Lahi thotë se disa operatorë po dalin jashtë tregut për çdo vit dhe fitimet kanë rënë.
I pyetur për ecurinë e tregut, Valer Pinderi shprehet se për fat të keq, shihet qartë që në 2018 nuk do të vazhdojë i njëjti ritëm rritjeje si në 2017.

Megjithatë Ertjan Cabiri, i movida.al, është disi më optimist. Sipas tij, tregu i shitjeve online padyshim që do të vazhdojë të rritet për disa arsye. Së pari, të rinjtë janë ata që blejnë më shumë dhe rrjedhimisht me kalimin e kohës tregu do të rritet. Së dyti, besimi në blerjet online është në rritje dhe kjo i bën njerëzit që të jenë më të sigurt kur bëjnë një porosi online. Siç mund të shikohet në të gjitha vendet e zhvilluara apo tregjet në zhvillim, kërkesa ka qenë gjithnjë në rritje dhe Shqipëria nuk ka se si të ketë një dinamikë të ndryshme. /Monitor

Tags >

shitjet
Lajmet e fundit>