Biznes

Tremujori i tretë, Nokia në vend të shtatë në shitjet e smartfonëve

Nov 15 2012
0 Shpërndarje
Tremujori i tretë, Nokia në vend të shtatë në shitjet e smartfonëve

Nokia ka rënë në vend të shtatë në shitjet globale në tregun e smartfonëve në tremujorin e tretë, pasi Samsung dhe Apple kontrolluan 46.5% të tregut.

Nokia ka përjetuar një “tremujor shumë të keq” për sa u takon smartfonëve, pasi ka shituar 7.2 milionë copë në tremujorin e tretë. Ardhja e pajisjeve të reja Lumia me Windows Phone 8 duhet të ndihmojë në ndërprerjen e kësaj ecurie në tremujorin e katërt të 2012-ës, edhe pse nuk pritet që para 2013-ës të shihet një përmirësim në shitje dhe në pozicionin e Nokias në treg.

Nokia ishte në vend të tretë në shitjet botërore të smartfonëve në tremujorin e dytë. AT&T e shet Lumia 920, modelin më të mirë të Nokias, për 99.99 $ vetëm në SHBA, thuajse me gjysmën e kostos së smartfonëve të tjerë rivalë.

Nokia ende është në vend të dytë në tregun e shitjeve të celularëve

Gartner ka thënë se shitjet e tremujorit të katërt, në periudhën e festave, do ta ndihmojnë Nokia-n që të përmirësojë shitjet, ndonëse nuk duhen pritur shitjet e mëdha, pasi klientët janë të kujdesshëm dhe hezitojnë të blejnë smartfonë të rinj, pasi tabletët duken më tërheqës për dhurata. Edhe pse Nokia ka shitur pak smartfonë, është ende në vend të dytë në tregun e shitjeve të celularëve me 19.2% të tregut. Samsung kryeson me 22.9%.

Përgjithësisht, shitjet e smartfonëve Android dominojnë në treg, duke mbuluar 72% të tregut, nga 20% që ishte vjet. iPhone i Apple është në vend të dytë mes smartfonëve me 13.9% të totalit.

Samsung e ka thelluar diferencën ndaj smartfonëve Apple në tremujorin e tretë sepse ka shitur 55 milionë pajisje, kurse Apple 23.6 milionë, ose 14%. Në total janë shitur 169.2 milionë smartfonë në mbarë botën në tremujorin e tretë.

Research in Motion është në vend të tretë me 8.9 milionë smartfonë të shitur, kurse HTC në vend të katërt, me 8.4 milionë. (PCWorld Albanian)

Tags >

Nokia
Lajmet e fundit>