Lajmet

Twitter sjell tema në trend në 160 vende të reja

Apr 13 2013
0 Shpërndarje
Twitter sjell tema në trend në 160 vende të reja

Rrjeti social Twitter në përpjekjet e tij për ta bërë faqen më të dobishme për një numër që vazhdimisht po rritet të përdoruesve, është duke lëshuar veçorinë e vet për zbulim të trendeve, apo të temave që përmenden më së shumti në cicërima nga përdorues të ndryshëm në 160 lokacione të reja.

Trendet, që u lëshua vitin e kaluar, është projektuar që të paraqes temat e popullarizuara në faqe, duke u bazuar në lokacionin e tyre dhe në atë që ndjekin përdoruesit.

Më parë ishte në 150 vende, kurse gjatë ditës së enjte, Twitter lajmëroi që është bërë shtimi i 160 lokacioneve shtesë, duke përfshirë edhe shtetet si Belgjikën, Greqinë, Kenian dhe Poloninë, duke përfshirë 130 qytete të reja në shtete që tashmë kanë pasur “Trendet”, lajmëroi gjatë të enjtes Twitter.

Fatkeqësisht, në këto vende të reja të shtuara nuk ndodhet Kosova apo Shqipëria.

Por siç ju kemi lajmëruar më parë, edhe pse nuk është mundësia që të përfshihet paraqitja e trendeve në bazë të vetëm cicërimave të bëra brenda një shteti ku janë me shumicë dërrmuese shqiptarët, kjo në fakt nuk i kishte penguar ata që për disa herë të arrijnë të bëjnë si tema më të përfolura në Twitter çështjet shqiptare si 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, apo pesë vjetori i pavarësisë së Kosovës.

“Për t’i bërë trendet më të volitshme dhe të përshtatshme për njerëzit në mbarë botën, ne në vazhdimësi jemi duke punuar për të sjellë Trendet në më tepër lokacione,” tha në një postim në blog, inxhinieri softuerik në Twitter, Royce Cheng-Yue.

Lokacionet e reja për Trende mund të gjenden duke klikuar butonin “Change” në shiritin anësor të Trendeve në twitter.com dhe duke e përzgjedhur qytetin ose shtetin sipas interesit, tha Twitter.

Duke klikuar në temat që janë në trend, përdoruesi do të shohë një faqe me rezultate të kërkimit për atë trend, duke paraqitur të gjitha cicërimat që e përdorur atë frazë ose atë etiketë (etiketa dallon nga fraza pasi që përveç karaktereve, në fillim përmban edhe simbolin #).

Kjo veçori është në dispozicion edhe në mobile.twitter.com dhe në aplikacionet zyrtare mobile të ndërmarrjes Twitter.

Një gjë është ende e paqartë: përdoruesit të cilët kanë zgjedhur të shohin trendet që vijnë nga një vend i caktuar, a do të jenë në gjendje që të shohin edhe temat më aktuale ndërkombëtare.

Twitter herën e fundit ishte zgjeruar gjatë dhjetorit, kur kishte arritur në 100 qytete të reja, duke përfshirë Stambollin, Frankfurtin dhe Guadalajaran.

Se cilat vende do të përfshijë zgjerimi i ardhshëm i kësaj veçorie të rrjetit Twitter, ende nuk është bërë e ditur.

Vetëm sa për informacion, për ata që nuk e dinë, rrjeti Twitter tashmë e ka njohur Kosovën si shtet, pra përdoruesit që banojnë në Kosovë mund të zgjedhin si vendndodhje të tyre Kosovën në listën e shteteve. (PCWorld Albanian)

twiter

Lajmet e fundit>