Siguri

Twitter sulmohet nga hakerët ndërsa Facebook gjithashtu ngadalësohet

Aug 6 2009
0 Shpërndarje
Twitter sulmohet nga hakerët ndërsa Facebook gjithashtu ngadalësohet

Twitter në blogun e saj të statusit bëri të ditur se ishte “duke u mbrojtur nga një sulm i ndalimit të shërbimit (DOS)”, përmes të cilit hakerët komandojnë sulme kompjuterike në një faqe në të njëjtën kohë, duke parandaluar kështu kalimin e trafikut legjitim.

Fakti që një sulm relativisht i zakonshëm mund të ndal funksionimin e një ueb faqeje të tillë si Twitter, tregon sesa thjeshtë mundet të lëndohet edhe pse shumë shpejtë është bërë shtëpia e shumë fytyrave publike, korporatave të mëdha, bizneseve të vogla e edhe të protestuesve në Iran.

“Është e qartë se ata kanë nevojë për infrastrukturë më të fuqishme për të luftuar me këto lloje sulmesh” tha Graham Cluley, nëpunës i këshilltarit teknologjik pranë firmës së sigurisë Sophos. Ai shtoi se sigurisht ekipi teknik i Twitter mezi po merr frymë duke u përballur me rritjen e jashtëzakonshme të faqes.

Facebook, gjithashtu mëngjesin e ditës së sotme u përball me sulme të njëjta DOS, megjithëse ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtit hakerë. Për dallim prej Twitter, Facebook në asnjë rast nuk u bllokua tërësisht duke shtuar se asnjë informacion i përdoruesve nuk është vënë në rrezik.

Gjatë mbrëmjes edhe Twitter edhe Facebook dukej se funksiononin si duhej, duke lejuar vazhdimin e ciklit të varësisë ndaj medaive sociale. Megjithatë Twitter paralajmëroi se përdoruesit ende do të hasin në kohëra më të gjata të ngarkimit dhe ngadalësime në faqe.

Sulme të tilla të planifikuara për ndalim të funksionimit apo më mirë thënë mbingarkimi i tillë, mund të thyejë ueb faqet me rritje të shpejtë si Twitter dhe Facebook.

Në fakt, ndalimet e shërbimit në Twitter kanë qenë aq të zakonshme sa që menaxhmenti filloi të postojë logon “Balenë e Dështuar” në ueb faqe, për të sinjalizuar se shërbimi kishte ndalur funksionimin. Logoja tregonte një balenë që qëndronte mbi ujë dhe rreth saj silleshin disa zogj.

Me miliona përdorues të Twitter nuk janë mësuar me historinë 3 vjeçare të këtij shërbimi dhe me pengesat e shpeshta, pasi që shumë prej tyre kanë filluar me twitter gjatë gjashtë muajve të fundit, përafërsisht në kohën e njëjtë kur kompania e bazuar në San Francisco kishte filluar të shpenzojë më shumë të holla në rritjen e fuqisë kompjuterike dhe në reduktimin e pengesave. Me shtimin e kapacitetit, balena e dështuar vinte më rrallë në sipërfaqe.

Megjithatë, me rastin e fundit, nënkuptohet se Twitter nuk ka bërë aq sa duhet për t’i bërë ballë sulmeve të tilla. Kjo kompani duhet të punojë më afër me ofruesit e shërbimeve të internetit për të filtruar kërkesat potenciale të dëmshme dhe për të lejuar qarkullimin e trafikut legjitim.

Sulmet e ndalimit të shërbimit (DOS) zakonisht kryhen nga “botet”, armata të kompjuterëve të infektuar të formuar nga një virus kompjuterik shpërndarës që urdhëron makinat e komprometuara të thërrasin në shtëpi për instruksione të mëtutjeshme. Zakonisht ato përdoren për të dërguar spam apo për të vjedhur fjalëkalime, por mund të përdoren edhe për të mbingarkuar ueb faqe.

Lajmet e fundit>