Lajmet

UBT-CERT organizon edicionin e dytë të aktivitetit “Hack Day Kosova 2017”

Sep 21 2017
0 Shpërndarje
I njohur dhe regjistruar ndërkombëtarisht, aktiviteti treditor do të mbahet në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, përgjatë datave 12, 13 e 14 tetor, organizim ky që do të bëhet nën kujdesin e UBT-CERT UBT-CERT organizon edicionin e dytë të aktivitetit “Hack Day Kosova 2017” Photo Source: UBT

Për të dytën herë më radhë, si lider në fushën e Shkencave kompjuterike, Sistemeve të Informacionit dhe jo vetëm, UBT ka marrë përsipër organizimin dhe mbarëvajtjen e edicionit të dytë të aktivitetit të rëndësishëm kushtuar sigurisë kibernetike, “HackDay Kosova 2017”.

I njohur dhe regjistruar ndërkombëtarisht, aktiviteti treditor do të mbahet në Kampusin Inovativ të UBT-së, në Lipjan, përgjatë datave 12, 13 e 14 tetor, organizim ky që do të bëhet nën kujdesin e UBT-CERT dhe do të mbahet për nder të Muajit Evropian për Siguri kibernetike, që sivjet feston vitin e pestë të organizimit.

Ky aktivitet, krahas mesazhit ndërgjegjësues që bartë për sigurinë kibernetike në shtetin e Kosovës, zhvillon edhe garën kibernetike ku marrin pjesë hakerë nga i gjithë rajoni, andaj edhe UBT-CERT është një ekip me misionin e vetëm të ndërgjegjësimit rreth sigurisë kibernetike të qytetareve dhe mbarë komunitetit të TIK-ut, drejt sfidave që përfaqëson perceptimi i kërcënimeve apo sulmeve kibernetike, duke i promovuar të dhënat e informacionet, si dhe edukimin e shpërndarjen e praktikave më të mira.
UBT është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë, që njihet ndërkombëtarisht me divizionin CERT.

Organizimi ndërlidhë tri strategji të përpiluara nga ekipi i UBT-CERT, bazuar në përvojën profesionale që ky ekip ka marrë në arenën ndërkombëtare, si rrjedhojë, e para ka të bëjë me aktivitetet teknike të vlerësimit të sigurisë së sistemeve të informacionit nga grupet pjesëmarrëse, në një infrastrukturë të improvizuar për realizimin e ushtrimit, e dyta ka të bëjë me pjesëmarrjen e individëve me përvojë në fushën e sigurisë së informacionit, duke përfshirë partnerët e CERT-it dhe institucionet e tjera, aktiviteti i të cilëve është i orientuar nga siguria e informacioneve dhe e treta ka të bëjë me realizimin e një infrastrukture Wi-Fi, në të cilën do të ketë trafik të gjeneruar dhe pjesëmarrësve do t’ju mundësohet të hakojnë.

Siguria kibernetike është një nga fushat më të rëndësishme të mbrojtjes së sistemeve të informacionit, që u vjen në ndihmë institucioneve shoqërore, kompanive dhe bizneseve nga sulme të mundshme kibernetike, me pasojë humbje të mëdha materiale dhe financiare, madje mund të ndikojnë edhe në çrregullime të mëdha të sigurisë shoqërore. /UBT-CERT

Lajmet e fundit>