Vëzhgim

Ubuntu Netbook remix 9.04

Mar 17 2010
0 Shpërndarje
Ubuntu Netbook remix 9.04

Ai që kisha në dorë ishte një Acer Aspire One, i cili, si shumë pajisje të tilla, fuqizohet nga një procesor Intel Atom. Sasia e RAM-it është ajo e duhura, me 1GB dhe hard disku gjithashtu i bollshëm me 160 GB. Megjithatë, në përdorimin e përditshëm kishte për mendimin tim dy komponentë që nuk shkonin dhe aq mirë me njëri-tjetrin; pikërisht procesori Atom N270, me 1.6 GHz dhe kanali i tij i komunikimit single channel dhe sistemi operativ standard, Windows XP Home Edition. Me fuqinë përpunuese të disponueshme, dukej se sistemi në total nuk kishte shkathtësinë që një kompjuter i ditëve të sotme duhet të ketë për të bluar të gjitha funksionalitetet që kërkohen. Në radhë të parë, grafika, megjithëse mjaft e vjetër, ajo e Windows XP në chipsetin 945 të Intel, është paksa e rëndë, megjithëse nga Intel sigurohet se një kombinim i tillë është plotësisht i aftë për të përpunuar aplikacione moderne.

Duke filluar nga A-ja, ndezja nuk është tamam në shpejtësinë e duhur, duke marrë shpesh më shumë se një minutë. Pastaj duke kaluar në minimumin e përdorimit të kësaj pajisjeje, shfletimin e faqeve web, si shfletuesi standard Internet Explorer 7 ashtu dhe Mozilla Firefox 3.5, duket se kanë probleme jo të vogla në kryerjen e funksioneve të tyre minimale. Vetëm ekzekutimi i tyre do disa sekonda që duket sikur nuk do kalojnë asnjëherë. Hapja e tabeve të reja të lundrimit si dhe kalimi nga një tab në tjetrin ishin përsëri një veprim që dukej se e shtrydhte deri në pikën e fundit potencialin e kësaj makinerie të vogël.
Pa u ndalur shumë në aplikacione të tjera, vetëm funksionimi jo siç pritej i këtyre veprimeve bazike më la një shije jo të mirë mbi këtë kombinim dhe fillova të kërkoja për alternativa më të mira, si për kursimin e baterisë (rreth dy orë me baterinë standarte), ashtu dhe për një performancë më të kënaqshme dhe deri diku arrita një fitore.
Në pritje të alternativës më të re nga Microsoft, një Windows 7 të optimizuar për netbook, Vista mendoj se nuk përbën aspak një zgjidhje. Me eksperiencën famëkeqe në desktopët dhe laptopët më të fuqishëm as nuk u përpoqa të eksperimentoja në një netbook, por një tjetër opsion mjaft i përfolur kohët e fundit është dhe alternativa e Linux, më saktësisht Ubuntu 9.04 Netbook Remix. Në vetvete, Ubuntu është një sistem, tashmë në versionin e tij të 9-të, mjaft solid dhe i përshtatshëm për përdoruesin satndard të rastësishëm. Janë larg ditët kur të punoje në Linux duhet të ishe një gjysmë shkencëtari për të kapërcyer një mijë kokëçarjet dhe divergjencat e tij me Windows. Me mbështetje të gjerë për harduerët më të fundit si dhe ato pak më të vjetër dhe me kërkesa shumë më të ulëta fuqie krahasuar me sistemet e Microsoft-it, shoqëruar me përdorimin relativisht më të thjeshtë dhe koston 100% falas krahasuar me variante të tjera, Ubuntu është prej pak vitesh sistemi më i preferuar jo-Windows për përdoruesit shtëpiakë të cilët i kanë fshirë nga lista e tyre e kërkesave lojërat dhe aplikacionet vetëm për sistemet e Microsoft.
Një variant i optimizuar i sistemit të fundit nga Ubuntu, Netbook Remix, ruan kërkesat e ulëta dhe performancën e mirë të versionit për desktop duke rishikuar tërësisht ndërfaqen dhe duke e optimizuar atë për monitorin e vogël të një netbook-u. Në faqen zyrtare të Ubuntu (ubuntu.org) mund të gjeni lehtësisht dhe të shkarkoni Netbook Remix 9.04 si dhe të gjeni instruksionet dhe aplikacionet për të futur imazhin .iso (rreth 1GB) në një flash i cili duhet të jetë minimumi 2GB për të mbajtur instalimin. Në rastin tim, instalimi filloi automatikisht pas ndezjes me flashin e instalimit në një portë USB, por nëse nuk ndodh në rastin tuaj, mund të lani pak me biosin për të siguruar ndezjen nga portat USB.

Instalimi është i thjeshtë dhe i shpejtë (rreth 20 min) krahasuar me më shumë se gjysmë ore të një Windows-i dhe ashtu si me Windows 7, pas instalimit nuk m’u desh të instaloja asnjë drajver për të patur funksionim të plotë të të gjitha pajisjeve në netbook, që nga kamera deri tek antena wireless, megjithëse për këtë të fundit, në rastin tim, duhet të mbaje të çaktivizuar drajverin zyrtar në mënyrë që wireless-i të funksiononte.
Pjesa më mbresëlënëse, do ta kuptoni dhe vetë, është ndërfaqja fillestare; një lloj kombinimi i desktopit dhe i menyve, i cili shpalos dy rreshta me kategoritë kryesore në të dy anët e monitorit dhe përmbajtjen e kategorisë së klikuar në fushën e mesit. Menytë dhe aplikacionet e tyre hapen me një klikim të vetëm, çka është pak e bezdisshme sa ia merr dorën, sepse mund të klikoni një herë për të selektuar ikonën ndërkohë që aplikacioni ekzekutohet. Për të shfrytëzuar më së miri monitorin e vogël, sistemi është bërë i tillë që çdo aplikacion i ekzekutuar të hapet full-screen, duke dalë mbi çdo dritare të mëparshme. Dritaret e hapura mund të aksesohen të gjitha në ikonat e vendosura në formë tabesh të vogla në pjesën e sipërme të ekranit dhe kjo është një eksperiencë e këndshme dhe e shpejtë krahasuar me shiritin e poshtëm të një sistemi standard për desktop.
Megjithatë, disa aplikacione të përfshira në paketën fillestare, THE GiMP, kishin jo pak probleme me hapjen në ekran të plotë; disa dritare dialoguese inkuadroheshin plotësisht në ekran, por linin jashtë fushës së pamjes butonat kryesorë për të aplikuar ndryshimet dhe për t’u rikthyer në program.
Ajo që isha duke kërkuar, ndërveprimi i shpejtë me programet dhe ndërfaqen grafike, ishte sidoqoftë një fitore; lundrimi me shfletuesin e integruar Firefox ishte shumë më i shpejtë se në Windows XP, me shumë apo pak tabe hapur, ngarkimi i faqeeve ishte i menjëhershëm dhe në këtë aspekt ndiheshe shumë më mirë, pikërisht si duhet të jetë në një kompjuter modern, pa ngecje, pa bllokime dhe në sinkron të plotë me veprimet në tastierë.
Një përmirësim thelbësor kishte edhe përdorimi i aplikacioneve shumëfishe; mund të mbaje hapur disa njësi të shfletuesit, nja dy të tjera të OpenOffice.org word dhe një aplikacion grafik si inkscape dhe përsëri të lëvizje lirshëm midis programeve të hapura pa ndier ngecje thelbësore që shaktojnë shfryrje dhe shtrembërime të fytyrës.

Diçka që më zhgënjeu pak ishte aspekti i baterisë; me një sistem shumë më të lehtë në resurse dhe më të shpejtë në përgjithësi se ai i mëparshëm, prisja një jetëgjatësi pak sa më të mirë të baterisë, ndërkohë që në përdorimin e përditshëm ajo zgjaste njësoj dhe shpesh disa minuta më pak se më parë. Besoj se kjo është për shkak të drajverëve të Linux, të cilët nuk shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kursimit të energjisë së harduerit në dispozicion. Gjithashtu gatishmëria e lartë e sistemit dhe reagimi shumë i përmirësuar duhet të ketë gisht në këtë.

Si përfundim, sistemi i ri operativ plotësoi kërkesën kryesore që kisha ndaj netbook-ut tim, atë të reagimit më të shpejtë në përdorimin e përditshëm dhe nëse nuk keni një aplikacion i cili nuk mund të ndahet nga sistemet e Microsoft-it (ndër programe të tjera, Ubuntu pajiset që në fillim me suitën OpenOffice.org nëse po mendoni për MS Office), Netbook Remix është një rekomandim absolut. Një tjetër ‘ekstra’ e këndshme dhe jo shumë e vogël është dhe fakti se si në çdo sistem Linux, do të harroni viruset dhe praninë e tyre të pashmangshme në sistemet operative të Microsoft-it. Të kesh një antivirus të mirë është mirë, por të mos kesh nevojë fare për një është akoma më mirë.

Lajmet e fundit>